12.8 C
Prizren
E enjte, 2 Maj, 2024

Shkopi i Gjeçovit

Hajdar MallakuKur më 1974 e pashë shkopin e Gjecovit në muzeun e Shkodrës, aq sa u mallëngjeva, po aq m’u ngjall një imazh që në fantazinë time rinore kishte përmasa magjepse, por reale dhe njerëzore. E kisha njohur jetën dhe veprat e Gjeçovit si dhe dy pikat e skajshme, vendlindjen e tij në Janjevë dhe vendin e vrasjes në Rrezina afër Zymit dhe varrimin e tij në Shëngjergj, prej nga isha dhe unë. Poashtu kisha dëgjuar nga disa pleq që e kujtonin edhe tash fjalën e mbajtur me rastin e ceremonisë së varrimit të tij.

Duke e kundruar shkopin më dukej se vëreja dorën e tij të shëndoshë, mbështetur mbi dorëzen e shkopit, atë dorë të uruar me të cilën shkroi aq vepra e prapa tij trupin e bëshëm si shkëmb graniti dhe qëndrimin burrëror të tij.

Ishte ky shkop një hartë gjeografike e vendqëndrimeve të tij, ndoshta dhe më tepër, ishte mbështetje dhe projë fizike e tij, ishte muze lëvizës i dokumenteve atdhetare e shkencore që përformonte me flamurin kombëtar që flinte në zemrën e tij dhe shpalosej në gufimet atdhetare; ishte shkop i një bariu të popullit; ishte bashkëudhëtari i autorit dhe idhull i pagojë i çdo gjeje, por që megjithatë fliste.
Kur u kthyem nga vizita bërë Republikës së Shqipërisë, krahas mbresave që i kishim, i komentonim dhe shumë gjëra duke i afruar me kujtimet e më të vjetërve që shumë vise të Shqipërisë së Veriut, që nga Shkodra e deri në Durrës, i kishin kaluar këmbë. Në këto komente prinin xha Sadriu dhe xha Ndoci që e arrinin atë kohë me jetën e tyre, kishin pasur miqësi me të dhe e kishin shoqëruar në udhëtime pune. I pari kishte miqësi të sinqertë me të, ishte i varfër dhe shpeshherë ishte ndihmuar materialisht nga ai.

Në kujtimet e tij kishte mbetur i pashlyer momenti kur po udhëtonin bashkë për në Lugishtë. Këtë rrëfim ai e tregonte me një frymëzim të zjarrtë, mbushej me entuziazëm thuaj se po vehej tash në veprim. “ Kur shkuam te Rrethi i Zjemit, (kështu i thoshin një rrethi që shërbente për pritë, një istikam natyror në formë gjysmëharku që ndodhej më lartë mbi rrugë, pikërisht aty ku takoheshin tetë rrugë dhe kishte pozicion vrojtimi në secilën sosh) ai dëgjoi diçka.Vuri vesh dhe u bind se prapa rrathëve ndodheshin në pritë disa njerëz. Më tha mua të qëndroj dhe vetë u nis drejt tyre.

“- O Atë !- i them, vij edhe unë, por kujdes të lutem” – dhe u nisa pas tij. Ish afruar pesë a gjashtë metra me dorë të ngritur me të cilën e mbante shkopin. Nuk ishte ky shkop gjyshi që ngritej për shaka për t’i trembur fëmijët të rrinin urtë, as shkop magjik i përrallave, por shkop atdhetari që lutte, qortonte dhe bekonte për paqe. Kish marrë pamje të martirizuar, që lundronte në një ankth në mes tytës dhe gjahut dhe ju drejtua me fjalët shenjtëruese : “Dilni, o vllazën, ruani plumbat për anmikun, mos e vritni vëllai vëllanë. Hasmit tuaj janë në dorën e Perëndisë dhe në mbrojtjen time”. Besoni m’u duk se jam në mes të një ëndrre dhe dikush më shkund për t’u zgjuar kur i pashë pesë veta të dilnin nga prita dhe kokëulur të ngjiteshin malit përpjet. Vetëm më i vjetri foli dhe tha: “Të paçim, o Atë! Në dorën tande dhe të Zotit”.

Ndërsa xha Ndoci poashtu e shoqëronte shpesh dhe e kish fituar besimin e tij, e kishte shtëpinë afër kishës, merrte libra nga ai dhe ishte ndër të rrallët që dinte shkrim-lexim atëherë. Ky ruante dy kujtime për të që ishin sa të thjeshtë, por sa domethënës. Kur më tregoi për të parin aq shumë e kish përjetuar sa më dukej se po vraponte për ta mbrojtur vetë Gjeçovin.

