16.8 C
Prizren
E martë, 7 Maj, 2024

S’u besojnë partive politike, por preferojnë anëtarësinë

Të rinjtë në Kosovë nuk u besojnë partive politike që veprojnë në vend, megjithatë, ata thonë se do të anëtarësoheshin në ndonjërënnga to, për të ardhur më lehtë deri te një vend i punës.

Për rubrikën e përjavshme “VOX” të Radios Evropa e Lirë, disa nga të rinjtë thonë se veprimet e fundit që po ndodhin në skenën politike, ndërmjet partive politike në pushtet dhe atyre opozitare, po reflektojnë negativisht te të rinjtë.

Pavarësisht kësaj, sipas tyre, dera e vetme ku mund të sigurohet një vend pune, rrjedhimisht një perspektivë më e mirë, mbeten partitë politike.

Vera Berisha, është studente në Universitetin e Prishtinës. Ajo thotë se nuk i beson asnjë subjekti politike, pasi konsideron se ato nuk angazhohen në përmirësimin e mirëqenies së shoqërisë në përgjithësi, por vetëm për interesa partiake. Por, për të siguruar një vend pune, Vera thotë se do të anëtarësohej në parti politike.

“Për shkak të ndonjë vendi të punës, do të hy në parti politike. Pasi shihet qartë se zakonisht ata që janë të inkuadruar në politikë, më lehtë sigurojnë ndonjë vend pune, madje edhe pozita të larta”, thotë Vera.?

Liman Paçarizi, student në Fakultetin Ekonomik, thotë se me gjithë rëndësinë që kanë partitë politike, zhvillimet e fundit në skenën politike, kanë bërë që mos t’u besojë fare.

Ai, madje, thekson se nuk i pëlqen të bëhet pjesë e ndonjë partie politike.

“Zhvillimet e fundit kanë ndikuar shumë në zbehjen e besimit te partitë politike, sepse, sipas meje, mënyra e qasjes ndaj problemeve nuk ka qenë e mirë, pasi ekzistojnë mundësitë e dialogut dhe marrëveshjeve”.

“Unë nuk besoj se do të anëtarësohem në parti politike, edhe pse unë e simpatizoj dhe e mbështes shumë një parti politike që funksionon në Kosovë”, shprehet Limani.

Blerta Aliu, e cila ka përfunduar studimet për ekonomi në njërin nga kolegjet private në Kosovë, e konsideron nevojë anëtarësimin në ndonjërën parti politike.

Edhe pse ajo është e zhgënjyer me punën dhe angazhimet e tyre, thotë se në konkurse për vende të lira të punës, fiton ai që është anëtar apo edhe simpatizant i një partie të caktuar.

“Unë kam përfunduar fakultetin dhe tash qëndroj në shtëpi. Kjo është shumë e vështirë për mua, por edhe të rinjtë të tjerë. Anëtarësimi në parti është bërë obligim në Kosovë”, shprehet Blerta.

Besimin në subjektet politike, e sidomos pas veprimeve të fundit, e ka humbur edhe Trim Gashi, student:

“Unë nuk u kam besuar, por tashmë nuk u besoj fare. Me veprimet e fundit ata janë dëshmuar se nuk punojnë për shtet, por vetëm për vete. Por, edhe pse nuk u besoj, do të anëtarësohem vetëm për të gjetur një vend pune”, thekson Trimi.

Edhe Arta Lumi, studente në Fakultetin Filologjik, thotë se besimin në parti politike e ka të zbehur:

“Nuk u besoj se nuk kanë bërë asgjë. Nuk ka vende pune, nuk po shihet ndonjë perspektivë për të ardhmen për të rinjtë. Po luftojnë vetëm për interesa të veta. Mendoj ashtu, shpresoj ta kem gabim”.

Retorika e ashpër, aktet e dhunshme brenda dhe jashtë objektit të Kuvendit të Kosovës ndërmjet deputeteve të partive në pushtet dhe atyre në opozitë, kanë bërë që besimin te subjektet politike ta humbë edhe studenti i Shkencave politike, Bekim Ajvazi.

Ai nuk do të pranonte të bëhej pjesë e asnjë partie politike në Kosovë, qoftë edhe për një vend pune.

“Nuk u besoj hiç. U kam besuar para dy apo tre vjetësh, sepse kam qenë në atë fazën që nuk kam ditur mjaft për politikën dhe nuk kam parë mjaft, por tash po i shoh. Tash po e kuptoj gjendjen, situatën në realitet. Këta po luftojnë për pozita, rinia lëshon Kosovën, kurse ata që mbesin këtu, përfundojnë fakultetin dhe mbesin pa punë”, thekson Bekimi.

Por, ndryshe thotë Isuf Spahiu, student në Fakultetin Ekonomik dhe atë të Shkencave Politike. Isufi tregon se u beson partive politike dhe në një të ardhme të afërt, do të bëjë përpjekje për anëtarësim:

“U besoj partive, edhe unë kam dëshirë të inkuadrohem në politikë. Unë do të bëhem pjesë e partive politike, jo për ndonjë kusht të caktuar, por nga dëshira”. /REL/

Më Shumë

Vetaksident në rrugën Qafë Duhël – Suharekë, kamioni bie poshtë rrugës

Para pak minutash ka ndodhur një aksident i rëndë trafiku në afërsi të Suharekës, raporton Sinjali. Aksidenti ka ndodhur pikërisht në rrugën Qafë Duhël të...

Malishevë: Gruaja largohet nga shtëpia, shkak dhuna e burrit

Një grua është larguar nga shtëpia për shkak të dhunës së ushtruar nga burri i saj. Rasti ka ndodhur të hënën në Malishevë, rreth orës...

Lajmet e Fundit