14.8 C
Prizren
E shtunë, 20 Prill, 2024

Shkullaku: Sa më të dhunshme protestat, aq më shumë zvogëlohet Vetëvendosje

ArmandShkullaku-kolumnistAnalisti Armand Shkullaku konsideron se sa më e madhe dhuna nëpër protesta aq më e vogël do të bëhet Vetëvendosje. Ai kujton kohen kur kjo parti kishte mbajtur protesta në Merdarë e te Dheu i Bardh dhe humbjen e përkrahjes për Vetëvendosjen në momentin kur ishte përdorur dhuna. Në një intervistë për Express, Shkullaku thotë se Kryeministri i ri duhet të lexojë drejt mesazhet e protestuesve, të cilët kanë dalë në rrugë për shkak edhe të papunësisë dhe kushteve të vështira ekonomike.
Express: Si e vlerësoni reagimin e Qeverisë së Kosovës ndaj protestave të Vetëvendosjes të përkrahura edhe nga AAK e NISMA?

A.Shkullaku: Reagimi i qeverisë nuk m’u duk serioz. Dhuna ishte vetëm njëri aspekt i protestës, por pjesëmarrja e madhe e qytetarëve ishte aspekti tjetër më i rëndësishëm që asnjë qeveri normale nuk mund ta injorojë. Në respekt të mijëra njerëzve që dolën në rrugë, qeveria duhej në radhë të parë të kishte dhënë shpjegime dhe një qëndrim për kërkesat e tyre.

A do të shkarkohet ministri serb Jablanoviç, a do të shkojë çështja e Trepçës në Kuvend? Sigurisht që ata që ishin në rrugë nuk protestonin vetëm për këto dy çështje, ata ishin atje edhe si pasojë e frustrimit të gjatë prej kushteve ekonomike të vështira dhe papunësisë. Kryeministri Mustafa do të duhej të lexonte këtë mesazh të qytetarëve të tij dhe pastaj të merrej me opozitën, dhunën dhe gurët.

Express: Udhëheqësit e Qeverisë kanë deklaruar se Albin Kurti bashkë me Haradinajn e Limajn po dëshirojnë të marrin pushtetin përmes rrugës. Është kjo frikë e LDK dhe PDK se po e humbin pushtetin apo kanë të drejtë në akuzën e tyre ndaj organizatorëve të protestës?

A.Shkullaku: Këto janë deklarata të ekzagjeruara për të shmangur atë që thashë më lart, thelbin e problemit. Pushteti lëkundet nga keqqeverisja dhe pasojat që kjo sjell tek njerëzit dhe jo nga gurët.Kryeministri Mustafa nuk duhet të trembet se ia marrin pushtetin me dhunë, por duhet të shqetësohet se përse ai nuk po mundet asnjëherë ta fitojë atë me vota. Qeveria e di se as Kurti, as Haradinaj e as Limaj nuk do tentonin të hynin në kryeministri me forcë e të shpallnin marrjen e pushtetit, por masivizimi i protestave i faktorizon ata.

Shprehja se pushteti fitohet me vota dhe jo me dhunë sigurisht është e vërtetë, por edhe kur vendi qeveriset nga një kryeministër pa vota protestat janë edhe pasojë e kësaj.

Express: Deputeti Ben Blushi tha se Albin Kurti doli kundër Albin Kurtit me protestën e dhunshme në Prishtinë dhe e largoi mundësinë për të ardhur në pushtet. Sa janë gjasat që rruga t’ia mundësojë z. Kurti ardhjen në krye të Shtetit?

A.Shkullaku: Ben Blushi ka dhënë një version të tij se si e lexoi ai protestën e thirrur nga Vetëvendosje. Në Kosovë më shumë se në Shqipëri ka një mospranim më të madh të dhunës politike dhe nisur nga ky fakt edhe Albin Kurti herëpashereka qenë nën kritikat e opinionit publik në Prishtinë. Jo vetëm kaq, por sa herë protestat e VV kanë degjeneruar në dhunë, ato janë pasuar nga një braktisje domethënëse e qytetarëve. Kujtojmë këtu protestat për bllokimin e pikave të kalimit kufitar me Serbinë tamam 3 vjet më parë. Ato e humbën pjesëmarrjen domethënëse të qytetarëve në momentin kur u tejkalua forca e nevojshme e demonstrimit.

Gjithsesi mendoj se ky aspekt mund të dëmtojë efikasitetin e protestave, mund t’i japë mundësi qeverisë dhe mbështetësve të saj të flasin për dhunën si viktima dhe jo për problemet që duhet të zgjidhin, por jo se mund të dëmtojë apo largojë mundësinë e Albin Kurtit për të ardhur në pushtet.

Express: Në fakt, cila duhet të jetë kauza reale e z. Kurti dhe Vetëvendosjes për të marrë pushtetin?

A.Shkullaku: Duke e lidhur edhe me pyetjen e mësipërme, pikërisht është kauza që Albini ka mbrojtur deri tani që mund ta sjellë Vetëvendosjen në pushtet. Është dëmtimi i kësaj kauze që mund t’i sjellë probleme VV dhe jo gurët e protestave. Futjen e VV në bllokun opozitar VLAN që bëri një bashkim pa moral politik në emër të marrjes së pushtetit e shoh më të dëmshëm se sa dhunën në një protestë.

Kurti dhe VV janë ngjizur si kontestim i establishmentit politik që kontrollon pushtetin në Kosovë dhe jo si arbitra për të peshuar kush ka fajin më të madh apo më të vogël. Qëndrimi parimor ndaj kësaj kauze është e vetmja rrugë mendoj që mund ta sjellë VV në pushtet.

Express: Thaçi, në një intervistë televizive, tha se nuk do të lejohet të përsëriten skenat siç kishte ndodhur në Shqipëri më 1997. Ekziston një rrezik i tillë për Kosovën?

A.Shkullaku: Jo nuk ka asnjë rrezik. Në Kosovë ndryshe nga Shqipëria, pavarësisht kontestimeve, shteti nuk shihet me armiqësi. Pa përmendur këtu shumë rrethana të tjera që nuk kanë lidhje fare me ’97-ën e Shqipërisë.

Express:Si mund të shpjegohet pozicioni i Ramush Haradinajt nga një politikan që mbështeste Thaçin në dialog, mbështeste në miratimin e buxhetit etj. Ndërsa sot po del në protesta. Si shpjegohet ky evoluim i z. Haradinaj?

A.Shkullaku: Pas zhgënjimit me VLAN, zotit Haradinaj do t’i duhet ende kohë për të kuptuar pozicionin e tij.

Më Shumë

Kirurgu i Spitalit të Prizrenit, Zgjim Berisha aderon në Vetëvendosje

Kirurgu i Spitalit Regjional të Prizrenit, Dr. Zgjim Berisha ka aderuar në Lëvizjen Vetëvendosje në Prizren. “Qendra e Lëvizjes Vetëvendosje në Prizren çdo ditë e...

Zyrtare: Roma konfirmon se De Rossi do të vazhdojë si trajner në 2024-25

Dan dhe Ryan Friedkin njoftojnë se Daniele de Rossi do të qëndrojë në krye të Roma-s në sezonin 2024-25. Pronarët e Roma-s, Dan dhe Ryan...

Lajmet e Fundit