18.8 C
Prizren
E shtunë, 27 Korrik, 2024

Shuhet studiuesi Mentor Quku

Mentor QukuËshtë shuar dje në orët e para të mëngjesit në qytetin e Shkodrës, studiuesi i njohur Mentor Quku. Profesori u nda nga jeta në moshën 75-vjeçare në shtëpinë e tij, pasi vuajti për një kohë të gjatë nga një sëmundje e rëndë. Ai njihet si mjedolog, për shkak se ia ka kushtuar gjithë jetën e tij studimit të veprës së poetit Ndre Mjeda. Pasi punoi për më shumë se 30 vjet në këtë lami, ai pat botuar një kolanë studimore shumëvëllimëshe. Për të dokumentuar jetën e veprën e Mjedës, ai ka shfrytëzuar arkivat e të gjitha vendeve ku Mjeda ka studiuar e punuar, ose që kanë ruajtur dokumentacion për Mjedën, si psh. Arkivi i Propaganda Fides, Arkivi i Jezuitëve Romë, fondi Peters Mahringer-Fonds (Austri), arkivat, bibliotekat dhe muzeumet e Vjenës, si edhe arkiva e biblioteka të shumta në Gjermani, Francë, Poloni, Danimarkë, Spanjë, apo kuvendet françeskane e jezuite të Bosnjës e të Kroacisë. Ka nxjerrë në dritë vepra, studime, si edhe letra të priftit, shkruar në kohë e vende të ndryshme, letra që kanë hedhur dritë mbi jetën dhe punën e tij. Quku ka qenë autor i shumë artikujve dhe studimeve në fusha të ndryshme të dijes, si metodikë e mësimdhënies, pedagogji familjare, pedagogji shkollore, pedagogji sportive, tekstologji, psikologji e arteve figurative, psikologji sportive, psikologji moshore, histori, histori arti, letërsi biografike, letërsi për fëmijë, letërsi politike, histori e letërsisë për fëmijë, mitologji, folklor, frazeologji, toponomastikë. Ai ka marrë pjesë në shumë konferenca kombëtare e ndërkombëtare, ku kontributi i tij ka qenë gjithmonë i mirëpritur.
Kolana

Botimin e plotë të kolanës studimore “Mjeda”, autori Mentor Quku e përfundoi më 2013, me rastin e kremtimeve të 100-vjetorit të Pavarësisë. Kjo kolanë, e botuar nga Shtëpia Botuese “Ilar” në vitet 2004-2013, paraqitet me nëntë vëllime. Mjedisi intelektual i qytetit të Shkodrës, si edhe mbarë komuniteti i studiuesve të letërsisë shqipe, e kanë vlerësuar dhe e çmojnë në mënyrë të veçantë kontributin e Mentor Qukut, puna e të cilit tashmë shërben si referencë e pazëvendësueshme për studimet shqiptare, e në veçanti për studimet mbi Ndre Mjedën dhe mbi veprën e tij. Këtë e dëshmon, së fundi, edhe botimi i numrit të parë të revistës studimore

“Mjedologji”, e cila përmban njëzet punime mbi Ndre Mjedën nga studiues të konfirmuar të të gjitha trojeve shqiptare dhe i kushtohet mjedologut Mentor Quku. Për kontributin e tij, Z. Mentor Quku është vlerësuar me medaljen “Mësues i Merituar” (1991) dhe “Mirënjohje e qytetit të Shkodrës” (2011). I lindur në Bilisht të Korçës më 20 janar 1939, ai qe arsimuar në Shkollën Pedagogjike “Shejnaze Juka” në Shkodër (1951-1954), kurse studimet e larta i kreu në Institutin e Lartë Pedagogjik në Tiranë (1955-1957) dhe pastaj në Universitetin e Tiranës (1960-1963). Si drejtor i Muzeut Historik Shkodër (1992-2000), ai ka organizuar, drejtuar dhe botuar, gjashtë seminare ndërkombëtare me titull “Shkodran në shekuj”, si dhe ka drejtuar revistën “Kumtari”.

Më Shumë

Zjarr në Suharekë, digjet një sipërfaqe prej rreth 10 hektarësh

Si pasojë e një zjarri që ka shpërthyer për shkaqe ende të panjohura është djegur një sipërfaqe prej rreth 10 hektarë me pemishte, vreshta...

Spanja triumfon në FIBA 3×3 Women’s Series

Spanja është triumfuese e FIBA 3x3 Women’s Series, që u zhvillua në Prishtinë më 18/19 korrik. Në këtë event morën pjesë tetë shtete, ndër to...

Lajmet e Fundit