“Born in the ‘90s: Explore the past, create the future” (I lindur në vitet ’90: Eksploroje te kaluarën, krijo të ardhmen) ishte konkursi i cili u shpall në fillim të muajit qershor, në Shqipëri, e që pas shqyrtimit të shumë aplikimeve kurorëzoi me sukses dhjetë fitues në kategoritë: Ese dhe letërsi, multimedia dhe arte figurative.
Konkursi u iniciua nga Instituti për Demokraci, Media dhe Kulturë (IDMC) me mbështetjen e Ambasadës Gjermane dhe Ministrisë së Mirëqenies Sociale dhe Rinisë.
Jonila Godole, drejtore e IDMC, u shpreh se konkursi e arriti qëllimin e tij duke nxitur mbi 200 të rinj shqiptarë, të lindur në vitet 1990, të reflektonin mbi të shkuarën komuniste, këtë temë të vështirë dhe pak të trajtuar në shoqërinë shqiptare, përmes mjeteve kreative.
Konkursi ngjalli në kaq pak kohë shumë interes jo vetëm tek të rinjtë që jetojnë në Shqipëri, por edhe tek ata që sot jetojnë dhe studiojnë në Gjermani, SHBA, Turqi etj.
Çmimi special u fitua nga Esmerina Zalli me esenë e quajtur “Pa titull…”. Në kategorinë ese dhe letërsi u dhanë tre çmime, vendi i parë u fitua nga Diana Marku me esenë “Toka ka një zot?!”, i dyti u fitua nga Florian Lekaj me tregimin “Më prit, po vij…” kurse vendi i tretë i takoi Mimoza Habilajt me esenë në gjuhën angleze “To know the future you must look at the past and live the present.”
Në kategorinë e arteve figurative gjithashtu u shpërndanë tre çmime, vendi i parë u fitua nga Francesko Dinaj me punimin “Postmodernizmi”, vendi i dytë i takoi Elvis Mehmetit me punimin “Metamorphosis” kurse vendi i tretë Suela Qemallit me punimin “Komunizmi si unë e njoh!”.
Në kategorinë e multimedias fitues të tre çmimeve ishin Ermelinda Lupi me “Kontrast”, vendin e dytë e fitoi Klaidi Marku me “The screen” kurse vendin e tretë Xhesika Ramaj me “Titull multimedial”.
Aktiviteti u përshëndet dhe ambasadori gjerman, Hellmut Hoffman, i cili theksoi rëndësinë dhe domosdoshmërinë e projekteve të tilla në Shqipëri.