4.8 C
Prizren
E premte, 26 Prill, 2024

Smajl Latifi: Vehapi në “qorrsokak”

SmajlLatifi10-5Kryetari i degës në Rahovec të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Smajl Latifi, në një deklaratë për opinion ka shkruar se kryetari i kësaj komune, Idriz Vehapi, është future në “qorrsokak”, duke i rekomanduar dorëheqjen.

“Nëse vazhdohet me këtë qasje, atëherë dorëheqja e tij është akti më fisnik që mund të bëjë, si intelektual, si prind dhe si person publik. Jemi të bindur se qorrsokaku ku është futur aktualisht kryetari Vehapi është pa dalje,” shkruan Latifi.

Sipas tij, qeverisja lokale e Rahovecit aktualisht komandohet nga struktura jashtë institucionale, partiake dhe grupe të caktuara të interesit.

Më poshtë e gjeni të plotë deklaratën e tij për opinion.

Të shqetësuar rreth gjendjes alarmante në arsim dhe në sferat e tjera të jetës në Komunën e Rahovecit, shprehim kundërshtimin dhe mospajtimin tonë dhe me këtë rast bëjmë këtë.

Degradimi i institucioneve shtetërore nuk është gjë e pazakontë për ish drejtuesit dhe drejtuesit aktual të komunës së Rahovecit nga radhët e PDK-së. Na janë të freskëta ngjarjet e dështimit të qeverisë lokale 2009 – 2010, pasi që në atë kohë dëmi që i patën shkaktuar ekonomisë lokale këta njerëz ishte jashtëzakonisht i madh, madje duke e quar qytetarin në zgjedhje të jashtëzakonshme. Fatkeqësisht edhe në vitin 2014 u ricikluan shumë nga figurat e dikurshme, të cilët tërë luftën e patën orientuar në marrjen e pushtetit lokal për shkak të pushtetit dhe jo për interesin e qytetarëve. Kjo po dëshmohet edhe në këtë periudhë. Qeveria lokale e Rahovecit që në ditët e para të qeverisjes e pati nisur me shkelje dhe kjo ecuri po vazhdon edhe sot e kësaj dite.

Të shqetësuar me zhvillimet aktuale në Komunë, konstatojmë me keqardhje se tashmë kemi mjaft dëshmi të kësaj qeverisjeje, që është fokusuar në rritjen e luksit dhe akomodimit të militantëve partiakë të PDK-së dhe familjarëve të zyrtarëve komunal.

Mirëpo, kjo ecuri nuk është përgjegjësi e disa individëve. Përgjegjësi kryesor për këtë poshtërim të qytetarit është kryetari i Komunës, Idriz Vehapi. Kryetari Vehapi në asnjë mënyrë nuk mund të amnistojë veten nga veprimet e bashkëpunëtorëve të tij, sepse ata janë të emëruarit e tij dhe jo individë të pavarur në vendimmarrje. Qeveria lokale është një organizëm nën menaxhimin e personit të zgjedhur me votë të qytetarëve dhe përgjegjësia e tij është e madhe karshi problemeve të qytetarëve. Sistemi arsimor po përjeton ditët më të vështira që nga koha e pasluftës. Injorimi i vlerave të dëshmuara dhe sistemimi i partiakëve, familjarëve dhe atyre që mund të sjellin ndonjë përfitim politik, është bërë moto qeverisëse.

Mjafton të përmendim rastet e fundit, por edhe disa raste të mëhershme kur janë eliminuar nga konkurrenca persona me kredibilitet moral e intelektual të padiskutueshëm. Po ju përkujtojmë rastin e injorimit dhe mospranimit në punë të një kandidati doktorant, i cili kishte konkurruar në dy raste për një vend pune, madje në shkollë fillore. Ky kandidat nuk është marrë parasysh, sepse si duket nuk përkon me modelin e mbrapshtë qeverisës të z. Vehapi me shokë. Po ashtu eliminimi nga konkurrenca i personave të dëshmuar dhe me përvojë pune është në vazhdën e degradimit të vlerave tona shoqërore, për të cilën gjë edhe kemi mjaft prova nga Inspektorati Regjional i Arsimit në Gjakovë, Agjensioni Antikorrupsion i Kosovës, Inspektori i punës në Prizren dhe së fundi edhe nga ngritja e aktpadisë nga ana e Prokurorisë Themelore në Gjakovë.

Këto janë fakte më se të mjaftueshme për përgjegjësinë morale dhe institucionale të kryetarit Vehapi, i cili duhet të tërhiqet nga praktikat e tilla komprometuese dhe degraduese të sistemit arsimor në komunë. Nëse vazhdohet me këtë qasje, atëherë dorëheqja e tij është akti më fisnik që mund të bëjë, si intelektual, si prind dhe si person publik. Jemi të bindur se qorrsokaku ku është futur aktualisht kryetari Vehapi është pa dalje, sepse qeverisja lokale e Rahovecit aktualisht komandohet nga struktura jashtë institucionale, partiake dhe grupe të caktuara të interesit.

Më Shumë

Kujtimet poetike të Fahri Musliut

Gazetari Fahri Musliu ka publikuar në rrjetin social Facebook disa poezi të cilat i  ka shkruar në  fund të vitit  ’70-të . “Poezitë janë të...

Kurti: 200 milionë euro investime për infrastrukturën në futboll

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, të dielën ka premtuar 200 milionë euro investime për transformim rrënjësor të infrastrukturës së futbollit në vend. Tashmë...

Lajmet e Fundit