11.8 C
Prizren
E enjte, 25 Prill, 2024

Shtatori mund të nis me greva në arsim

Kryetari i Sindikatës së Arsimit, Rrahman Jasharaj, ka paralajmëruar se me datë 1 shtator i gjithë sistemi arsimor do të jetë  në grevë nëse deri atëherë qeveria nuk reflekton karshi kërkesave të tyre.

Ndërkaq, drejtues të Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovës bënë të ditur se me 10 gusht do të mbajnë një mbledhje të jashtëzakonshme me Kryesinë e BSPK-së për të vendosur për hapat e ardhëm sindikalë. Ndërkohë, Qeveria ka  thënë se Projektligji për Paga është në fazën finale.

 

Pas vonesës së Projektligjit për Paga dhe mos përmbushjes së kërkesave për ndarjen e 100 eurove shtese për të gjithë të punësuarit në sektorin privat, Sindikata e Arsimit ka paralajmëruar grevë në tërë sistemin arsimor nga data 1 shtator. Ketë e bëri të ditur për Radio Kosovën  kryetari i kësaj sindikatë, Rrahman Jasharaj, i cili tha se deri me tani po mungon dialogu me qeverinë.

“Ne do të fillojmë me grevë para se të fillojë viti shkollor, pra me 24 gusht, kur mësimdhënësit do të jenë në shkolla. Ata nuk do ta kryejnë asnjë detyrë që e kanë obligim. Grevën do ta fillojmë një javë para se të fillojë mësimi e me shpresë se kjo do të ndikojë te qeveria që të ulet dhe të bisedojë për kërkesat tona 100 euro shtesë në paga që të dimë për ligjin e pagave dhe të marrim pjesë aktive në përgatitjen e tij”, thotë kreu i SBASHK-ut, Rrahman Jasharaj.

Po ashtu,  edhe kryetari i Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovës, Atdhe Hykolli, i tha Radio Kosovës se  me 10 gusht do të mbahet një mbledhje e jashtëzakonshme e kryesisë së BSPK-së, ku pritet të marrin vendim për hapat e mëtutjeshëm sindikalë e që nuk përjashtohet edhe greva.

“Ligji i Pagave është shumë i rëndësishëm për të gjithë të punësuarit në vend. Ne dje e kemi mbajtur takimin e radhës me Bashkimin e Sindikatave të Pavarura të Kosovës dhe jemi duke e pritur reagimin e kësaj anëtarësie e i cili reagim nuk është i mirë. Në se shpejti do të dalim me qëndrimet tona për  hapat e ardhshëm sindikalë”, deklaron Hykolli.

Ndërkohë, zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Përparim Kryeziu, në një përgjigje për Radio Kosovën ka bërë të ditur se projektligji gjendet në fazën përmbyllëse nga ana e ekzekutivit.

“Prioritizimi i qëllimit tonë që të kemi një projektligj të mirë para se të kemi një projektligj të shpejtë, ka bërë që shqyrtimi i tij të bëhet në mënyrë më të kujdesshme. Megjithatë, projektligji gjendet në fazën përmbyllëse nga ana e ekzekutivit, për të ndjekur pastaj rrjedhën e rregullt të konsultimeve publike, miratimit në Qeveri dhe procedimit në Kuvend”, ka thënë Kryeziu.

Për shkak të mos miratimit të Ligjit për Paga deri më tani, partitë opozitare në vazhdimësi kanë kritikuar qeverinë. Ndërkohë, gjatë kësaj jave pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit, shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri, paralajmëroi se do të thërrasin interpelancë për shkak të vonesës për miratimin e Projektligjit për Paga.

Më Shumë

Malishevë: Arrestohet një person për sulm seksual

Një person është arrestuar nga policia në Malishevë. Ai dyshohet se e ka sulmuar seksualisht një femër. Rasti është raportuar të mërkuren, më 17 prill rreth...

Koha për spektakël në gjysmëfinale

Në fundjavë fillojnë ndeshjet gjysmëfinale të “Play-off”-it në Prince Caffe Superligë, ku pritet një spektakël i basketbollit. Në gjysmëfinale do të ndeshen katër skuadrat që...

Lajmet e Fundit