11.8 C
Prizren
E enjte, 25 Prill, 2024

Skepticizëm për zbardhjen e çështjes së zhdukurve me marrëveshjen e Ohrit

Aktivistja e njohur serbe për të drejtat e njeriut, Natasha Kandiq, e vlerëson si pozitive Deklaratën për Personat e Zhdukur, që është pjesë e marrëveshjes së arritur në Ohër të Maqedonisë së Veriut. Por kryetari i Shoqatës “Zëri i Prindërve”, Bajram Çerkini, nuk pret që çështja e personave të pagjetur të zgjidhet. Ai madje thotë se mbi 1600 persona të zhdukur por përdoren vetëm për ta zvarritur procesin.

 

Çështja e  personave të zhdukur në luftën e fundit në Kosovë është përmendur në nenin 6 të Marrëveshjes bazë ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, të nënshkruar në Ohër, me 18 mars të këtij viti. Në marrëveshje thuhet se palët pajtohen për të miratuar Deklaratën për Personat e Zhdukur, siç është negociuar në kuadër të dialogut të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian, si çështje urgjente”.

Aktivistja  e njohur serbe për të drejtat e njeriut, Natasha Kandiq, themeluese e Fondit për të Drejtën Humanitare, në një intervistë për Radio Kosovën vlerëson se një deklaratë e tillë është një dokument i mirë. Por  Kandiq ka vërejtje te komisionet qeveritare për personat e zhdukur në Kosovë dhe Serbi.

“Komisionet të cilat janë si në Serbi, ashtu edhe në Kosovë, nuk janë komisione ekspertësh, të cilët mund të zbardhin fatin e personave të pagjetur në një mënyrë efektive. Është shumë e rëndësishme që të mblidhen të gjitha të dhënat, që përfshijnë  jo vetëm për  personat e pagjetur, por edhe për personat e rrëmbyer dhe të burgosur, dhe pastaj të publikohen këto të dhëna që i posedon edhe pala kosovare, por edhe ajo serbe”, tha Kandiq.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ditë më parë tha se në tekstin e deklaratës për personat e pagjetur, për të cilën Kosova dhe Serbia u pajtuan më 4 prill, tani më përmendet termi “të zhdukur me dhunë.”
Derisa kryediplomati evropian, Josep Borrell, kishte konfirmuar  se kryenegociatorët e Kosovës dhe Serbisë, kanë arritur pajtueshmëri për deklaratën për persona të pagjetur, ai nuk ka sqaruar nëse aty përmendet termi “të zhdukur me dhunë”.

E drejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq,  ka thënë se ky term nuk është pranuar nga pala serbe.

Kryetari i Shoqatës “Zëri i Prindërve”, Bajram Çerkini,  në një prononcim për Radio Kosovën thotë se nuk pret që çështja e personave të zhdukur gjatë luftës në Kosovë të zgjidhet bazuar në këtë marrëveshje ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

“A thua pres unë të zbatohen vendimet e Ohrit, ose në Bruksel , të cilat edhe më shumë i kanë përzier gjërat, të cilat edhe ashtu nuk janë të qarta për personat e pagjetur! Nuk pres asnjë hap! Edhe 1617 persona të pagjetur i kanë për ta shty procesin, sikur që kanë vepruar deri tani. Mjerisht thuhet që është arritur një marrëveshje, që do të bëhet një hap përpara, kur unë them që bëhen dy hapa mbrapa dhe një hapë përpara”, tha Çerkini.

Gjatë luftës në Kosovë  mbi 6 mijë persona janë zhdukur  derisa në varreza masive në Kosovë dhe Serbi janë  gjetur mijëra mbetje mortore. Ende nuk dihet ende për fatin e rreth 1.617 personave të zhdukur.

Më Shumë

AKP-ja shpall për shitje 26 asete, 3 lokale në Prizren

Agjencia Kosovare e Privatizimit (AKP) ka mbajtur të mërkurën ceremoninë e hapjes së ofertave të shitjeve përmes Likuidimit nr. 65, e cila përmban 26...

Promovohet libri “Fotografitë që pavdekësuan Prizrenin”

Libri " Fotografitë që pavdekësuan Prizrenin" i autorit Salajdin Krasniqi u promovua mbrëmë në Prizren . Libri është vlerësuar lartë. Redaktori Dr. Nexhat Çoçaj tha se...

Lajmet e Fundit