14.8 C
Prizren
E hënë, 26 Shtator, 2022

Shtohet numri i Invalidëve të Luftës në Prizren

Kryetari i Shoqatës së Invalidëve të Luftës së UÇKsë në Prizren, Burim Shala, njoftoi se tashmë komisioni konzular në Spitalin Rajonal të Prizrenit ka filluar me kërkesa me një trajtim mjekësor për 110 invalidë të luftës të rinj, që janë nga komuna e Prizrenit, Rahovecit, Malishevës, Therandës.

Vitin e kaluar 47 invalidë të luftës kanë bërë kërkesë, për trajtime mjekësore.

“Deri në përfundim të vitit që shkoi për të gjithë këta i kemi ndihmuar në forma të ndryshme, edhe materialisht”, është shprehur Shala. Ai për gazetën “Kosova Sot” tregon se ata janë njerëz që duhet të respektohen më shumë, sepse ishte gjaku i tyre dhe gjymtyrët e tyre që sollën këtë liri. “Politika duhet në përgjithësi të tregohet më agile ndaj kësaj kategorie. Ngase, ata në krah të këtyre po ngritën, po marrin grada e po marrin poste politike”, është shprehur ai . Shton se janë mundur të ndihmojnë këto raste. Me këtë rast, Shala ka përmendur edhe rastin e një invalidi të luftës, që e kanë dërguar në Turqi për shërim. Pastaj tregon se kanë pasur raste të intervenimeve edhe për fëmijët e këtyre familjeve.

U mundësuan disa operime

Kryetari i SHIL-it, Burim Shala tregon dhe për veprimet komunale, pasi ata i kanë dhënë në dispozicion një parking. “Parkingu në fjalë tani e sa kohë po e ndihmon Shoqatën”. Ai tha se falë atij parkingu edhe po organizojnë ndonjë dhuratë në përfundim të vitit për veteranët. Shoqata ka gjithsej 174 anëtarë, që janë edhe 34 invalidë të rinj, ku u janë dhuruar nga një notes bashkë me kalendar. Shala thotë se fëmijëve të këtyre familjeve u kanë dhuruar edhe nga një dhuratë për festë. “Ajo që na ka gëzuar ishte edhe mundësia që u kemi mundësuar nga shërimi deri në operime. Kjo na ka bërë të ndihemi mirë, kur po arrijmë të ndihmojmë këta njerëz”, është shprehur Shala. Ai tregon se tashmë njëri ndër synimet për vitin 2018, është që të fillojë punësimi i invalidëve të luftës. Sipas ligjeve në fuqi duhet që çdo i 50 -ti invalid i luftës të punësohet.

“Kësaj tashmë po i besojmë dhe kemi pasur disa takime zyrtare dhe nga këto takime kemi mësuar se do të mundohemi që të zbatojmë deri në fund ligjet në fuqi, sepse ligji ekzistues lejon punësimin dhe po kështu me këtë formë bëhet edhe integrimi. Prandaj, gjatë tërë vitit 2018 do të mbetet synim për punësimi sa më shumë të këtyre personave dhe të bëhet integrimi i tyre në shoqëri. Besoj se duhet të vetëdijësohen të gjithë se kategoria e invalidëve të luftës duhet të jetë pjesë e përbashkët e të gjithë shoqërisë, e jo vetëm e kësaj Shoqate”, është shprehur Shala.

Shpresë te klasifikimi

Shoqata e Invalidëve këtë vit mendon se ligji i miratuar do të ndihmojë edhe kategorinë e invalidëve për të zënë një vend pune. Agim Berisha, një veteran, i cili mendon se i takon invaliditeti i shkallës së dytë, beson se tani do të mund ta fitojë punësimin.” Njësojë si unë ka edhe invalidë të tjerë, të cilët po shpresoj se do të klasifikohen ashtu siç edhe duhet”, është shprehur ai. Kurse zëdhënësi i Spitalit Rajonal në Prizren, Shefajet Berisha tregon se është vullneti i drejtorit të këtij spitali dr. Afrim Avdaj, që është edhe ekspert i mjekësisë, të punojë në këtë komision konzular. |Ata këtë punë po e bëjnë me përkushtim të madh dhe të palodhur. Ne shpresojmë se profesionalizmi i këtij komisioni do të bëjë të pamundurën që askujt të mos u hahet haku. Por, askujt t’i falet një shkalë invaliditeti. Kjo tregon se ngadalë, por sigurt çdo gjë po bie në vendin e vet”, është shprehur ai.

(Kosova Sot)

Më Shumë

Lajmet e Fundit