10.8 C
Prizren
E enjte, 18 Prill, 2024

Shyqyri Syla tërheq kandidaturën për kryeprokuror

prokuroria e shtetitNjëri nga kandidatët për kryeprokuror të Kosovës, Shyqri Syla ka njoftuar se tërheq kandidaturën për këtë post. Në letrën drejtuar Këshillit Prokurorial të Kosovës dhe kryetarit të tij, z. Sylë Hoxha, ai shfaq mospajtimet me procedurat dhe manipulimet rreth zgjedhjes së personit për këtë post.

Po e botojmë të plotë letrën e tij.

I nderuar Kryetar i Këshillit z. Hoxha,
Të nderuar anëtarë të Këshillit Prokurorial,
Më lejoni përmes kësaj shkrese të informoj Këshillin Prokurorial të Kosovës, se tërheq kandidaturën time për pozitën e kryeprokurorit të Shtetit, për arsyet e më poshtme:

• Degradimin e procesit të përzgjedhjes së kandidatit për Kryeprokuror të Shtetit;

Që nga marrja e Aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese lidhur me ankesat e kandidatëve në kuadër të procesit të mëparshëm për Kryeprokuror të Shtetit, Këshilli Prokurorial i Kosovës ka qenë subjekt i sulmeve qoftë nga mediat apo shoqëria civile lidhur me plotësim ndryshimin e rregullores, shpalljen e konkursit, dhe procedurave tjera lidhur me këtë proces.

Niveli i diskutimit në takime të KPK-së ka degraduar deri në atë masë, saqë në takimet kur diskutohet për procesin për Kryeprokuror të Shtetit kemi akuza dhe kundërakuza në mes të anëtarëve të KPK-së që konteston profesionalizmin, integritetin dhe ofron siguri minimale se do të kemi një proces të bazuar në meritë dhe qasje të barabartë për të gjithë kandidatët.
Për mua është shqetësuese niveli i debatit dhe kontestimi nga anëtarë të KPK-së, lidhur me këtë proces. Për më tepër edhe pse rregullorja për procesin e përzgjedhjes së Kryeprokurorit të Shtetit, e ndalon komunikimin jo zyrtar në mes të anëtarëve të KPK-së dhe kandidatëve për Kryeprokuror, gjatë diskutimit në takimin e fundit të KPK-së të mbajtur më datë 30 janar 2015, anëtarë të KPK-së e kanë pranuar publikisht se kanë komunikuar me kandidatë për Kryeprokuror, dhe atë përmes mesazheve telefonike, se kur fillon dhe kur mbaron afati për dorëzimin e koncept dokumentit. Kjo është kompetencë dhe përgjegjësi ekskluzive e KPK-së. Çdo komunikim apo ndikimi i kandidatëve për Kryeprokuror me anëtarë të KPK-së është shkelje e Kodit të Etikës dhe Sjelljes Profesionale si për kandidatin për Kryeprokuror ashtu edhe për anëtarin e KPK-së (Neni 22 i Rregullores). Kjo nënkupton se anëtarë të caktuar të KPK-së, duke shkelur rregulloren diskutojnë dhe komunikojnë me kandidatë të caktuar edhe pse kjo është e ndaluar me rregullore, dhe me këtë kontestohet etika dhe integriteti i anëtarëve të caktuar të KPK-së.
• Shkeljen e dispozitave të Rregullores për procesin e nominimit dhe propozimit për emërim të kandidatit për Kryeprokuror të Shtetit;

Këshilli Prokurorial i Kosovës më datë 30 janar 2015, ka shkelur dispozitën e Rregullores për procesin për Kryeprokuror të Shtetit, respektivisht nenin 13 pika 2.3. Ky nen përcakton se Kryeprokurori i Shtetit me shkrim kërkon njoftimet dhe verifikimet nga agjencitë dhe institucionet lidhur me dokumentet plotësuese për vlerësim të kandidatëve për KPSH.

Këshilli me Vendimin e marrë më datë 30 janar 2015, e shkelë këtë nen të rregullores, duke marrë autorizimet e përcaktuara për Kryeprokurorin e Shtetit. Përkundrazi ky Vendim është në kundërshtim të plotë me vetë rregulloren e hartuar dhe miratuar nga vetë KPK. Për më tepër nga diskutimet në këtë takim anëtarë të KPK-së kanë deklaruar se verifikimi asocion me informatë. Unë nuk dua të besoj që anëtarë të KPK-së miratojnë rregullore dhe nuk e kanë idenë se çka kanë miratuar. Është më shqetësuese fakti se kemi të bëjmë me një rregullore që do të përzgjedhë Kryeprokurorin e Shtetit dhe që për hartimin e saj janë dhënë udhëzime të qarta në Aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese.
Përmes kësaj ngutje të pakuptimtë unë fitoj përshtypjen se disa anëtarë të KPK-së janë të interesuar të bëjnë shkelje të procedurave të përcaktuara në rregullore me të vetmin qëllim që ky proces të përfundoj para skadimit të mandatit të tyre dhe në këtë mënyrë të vendosin kandidatin e tyre të preferuar ende pa filluar procesi i vlerësimit, intervistimit dhe votimit në KPK.

