5.8 C
Prizren
E enjte, 18 Prill, 2024

Suharekë: Dënohet me kusht personi që akuzohet se u shkaktoi lëndime të lehta trupore dy të dëmtuarve

Është dënuar me 8 muaj burgim me kusht i akuzuari për veprën penale “lëndimi i lehtë trupor”, Isuf Iballi.

Aktgjykimi është shpallur të martën, nga gjykatësi i Gjykatës Themelore në Prizren, dega në Suharekë, Qemail Suka, pasi fillimisht i akuzuari e pranoi fajësinë, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Pas leximit të aktakuzës nga ana e prokurorit Naim Gashi, i akuzuari Iballi është deklaruar fajtor.

“E ndjej vetën fajtor, kam qenë i frustruar në momentin kur e kam parë vajzën e djalit tim të shtrirë përtokë, nuk do të përsëris veprime të tilla në të ardhmen”, ka thënë ai.

Pranimi i fajësisë nuk u kundërshtua nga prokurori Gashi dhe si i tillë u aprovua nga gjykatësi Suka.

Sipas aktgjykimit, dënimi me burg ndaj të akuzuarit nuk do të ekzekutohet, nëse ai në kohën e verifikimit prej 1 viti nuk kryen vepër tjetër penale.

Të akuzuarin Iballi gjykata e ka obliguar edhe në pagimin e shpenzimeve të ekspertizës mjeko-ligjore, në shumën prej 20 euro, shumën prej 30 euro në emër të taksës për kompensimin e viktimave të krimit, si dhe paushallin gjyqësor në vlerë prej 20 euro, të gjitha këto pas plotfuqishmërisë së aktgjykimit.

Ndryshe, sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore Prizren, Isuf Iballi akuzohet se më 10 qershor 2020, rreth orës 19:30, në rrugën Duhël-Malishevë, në fshatin Bllacë, në vendin e quajtur “Shelqet”, me qëllim që t’i shkaktoj lëndime trupore personit tjetër, i sulmon të dëmtuarit Hafir dhe Irfan Shijaku, në atë mënyrë që pas një aksidenti që kishte ndodhur në komunikacion, ku i dëmtuari Hafir Shijaku, gjatë vozitjes me automjetin e tij “Audi”, posa arrin në vendin e lartcekur e godet këmbësore, 7 vjeçaren, vajzën e djalit të të pandehurit, F.I.

Sipas aktakuzës, në atë moment i dëmtuari ndalon veturën për t’i dhënë ndihmë këmbësores të cilën e kishte goditur në komunikacion, mirëpo menjëherë ofrohet i pandehuri Isuf Iballi, i cili i sulmon dy të dëmtuarit duke i goditur me një shtagë të bagëtive me gjatës prej1 metër e 10 cm, send ky i papërshtatshëm dhe i rrezikshëm, që mund të shkaktojë lëndime të rënda trupore, me ç’rast të dëmtuarve u shkakton lëndime të lehta trupore, me pasoja të përkohshme për shëndetin.

Me këto veprime, Iballi akuzohet se ka kryer veprën penale “lëndimi i lehtë trupor”, nga neni 185, paragrafi 2 lidhur me paragrafin 1, nën paragrafin 1.4 të KPRK-së. /BetimipërDrejtësi

Më Shumë

Ballkani fiton dhe e konsolidon pozitën e parë në tabelë

Ballkani e ka konsoliduar udhëheqjen e tabelës së Superligës së Kosovës në futboll, duke bërë dy pikë më shumë se sa Drita dhe pesë...

Hapet në Prizren edicioni parë i Shkollës për Diplomaci të Diasporës

Në Prizren u hap edicioni i parë i Shkollës për Diplomaci të Diasporës, organizuar nga Akademia Diplomatike e Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe...

Lajmet e Fundit