Rigjykimi ndaj ish-drejtorit të Arsimit në Prizren, Nexhat Çoçaj dhe Bekim Thaqit e Bedri Çekut, të cilët akuzohen për keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar, është shtyrë sipas kërkesës së avokatit, Bashkim Nevzati.
Seanca ishte paraparë të mbahej të martën, në Gjykatën Themelore në Prizren, por mbrojtësi i të akuzuarit, Nexhat Çoçaj, avokati Bashkim Nevzati, me shkresë të veçantë i është drejtuar gjykatës, me të cilën ka kërkuar që kjo seancë të shtyhet, sepse është i angazhuar në një rast tjetër penal.
Kryetarja e trupit gjykues, Ajser Skenderi, ka thënë se këtë seancë e ka shtyrë për 29 nëntor 2017, në ora 09:30 dhe se ka njoftuar paraprakisht palët në procedurë për një ndryshim të tillë.
Në dhjetor të vitit 2014, Prokuroria Themelore në Prizren, ka ngritur aktakuzë ndaj Nexhat Çoçajt, Bekim Thaqit dhe Bedri Çekut, të cilët i akuzon se duke qenë drejtorë të manifestimit kulturor “Remzi Ademaj”, kanë keqpërdorur mjetet e ndara për këtë manifestim.
Sipas aktakuzës, të akuzuarit në fjalë, me qëllim të përfitimit për vete apo tjetrin, secili në vitin përkatës brenda periudhës 2008-2012, kanë përdorur mjetet e derdhura në xhirollogarinë personale të secilit, për të blerë gjëra, me të cilat veprime i kanë shkaktuar dëm buxhetit të Komunës së Prizrenit.
Nexhat Çoçaj, po ashtu akuzohet se duke qenë kryetar i këshillit organizativ, ka bërë furnizime nga firma “Bogdani’ pronar i së cilës është vet ai dhe ka tërhequr para nga xhirollogaria e tij, pa iu ditur destinacioni, duke e tejkaluar buxhetin e lejuar në shumën prej mbi 4000 eurosh, pa vendim përkatës të komunës.
Për këto akuza, në qershor 2016, Çoçaj është dënuar me tre vjet burgim efektiv, Thaqi është dënuar me një vit e dy muaj burgim, ndërsa Çeku është dënuar me gjashtë muaj burgim.
Më 27 shtator 2016, Apeli, ka aprovuar ankesat e mbrojtësve të të akuzuarve dhe ka kthyer lëndën në shkallën e parë për ri-vendosje. Sipas Apelit, për tejkalimet e buxhetit duhet të sqarohet nëse janë përgjegjës të akuzuarit në fjalë apo zyrtarët komunalë që i kanë lëshuar mjetet.
Apeli gjithashtu ka kërkuar që të përcaktohet se sa është tejkalimi i buxhetit, a është shkaktuar dëm, kujt i është shkaktuar dhe kush është përgjegjës, sepse nëse mjetet shtesë janë lejuar atëherë përgjegjësia është te zyrtarët komunalë.
Në aktvendimin e Apelit, tutje thuhet se i akuzuari Nexhat Çoçaj, ka prezantuar një ekspertizë financiare, e cila i kundërshton gjetjet e ekspertizës së organit të akuzës, andaj duhet që të bëhet një super-ekspertizë që të sqarohen kundërthëniet.
Trupi gjykues, duke u bazuar në rekomandimet e Apelit, në shkurt të këtij viti, ka marrë vendim që në këtë lëndë të bëhet super-ekspertiza financiare dhe lënda është dërguar në Fakultetin Ekonomik të Universitetit Publik të Prishtinës./betimiperdrejtesi/