• Diskutimet lidhur me mandatin e anëtarëve të Këshillit Prokurorial të Kosovës;

Një temë diskutuese dhe e paqartë jo vetëm për Këshillin Prokurorial të Kosovës por edhe për sistemin e drejtësisë në Kosovë janë debatet e zhvilluara lidhur me mandatin e anëtarëve të KPK-së. Ky debat ka tejkaluar jo vetëm Këshillin, por ka qenë subjekt i diskutimit edhe nëpër gazeta të përditshme dhe portale. Edhe pse Këshilli është institucion i pavarur dhe kompetent në menaxhimin dhe administrimin e sistemit prokurorial, duke përfshirë vetë KPK-në, konsideroj se është bërë lëshim me rastin e administrimit të dy proceseve shumë të rëndësishme për të ardhmen e sistemit prokurorial:
1. Procesi i përzgjedhjes së Kryeprokurorit të Shtetit; dhe
2. Mandati i tre anëtarëve të KPK-së;
Besimi im si kandidat për Kryeprokuror të Shtetit tek KPK dhe anëtarët e saj, do të ishte sikur procesi për KPSH dhe mandatet e anëtarëve të KPK-së do të zhvilloheshin si dy procese të ndara dhe qe nuk do të pengonin apo ndikonin në njëra – tjetrën. Është shqetësuese për mua si kandidat dhe kontestoj integritetin dhe etikën e atyre anëtarëve të KPK-së të cilët për interesa personale sakrifikojnë të ardhmen e sistemit prokurorial të Kosovës. Gjithë energjia dhe kapacitetet e anëtarëve të kontestuar të KPK-së janë duke u fokusuar në zgjatjen e mandateve të tyre.

Në të gjitha deklarimet publike të Ushtruesit të Detyrës së Kryeprokurorit të Shtetit, z. Sylë Hoxha, ka garantuar sigurimin e një procesi të drejtë, transparent, me integritet, dhe të paanshëm. Fatkeqësisht kjo nuk është duke ndodhur, përkundrazi kemi devijim dhe shkelje të këtyre parimeve. U.D. kryeprokurori z. Hoxha ka lejuar anëtarë të caktuar të KPK-së, që parimet për të cilat ka dalë garant, të shkelen dhe të mos zbatohen në pajtim me dispozitat ligjore dhe kushtetuese në fuqi.

Për më tepër, vetë anëtarë të KPK-së kontestojnë caktimin e U.D. se Kryeprokurorit tëShtetit në këtë pozitë, duke përfshirë edhe në cilësinë e Kryetarit të KPK-së, edhe pse ligji për KPK përcakton se kjo kompetencë është ekskluzivisht e KPK-së.

• Mos respektimi i të gjeturave në Aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese lidhur me ecurinë e procesit të përzgjedhjes së Kryeprokurorit të Shtetit. (besimi i publikut në procesin e përzgjedhjes së Kryeprokurorit të Shtetit).

Aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese në mënyrë të qartë ka përcaktuar se procesi i kaluar ka dështuar për arsye të shkeljeve procedurale nga KPK. Për më tepër ky aktgjykim në mënyrë të qartë ka përcaktuar se procesi i përzgjedhjes së Kryeprokurorit të Shtetit duhet të përçojë dhe fitoj besimin e publikut.
Fatkeqësisht është evidente se KPK deri në këtë fazë ka bërë shkelje procedurale si e kam përmendur më lartë lidhur me shkeljen e dispozitave të rregullores dhe çështjen e mandateve të anëtarëve të kontestuar të KPK-së. Po ashtu, debatet në Këshill lidhur me procesin për KPSH, të cilat janë bërë publike qoftë përmes gazetave të përditshme, portaleve apo TV, kanë komprometuar rëndë procesin duke bërë që të humbë besueshmërinë e publikut për këtë proces, dhe çdo veprim i mëtutjeshëm i KPK-së e bënë të pamundur për tëri-fituar besimin e publikut dhe me këtë edhe dëmet janë të pariparueshme.

Nga e gjithë kjo, unë nuk mund të gjej arsye për të besuar se ky proces do të jetë i bazuar në parime dhe vlera, të cilat janë të garantuara me Kushtetutë, Ligj, dhe Rregulloren për procesin e emërimit të Kryeprokurorit të Shtetit, praktikat dhe standardet me të mira ndërkombëtare, për të cilat Kosova është e obliguar të i zbatoj, andaj tërheq kandidaturën time për pozitën e Kryeprokurorit të Shtetit.

Për më tepër, dinjiteti dhe integriteti im nuk më lejojnë që të jem dekor i një procesi të kompromentuar dhe pa besimin e publikut.

Më Shumë

Lirohen katër policët e ndaluar nga Serbia, jo edhe Jankoviq

Katër policët e Kosovës, të cilët janë ndaluar që nga dje nga autoritetet e Serbisë, janë liruar. Një gjë të tillë e bëri të...

Ish-gazetari Ramadan Baraliu aderon në Vetëvendosje

Ish-gazetari dhe politikologu, MSc. Ramadan Baraliut ka aderuar sot në Lëvizjen Vetëvendosje. Ai ëshvë mirëpritur nga kryetari i Qendrës së LVV-së në Prizren, Artan Abrashi...

Lajmet e Fundit