7.8 C
Prizren
E martë, 23 Prill, 2024

Si e kufizon Gjermania fluksin e refugjatëve nga Kosova?

emigrantet shqiptar ne gjermaniNumri i refugjatëve nga Kosova është rritur ndjeshëm. Tani në Gjermani po merren masa që nisin nga kontrollet e forta e deri tek nisma ligjore për klasifikimin e Kosovës si një “vend të sigurt origjine”.Sa shumë njerëz vijnë aktualisht nga Kosova në Gjermani?

Sipas Ministrisë Federale të Punëve të Brendshme, në gjashtë javë që nga fillimi i vitit, kanë ardhur 18.000 kosovarë në Gjermani. Për shkak të dyndjes masive ka qenë e mundur që vetëm një pjesë e tyre të aplikojnë për azil. Gjatë gjithë vitit të kaluar janë paraqitur vetëm rreth 7000 kërkesa për azil nga persona të ardhur nga Kosova.

Sipas vlerësimeve në mediat kosovare, çdo muaj largohen drejt Evropës Perëndimore rreth 20 mijë vetë nga vendi me 1.8 milionë banorë. Kosova nuk ofron asnjë perspektivë: Rreth një e treta e popullsisë jeton me më pak se 1.42 euro në ditë, deri në 60 për qind e të rinjve janë të papunë. Ambasada gjermane në Prishtinë e ka paralajmëruar qeverinë federale nga rreziku i një “eksodi masiv”.

Shumë qytete dhe qyteza në Gjermani janë aktualisht të mbingarkuara me problemin e akomodimit të refugjatëve, sepse vitin e kaluar numri i përgjithshëm i kërkesave për azil është rritur me 60 për qind, pra rreth 200 mijë persona. Ministrat e brendshëm nga partitë konservatore në lande kërkojnë që Kosova të klasifikohet si “vend i sigurt origjine”.

Ç’do të thotë saktësisht ky klasifikim?

Refugjatët që vijnë nga vende të sigurta origjine, mund të vazhdojnë të kenë të drejtën e aplikimit për azil, por këto kërkesa shqyrtohen individualisht për secilin rast, e procedurat e azilit janë dukshëm më të shkurtra dhe ata mund të kthehen lehë nga Gjermania pasi nuk ka argumente për të justifikuar aplikimin për azil. Përveç kësaj, një procedurë e tillë ka “efektin e një filtrimi”, thotë Bernd Mesovic nga Organizata humanitare “ProAsyl”.

Nëse kërkesa për azil refuzohet si “dukshëm e pabazuar”, është shumë e vështirë që pas kësaj të apelohet me sukses në gjykatat administrative. Madje edhe shumë avokatë pikërisht për këtë arsye nuk janë të gatshëm të pranojnë si klientë azilkërkuesit për t’i përfaqësuar gjatë këtyre procedurave.

Zyra Federale për Migracion dhe Refugjatë qysh tani vendos brenda dy javësh lidhur me aplikimet e kosovarëve. Shqyrtimi i kërkesave për azil nga të ardhurit prej Bosnje Hercegovinës, Maqedonisë dhe Serbisë bëhet me procedurë të përshpejtuar. Në tetorin e vitit të kaluar këto vende u klasifikuan si “vende të sigurta origjine”, ndaj qysh atëherë vërehet një rënie e ndjeshme e aplikimeve për azil nga këto vende.

Kosovarët nuk kanë as tani shanse realiste për të fituar të drejtën e azilit. Mbi 99 për qind e këtyre aplikimeve refuzohen. Prandaj, ata do të kthehen menjëherë, pasi të jetë shqyrtuar kërkesa e tyre direkt në vendpranimin fillestar në lande e komuna, ku janë vendosur ata pas mbërritjes në Gjermani.

Sa e mundshme është që të vendoset rregullorja e re?

Kjo është ende një çështje e hapur. Sipas të dhënave të Ministrisë së Brendshme Federale aktualisht nuk ka asnjë nismë ligjore për ta klasifikuar Kosovën si një vend të sigurt të origjinës. Bavaria synon ta paraqesë nismën përkatëse legjislative në Këshillin Federal (Bundesrat).

