Shuhet zjarri që kaploi ndërtesën banesore në Rahovec
Sonte në Rahovec është kapluar nga zjarri një objekt banesor, për çka është dashur të kërkohet ndihma e ekipeve shtesë të zjarrfikësve.
Drejtori për mbrojtje dhe shpëtim në këtë komunë, Hasan Përboqi, u shpreh se fatmirësisht zjarri ka prekur vetëm katin e katërt të kësaj ndërtese dhe nuk ka dëme në njerëz.
“Shkaqet e këtij zjarri nuk dihen ende. Fatmirësisht kemi dëme materiale dhe jo në njerëz”.
“Zjarri tashmë është shuar krejtësisht dhe po kontrollohet nëse ka edhe ndonjë shkëndijë të mbetur. Nuk e dimë saktë numrin e familjeve që jetojnë këtu. Njësia e zjarrfikësve është mobilizuar me 17 zjarrfikës, por kjo nuk ka mjaftuar dhe kemi kërkuar ndihmën e njësisë së zjarrfikësve nga Gjakova dhe Prizreni dhe tani janë mbi 30 zjarrfikës”.
Ndërkaq, komandanti i njësitit të zjarrfikësve të Komunës së Gjakovës, Xhafer Gashi, u shpreh se bashkërisht me të gjithë kolegët kanë arritur që ta shuajnë zjarrin dhe të kenë sukses gjatë këtij operacioni.
“Me të marr lajmin, menjëherë e kemi mobilizuar një ekip dhe menjëherë e kemi filluar aksionin me kolegët nga Rahoveci dhe për momentin zjarri është lokalizuar dhe është nën kontroll, ndërsa dëmet duhet të vlerësohen nga Kuvendi Komunal”.
“Bashkërisht ia kemi dalë dhe kemi pasur sukses, duke e pasur parasysh që ky objekt ka qenë i banueshëm dhe fatmirësisht të gjithë banorët kanë dalë pa pasoja dhe pa lëndime”.
Një ndërtesë në Rahovec përfshihet nga zjarri (Video)
Një objekt është përfshirë nga zjarri në qytetin e Rahovecit.
Saktësisht objekti ndodhet në rrugën “Sylejman Vokshi”. Banorët kanë thënë për Klan Kosova se kanë arrit që të dalin nga kati i dytë pa u lënduar.
Ata besojnë se shkaktar i shpërthimit të zjarrit është rryma.
Në vendin e ngjarjes ka dalë edhe kryetari i Komunës së Rahovecit, Smajl Latifi, si dhe policia me zjarrfikësit që janë duke u munduar të shuajnë flakët.
Asistencë e zjarrfikësve është ofruar edhe nga Prizreni dhe Gjakova.