18.8 C
Prizren
E premte, 17 Maj, 2024

Shtatë dekada bibliotekë

Shtate dekada bibliotekeBiblioteka Kombëtare e Kosovës “Pjetër Bogdani” dje (e martë) ka shënuar 70-vjetorin e themelimit. Në këtë ditë kremte, përveç marrjes pjesë të drejtoreshës së Bibliotekës Kombëtare të Shqipërisë, Persida Asllani, të ambasadorit të Çekisë e të Sllovenisë, përfaqësuesit të Ambasadës Amerikane në Prishtinë, Xhefri Xhejmisën, sekretarit të përgjithshëm të Ministrisë së Kulturës, Veron Firzi, të veprimtarit të çështjes kombëtare shqiptare, Adem Demaçi, ishin edhe shumë miq të bibliotekës, dashamirë të librit, krijues, punëtorë, profesorë universitarë, drejtorëve të institucioneve e studentë. Fjalë rasti rreth themelimit dhe zhvillimit të kësaj biblioteke kanë lexuar: Bedri Zyberaj, drejtor i BKK-së, Sali Bashota, kryetar i këshillit drejtues të BKK-së, Veton Firzi, sekretar i përgjithshëm i MKRS-së, fjalimet e të cilëve gazeta i boton të plotë.

Në këtë vit jubilar ky institucion ka nderuar me mirënjohje bacë Adem Demaçin, “për kontributin e jashtëzakonshëm në afirmimin e çështjes shqiptare dhe qëndrimin vetëmohues ndaj saj”; Ukshin Hotin “për kontributin e veçantë në historinë e mendimit politik shqiptar” e Rexhep Qosjen “për kontributin e veçantë dhënë në fushën e studimeve albanologjike dhe për meritat e jashtëzakonshme për afirmimin dhe mbrojtjen e kulturës e të çështjes shqiptare”.

Mirënjohje kanë marrë edhe dy institucione të Qeverisë së Republikës së Kosovës, Ministria e Kulturës dhe ajo e Arsimit.

Po me mirënjohje, “për ndihmën e vazhdueshme e të gjithanshme dhënë Bibliotekës Kombëtare të Kosovës “Pjetër Bogdani”, BKK-ja ka nderuar edhe Ambasadën Amerikane në Prishtinë. Mirënjohje BKK-ja i ka dhënë edhe Bibliotekës Kombëtare të Shqipërisë “për kontributin profesional dhe angazhim të frytshëm për forcimin e bashkëpunimit kulturor e shkencor mes Bibliotekës Kombëtare të Shqipërisë dhe Bibliotekës Kombëtare të Kosovës”.

Gjithashtu, në këtë 70-vjetor, “për kontributin profesional bibliotekar, për bashkëpunimin e frytshëm për realizimin e veprimtarive të përbashkëta e për forcimin e mëtutjeshëm të bashkëpunimit kulturor e shkencor mes BKSh-së e BKK-së”, BKK-ja ka nderuar me mirënjohje Etleva Domin, të bijën e studiuesit të zellshëm të gjuhës shqipe, Mahir Domi.

Me mirënjohje është nderuar edhe ish-drejtori i BKK-së, profesor Sali Bashota, i cili për një dekadë të punës sa ishte drejtor i saj, është thënë të ketë “dhënë kontribut të pandalshëm për kohë të gjatë, për shtrirjen e miqësisë mes bibliotekave kombëtare e për zhvillimin e pasurimin e fondeve të Bibliotekës Kombëtare të Kosovës ‘Pjetër Bogdani’.

Mirënjohje i është dhënë edhe Shoqatës së Miqësisë Kosovë – Rumani si “Dora d’Istria”, me motivacionin “për donacionin e çmuar me koleksione të Rilindjes Kombëtare Shqiptare dhuruar BKK-së”.

Biblioteka Kombëtare e Kosovës, si në çdo ditëlindje të saj, ka dhënë mirënjohje edhe për punonjësin e dalluar. Këtë vit mirënjohje i është dhënë zonjës Zize Kraja, me motivacion “për punën e palodhshme e kujdesin e jashtëzakonshëm për ruajtjen e fondeve të Bibliotekës Kombëtare të Kosovës ‘Pjetër Bogdani”’. Edhe Ajshe Sylejmanit, punonjëse e këtij institucioni, e cila dje (e martë) ka pasur ditën e fundit në punë në këtë institucion, pasi sot (e mërkurë) mbush 65-të vjet, është nderuar me mirënjohje nga BKK-ja.

Ndërkaq, “mirënjohje postmortum” BKK-ja u ka dhënë ish-punonjësve shumëvjeçar të saj: Sanije Dajçit, Jetish Kadishanit dhe Tefik Abdylit, të cilët, ende pa dalë në pension, kanë ndërruar jetë.

Në këtë ditë, për nder të 70-vjetorit të këtij institucioni, është hapur edhe “Ekspozita e koleksioneve të Rilindjes Kombëtare Shqiptare”, në të cilën janë paraqitur 70 libra të vjetër dhe të rrallë të kësaj periudhe. /Epoka e re/

Më Shumë

Moti sot me diell dhe vranësira

Për të dielën parashikohet të mbajë mot me diell dhe vranësira, ku pritet kryesisht orëve të pasdites dhe mbrëmjes të ketë kohë pas kohe...

Ish- kandidati për kryetar të Suharekës nga PDK-ja aderon te Nisma

Kryetari i Nisma Socialdemokrate, Fatmir Limaj, ka prezantuar aderimin më të ri në parti, doktor Murtez Zekolli. Në një konferencë për media të mërkurën, Limaj...

Lajmet e Fundit