Ndërkohë që kjo nismë mbështetet nga landet e Saksonisë dhe Mecklenburg-Pomeranisë, ministrat e Brendshëm në landet e drejtuara prej socialdemokratëve janë të tërhequr lidhur me këtë çështje. Vitin e kaluar dështoi plani i Ministrisë Federale të Punëve të Brendshme të drejtuar prej kristiandemokratëve për ta klasifikuar Shqipërinë dhe Malin e Zi si vende të sigurta origjine prej rezistencës së socialdemokratëve dhe partive opozitarë “Të Gjelbrit” dhe “E Majta”.

Ç’masa të tjera janë marrë?

Qeveria federale do të dërgojë 20 oficerë të policisë federale në kufirin hungarezo-serb. Në këtë brez kufitar do të forcohet edhe roli i autoritetit të BE-së për mbrojtjen e kufijve, Frontex. Përveç kësaj janë planifikuar patrullat e shtuara të policisë në relacionet hekurudhore që kalojnë, si dhe do të ketë mbështetje më të madhe për policinë kufitare serbe përmes pajisjeve dhe stërvitjes.

“Hapi më efikas është ndalimi i personave që tentojnë të kalojnë ilegalisht kufirin, qysh në kufijtë e jashtëm të BE-së”, thotë politikani kristiandemokrat për punët e brendshme, Stephan Mayer. “Kjo masë duhet të shoqërohet edhe me kthimin e shpejtë të azilkërkuesve”.

“Në këtë drejtim ka nevojë për përmirësime të dukshme pothuajse në të gjitha landet federale”, thotë Mayer. “Vetëm në këtë mënyrë masat do të kenë efektin e duhur paralajmërues në adresë të qytetareve dhe qytetarëve të Kosovës, që nuk ka asnjë kuptim të vijnë në Gjermani për të aplikuar për azil”.

Vërtetë nuk ka asnjë bazë për azil për ata që vijnë nga Kosova?

“Ndoshta në ndonjë rast të veçantë mund të ketë përndjekje konkrete politike apo mbi bazë etnike”, thotë politikani kristiandemokrat Mayer. “Por, në shumicën e rasteve nuk ka asnjë bazë”.

“Megjithatë edhe nëse një vend klasifikohet si ‘vend i sigurt origjine’, mbetet për këdo e drejta për shqyrtimin individual të kërkesës”.

Bernd Mesovic nga organizata “Pro Asyl” vëren qartazi argumente të përndjekjes.

“Ne kemi parë se pjesëtarët e minoritetit rom dhe ashkali janë sulmuar dhe së për shumë vite ka pasur njerëz që kanë dashur të largohen”.

Në sfondin e presionit prej rinacionalizmit shqiptar në Kosovë shumë romë pas kthimit nga Gjermania preferojnë më mirë të jetojnë në kushtet më të rënda të varfërisë në Jug të Serbisë dhe në Mal të Zi, se sa të kthehen në vendin e tyre të origjinës.

“Tek shqiptarët etnikë – që tani përbëjnë shumicën e njerëzve që largohen nga vendi – unë nuk shoh në masë të madhe një problem të përndjekjes”, thotë Mesovic. “Por në klasifikimin e një shteti si vend i sigurt vlerësohet situata në kontekstin e përgjithshëm”. /DW/

Më Shumë

100 vjet nga vrasja e Avni Rrustemit

Avni Rustemi vdiq pas një atentati në Tiranë pranë Pazarit të Ri, më 22 prill 1924. Atentati ndaj tij u krye më 20 prill,...

KPF-ja e rekomandon Kuvendin e Prizrenit që të bëjë bartjen e mjeteve për vitin 2024

Në mbledhjen e sotme të Komitetit për Politikë dhe Financa në Komunën e Prizrenit, u shqyrtua dhe diskutua pika e rendit të ditës lidhur...

Lajmet e Fundit