Tashmë është e njohur përkrahja e gjerë që ka gjetur në opinionin shoqëror premtimi i z. Edi Rama, se qeveria e tij e re, që pritet të marrë detyrën këto ditë, do të fillojë të kujdeset menjëherë për gjuhën shqipe dhe zbatimin normës letrare në veprimtarinë e shtetit, shkruan “Shqiptarja. Ky hap i parë ngjall shpresë dhe besim veçanërisht te studiuesit dhe mësuesit e gjuhës shqipe, se në këtë shekull të dytë të jetës së shtetit shqiptar gjuha letrare shqipe dhe disiplina gjuhësore e shtetit, siç e ka quajtur në kohën e vet prof. Kostaq Cipoja, do të kenë përfundimisht vlerësimin e duhur në politikën kulturore-arsimore dhe në funksionimin e institucioneve të administratës.
Me gjuhën shqipe në dhjetëvjeçarët e fundit ka ndodhur në njëfarë kuptimi ashtu si me territorin, me mjedisin dhe me ndërtimet, d.m.th. zhvillimi, hapat përpara, janë shoqëruar me anarki e ndotje dhe ndërtime jashtë rregullave. Ndonjëherë çështja është politizuar skajshëm e pa nevojë, siç qe rasti i fushatës kundër ish-Presidentit Bamir Topi, i cili si kryetar i shtetit, tërhoqi me të drejtë vëmendjen se sjellja gjuhësore në ushtrimin e detyrave të shtetit nuk mund të jetë si në rrethin familjar.
Pa u ndalur në historinë e qëndrimeve të shtetit shqiptar ndaj gjuhës shqipe dhe të akteve përkatëse, mund të thuhet se kërkesat për kulturë gjuhësore nuk kanë mundur të formojnë traditë të qëndrueshme te ne. Në kohën kur nuk kishte hyrë ende në përdorim kompjuteri me programet e tij gjuhësore, më ka qëlluar të shoh në RF të Gjermanisë se çdo nëpunës mbante mbi tryezë një Duden (Fjalori drejtshkrimor i gjermanishtes).
Kur pyeta për këtë dukuri, më shpjeguan se nëpunësit në të gjitha nivelet mbanin përgjegjësi për gabimet në shkresat që formulonin dhe mund të humbnin vendin e punës për këtë. Pra çështja nuk është vetëm për administratën qendrore, por për gjithë veprimtarinë shkresore të shtetit. Përveç kësaj është fjala edhe për atë që mund ta quajmë “higjienë gjuhësore” e vendit, d.m.th. gjithçka që shkruhet, sidomos me shkronja të mëdha në vende të dukshme e publike.
Sot programet gjuhësore (ndër to edhe tastiera për gjuhën shqipe) që ka ndërtuar Qendra për Edukim dhe Përparim (Prishtinë) me bashkëpunëtorët e saj në Kosovë e në Shqipëri dhe që gjenden në faqen e saj në internet (ëëë.gjuhashqipe.com), janë një lehtësi shumë e madhe për të shmangur jo vetëm gabimet nga mosnjohja e rregullave, por edhe gabimet e ndryshme teknike në shkrim. Për fat të keq puna e kësaj qendre nuk ka gjetur mirëkuptimin dhe vlerësimin e pritshëm nga administrata e deritanishme e Shqipërisë; në shumicën e zyrave të shtetit dhe të shkollave as që e dinë se ekzistojnë këto programe.
Të metat gjuhësore që shqetësojnë opinionin shoqëror, janë të shumta e të natyrave të ndryshme. Por ka disa që bien në sy më fort, si p.sh. dhunimi i alfabetit, duke mos përdorur shkronjat ë dhe ç, meqë nuk janë në tastierën e ndërtuar për anglishten dhe që mbetet ende më e përhapura. Por ky është një problem teknik shumë i thjeshtë për t’u zgjidhur. Veç kësaj, administrata e shtetit dhe shkollat mund të kalojnë shkallë-shkallë te tastiera për gjuhën shqipe.
