“Hamlet-Makina” titullohet shfaqja premier që pritet të vijë në skenën teatrore të Teatrit Kombëtar Eksperimental “Kujtim Spahivogli”. Vepra teatrore që mban emrin e autorit të njohur gjerman Heiner Muller vjen në skenë nga regjisori Stefan Çapaliku. Prej ditësh regjisori Çapaliku po zhvillon provat me aktorët për të sjellë në skenë premierën më 4 tetor, dhe koncepti i regjisë bazohet jo vetëm në aktrim, por edhe në mediume të tjera estetike si vallëzimi, muzika dhe multimedia.
Me anë të kësaj vepre teatrore regjisori Stefan Çapaliku do të tentojë të krijojë një urë lidhëse me historinë komuniste të Shqipërisë, duke tematizuar faza të caktuara të saj.
Aktorët Alfred Bualoti dhe Eva Alikaj janë dy emrat protagonistë të veprës që mban emrin “Hamlet-Makina”. “Është një dramë e cila ka brenda elementë të dancit, të muzikës dalvivo, instrumentistëve, ka elementë të aktrimit, dhe unë do ta quaja teatër total. Është fjala për teatrin apo dramën postmoderne rreth viteve ’70-’80. Në qendër të veprës është çmitizimi i miteve, çmitizimi i mitit Hamletian, që është ai që do të ndreqë botën, padrejtësitë, dhe në fund të fundit nuk bën dot asgjë”, tregon Bualoti, aktor në vepër. Për Alfred Bualotin, pjesëmarrja në këtë vepër është shumë e veçantë, pas disa kohësh që i kishte munguar teatrit si aktor pasi ishte i angazhuar me regjinë, këtë herë ai vjen me rolin kryesor në dramë.
“Një pjesëmarrje e veçantë për mua për mua si aktor këtë herë, sepse unë luaj rolin e Hamletit, rolin kryesor, që nuk ka të bëjë me Hamletin e Shekspirit, por është Hamlet i Muller, ndaj quhet dhe “Hamlet-Makina”, i cili tashmë është bërë një mit që është kthyer në makinë. Ka ardhur miti pas kaq vitesh dhe është kthyer në një makinë, sepse asnjëherë nuk u realizua miti Hamletian, që donte botën pa intriga, pa dhunën, etj”, tregon mbi rolin Alfred Bualoti, protagonist në dramën e Muller që do të jetë në skenë në datën 4 tetor.
Vepra për të cilën provat po zhvillohen prej disa ditësh premton të përcjellë jo pak emocione në publik, kjo jo vetëm tek mesazhet që do të përcjellë vepra por dhe për dy aktorët protagonistë në vepër, Eva Alikaj dhe Alfred Bualoti. Pas skenës së tetarit në Tiranë, kjo vepër pritet të udhëtojë dhe në skena të teatrove të tjera.