Emisionin “Drejtësia në Kosovë”, kësaj radhe transmeton hulumtimin që tregon për dështimin e institucioneve të vendit që të garantojnë bazë ligjore të mirëfilltë që do mundësonte barazi në çështjet e trashëgimisë.
Siç tregon hulumtimi, plotësim-ndryshimi i Ligjit për Trashëgiminë ka mbetur me disa nene të vjetra të cilat u kanë shkaktuar shumë probleme qytetarëve të vendit.
Rasti më i njohur, ai i Shyhrete Berishës nga Suhareka, të cilës gjatë luftë i janë vrarë burri dhe fëmijët, nuk do gjejë zgjidhje as me ligjin e ri, pasi neni 13 i ligjit nuk është draftuar fare.
Poashtu emisioni i sontëm ju sjell edhe deklaratat e atyre që në vazhdimësi e kanë ngritur zërin se ligji për trashëgiminë duhet ndryshuar, pasi që ligji aktual pamundëson barazi në mes të grave dhe burrave në trashëgim.
Në intervistën e tij dhënë për emisionin “Drejtësia në Kosovë, Labinot Leposhtica, koordinator i Zyrës Ligjore të BIRN dhe Internews Kosova, ka folur për detajet se çka u ndryshua, e çka jo në draftin e ri të Ligjit për Trashëgiminë.
Poashtu vet zëvendësministri i Drejtësisë Naim Qelaj, i cili kishte përfaqësuar në procedurat gjyqësorë Shyhrete Berishën, ka treguar se nuk i di arsyet se pse nuk është draftuar neni 13 i ligjit.
Poashtu do mund t`i ndiqni edhe rrëfimet e grave të cilat aktualisht janë duke u ballafaquar me procedura gjyqësore për të realizuar të drejtat e tyre në ndarjen e pasurisë së fituar gjatë jetës bashkëshortore.
Në fund të emisionit do mund të ndiqni rubrikën e rregullt “Policia” me pamje ekskluzive nga aksionet e policisë në luftën kundër krimit.
“Drejtësia në Kosovë” transmetohet çdo të premte në ora 22:20 në RTK dhe repriza të hënën në mesditë.