Është e papranueshme që materiale të ndryshme të “Fletores zyrtare” ose vendime gjykatash e akte noteriale shtypen duke dhunuar alfabetin. Po ashtu edhe në universitetet e vendit shumë materiale shkresore janë të tilla. Madje edhe disertacione doktorate e punime për gradën master. Kjo praktikë duhet të shpallet administrativisht e papranueshme.
Shqetësim sjell edhe përdorimi i tepruar i fjalëve të huaja, aq më tepër burokratizimi i gjuhës që arrin në formulime të tilla groteske në televizion, si “jemi kthyer te sofra shqiptare dhe do të procedojmë me gjelin e detit”! ose “dëbora ka qenë më e pozicionuar në zonat e Jugut”!
Një problem tjetër është terminologjia dhe emërtesat tekniko-shkencore e administrative. Një konferencë e posaçme iu kushtua terminologjisë në Takimin VIII vjetor (Tiranë, 29-31 gusht 2013) të Institutit Alb-Shkenca, një organizatë mbarëkombëtare e studiuesve shqiptarë “… të përbashkuar me një dëshirë dhe një qëllim”. U vendos që në takimet e ardhshme vjetore konferenca për terminologjinë të jetë e përhershme dhe të synojmë pastrimin e saj nga fjalët e huaja të panevojshme dhe rrafshimin hap pas hapi të dallimeve terminologjike ndërmjet Shqipërisë e Kosovës.
Në një konferencë të mëparshme (2009) për terminologjinë të organizuar nga dy Akademitë e Shkencave (Tiranë – Prishtinë) prof. E. Stavileci (jurist) u shpreh se shkalla e mosnjësimit të terminologjisë administrative ndërmjet Shqipërisë dhe Kosovës është aq e lartë, saqë “ndonjëherë arrin kuotën e moskuptimit dhe nevojën e sqarimit term për term për të kuptuar thelbin e problemit”. Por gjendja nuk ka lëvizur nga vendi.
Me shumë dashamirësi u prit njoftimi për një mbledhje të përbashkët të qeverisë së Shqipërisë dhe qeverisë së Kosovës në Prizren, në nëntorin e ardhshëm. Urojmë që kjo të jetë një praktikë periodike dhe të ketë ndikim të frytshëm edhe për vendosjen e një disipline gjuhësore të qëndrueshme e të përbashkët në të dyja anët e qafës së Morinit. Jo rastësisht e përmenda këtë emërtim. Në të gjitha tabelat e Rrugës së Kombit shkruhet gabimisht Morinë.
Në të vërtetë fshati Morinë – Morina i takon Tropojës, ndërsa fshati i Kukësit në kufirin Shqipëri – Kosovë quhet Morin – Morini. Ka jo pak tabela me emra vendesh të shkruar gabim. Edhe kjo është një dobësi e palejueshme e disiplinës gjuhësore të shtetit, sepse listat e emërtimeve të vendbanime përpilohen pa pjesëmarrjen e gjuhëtarëve e të gjeografëve.
Çelësi i përmirësimit të kulturës gjuhësore publike është natyrisht shkolla, mjeti kryesor me të cilin shteti kryen formimin e përgjithshëm të brezit të ri, ku përparësinë e ka mësimi i gjuhës amtare. Gjendja është aq e rëndë, saqë janë shprehur kërkesa për futjen e një kursi përgatitor të gjuhës shqipe në të gjitha fakultetet e universiteteve, sepse një pjesë e madhe e studentëve nuk janë në gjendje të bëjnë një detyrë me shkrim, nuk dinë të shprehen.
Ministria e Arsimit ka përpara një detyrë komplekse, që duhet ta përballojë me përgjegjësi të lartë, duke dalë në vendin e parë të punës për ngritjen e kulturës gjuhësore të shtetit e të vendit. Krahas institucioneve të tjera në varësi të shtetit, edhe Instituti Alb-Shkenca, i udhëhequr nga motoja “… dhe drita e diturisë përpara do të na shpjerë!”, do të jetë i gatshëm të bashkëpunojë si një partner i cilësuar që kultura gjuhësore e ngritur të bëhet tipar dallues i përgjithshëm edhe në shoqërinë shqiptare.