“-Ishte dimër. Janar dhe acar i paparë disa vjet. Unë kisha dalë në shkallë dhe po shikoja kush po kalonte. Mos ndonjë mysafir e kish zënë nata dhe nguronte të bëjë zë. Qentë lehën dhe u turrën drejt një njeriu që nuk dukej mirë në tisin e mjegullës që kish filluar të bijë. E dallova se është Ati ynë i famullisë që shkopin e kish varur në krahun e majtë, ndërsa po mbrohej me të djathtin. Vrapova dhe ia tremba qentë me një rrëfatë dhe nga dhimbja për të në mënyrën më të butë e qortova: “ O Ati ynë, po ti shkopin në dorë dhe qentë po i tremb me dorë. Për çka të duhet ai, kur s’të shërben për mbrojtjen e trupit tënd ?”

“- Të falemnderës Noc!- më tha. Më dhimet trupi im, po më dhimet edhe Atdheu. A ke ndëgjue se të vjetrit thojshin: “Banu i zoti, mos ta hajë qeni shkopin. Të tregoj një ditë tjetër se pse e ruaj më shumë shkopin se dorën. Natën e mirë!” – dhe u ndamë. Edhe sot turpërohem se si s’më shkoi mendja se çka ruante krejt ai shkop. Mendoja se ruante vetëm ata emra vendesh dhe ishte një relikte që Gjeçovi e ruante me gjelozi. Por doli diçka shumë më e madhe.

Kur një ditë ndodhesha vetëm me të në kishë, pas bisedës që e bëmë, u ul para meje në një stol dhe shkopin e mbajti në prehër. “-Shiko, Noc, – më tha dhe e mori shkopin me të dy duartë. E ngriti në nivel të syve të tij dhe të mive, e tërhoq në dy anë, me të majtën kah e majta dhe me të djathtën kah e djathta dhe shkopi rrëshqiti gjysma në njërën anë dhe gjysma në tjetrën dhe u nda në dysh. Prej tij, nga fyshku, dolën një numër letrash të shkruara me dorë, me shkrim të vetë Gjeçovit që e njihja mirë, por edhe të shkruara me makinë, një laps dhe flamuri ynë kombëtar. Unë mbeta si i ngrirë, me gojë hapur si vuv, si një fëmijë që martirizohet duke dëgjuar një përrallë dhe prisja edhe çka do të më dëftonte tjetër Ati ynë. Dokumentet i paloi me kujdes në tavolinën që e kish afër, ndërsa flamurin e shpaloi ngadalë, e puthi, e përqafoi duke i afruar palët e tij me të dy duartë, pastaj i hapi kindat e tij në të dy anët, kah e djathta dhe kah e majta, sikur i hap krahët shqiponja dhe e nis fluturimin e saj nga një majë lisi.

Vetëm koka i mbeti mbi flamur. Dhe m’u duk se ai tash po fluturonte me shqiponjen dykrenare rreth perimetrisë atdhetare, atje ku e kërkonte detyra dhe me laps në dorë regjistronte emërvendet në hartën shkop, ndërsa në trupin e saj letersinë, historinë, traditën, kulturën, arkeologjinë, etnografinë dhe tërë shpirtin e atdheut. Pastaj si luftëtari në fushën e betejës i përqafoi, prapë i paloi dhe i futi në vendin e vetë. Unë tashmë isha Ndoc tjetër dhe Gjeçovi për mua ishte tash e tutje tjetër Gjeçov. Kur e përfundoi këtë ritual atdhetar, mori frymë thellë dhe më tha: “ – E sheh Noc pse i pritsha me dorë e jo me shkop qentë ? Me shkop do t’i presim qentë e mëdhenj…”

Shkruan: Hajdar MALLAKU

Më Shumë

Sot, Dita Kombëtare e Personave të Pagjetur

Në Kosovë sot shënohet 27 Prilli – Dita Kombëtare e Personave të Pagjetur. Kanë kaluar më shumë se 25 vjet nga përfundimi i luftës në...

Ramush Haradinaj shkon në Sallagrazhdë për ta nderuar veprën e Fadil Vatës

Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka shkuar në Sallagrazhdë të Suharekës, për të nderuar vepren e heroit të kombit, Fadil Vata. Përmes një postimi në...

Lajmet e Fundit