14.8 C
Prizren
E shtunë, 27 Korrik, 2024

Suharekë: Deponoi 300 mijë euro por nuk i gjeti në bankë

Gjykim ne suharekRrahim Kolgeci pensionist nga Zvicra deponoi në NLB Prishtina-Dega në Suharekë 300 mijë euro nga kursimet jetësore, por kur u interesua nuk i gjeti paratë aty ku i la, edhe pse me bankën nënshkroi kontratë. Ai kërkon t’i kthehen mjetet financiare me kamatë prej 10 për qind, nga dita e deponimit.

Në gjykatore situata mes paditësit dhe përfaqësuesve të bankës së paditur ishte shumë e tensionuar, ndërsa shkaktoi edhe reagimin e gjyqtarit Shaban Zeqiraj që kërcënoi me dënim palët që prishnin qetësinë.

Sipas kërkesë-padisë Rrahim Kolgeci pensionist nga fshati Vraniq i komunës së Suharekës pas punës në Zvicër kishte deponuar 300 mijë euro në bankën NLB në Suharekë më 2 korrik 2011, por paratë depozituara nuk i kishte gjetur aty ku i la.

Tash kosovaro-zviceranit i ka mbetur si dokument vetëm kontrata e nënshkruar me bankën, ndërsa këto mjete as që janë deponuar në këtë bankë.

Ai vetëm njëherë kishte marrë interesin nga banka për paratë e depozituara.

Kolgeci pasi që kishte kuptuar për mungesën e mjeteve kishte njoftuar krimet ekonomike për çka edhe disa persona zyrtarë të bankës NLB Prishtina-dega në Suharekë ishin arrestuar.

Avokatja e Kolgecit Shemsije Sheholli të enjten në seancë kërkoi që klientit të tij t’i kthehen mjetet financiare.

“Të aprovohet në tërësi si e bazuar kërkesë-padia e paditësit Rrahim Kolgeci nga fshati Vraniq, detyrohet e paditura NLB Prishtina që në afatin prej 7 ditëve t’ia paguaj paditësit shumën prej 300 000 eurosh me kamata vjetore 10 %, duke filluar prej ditës së arritjes së borxhit për pagesë me datën 2 korrik 2011”, tha avokatja Sheholli.

Por këtë e kundërshtoi përfaqësuesi i palës së paditur, duke kërkuar ndërprerjen e kësaj seance, për faktin se disa nga punëtorët e NLB Prishtinës janë duke u gjykuar për keqpërdorim të xhirollogaritë e klientëve.

Gjyqtari Shaban Zeqiraj e hodhi poshtë këtë kërkesë të përfaqësuesit nga pala e paditur me arsyetimin se Rrahim Kolgeci ka krijuar raport civilo-juridik me NLB-në duke lidhur kontratë me bankën dhe çështja e veprës penale nuk e lidh me këtë rast, pasi klienti kërkon borxhin në bazë të kontratës.

Gjykata vendosi që të caktohet eksperti financiar në këtë çështje, për të vërtetuar se ka lidhur kontratë paditësi me bankën për depozitimin e 300 000 eurove, sa mjete ka tërhequr paditësi në emër të interesit dhe a ka qenë e njoftuar banka për deponimin e këtyre mjeteve.

Për këtë çështje në një rast tjetër zyrtarë të bankës NLB Prishtina po akuzohen për keqpërdorim të pozitës zyrtare./Gazeta Jeta ne Kosove/

Më Shumë

Klubi i Çiklistëve “Pro Bike Prizren” apelon për kujdes të shtuar në trafikun rrugor

Klubi i Çiklistëve “Pro Bike Prizren” i ka bërë thirrje çiklistëve dhe ngasësve të automjeteve që të shtojnë kujdesin në rrugët e Prizrenit për...

Rikthehen “Djemtë e Detit”

Grupi “Djemtë e Detit” janë rikthyer në skenën e muzikës shqiptare. “Djemtë e Detit” kanë rrëfyer në emisionin “Jetë Shqiptare” në RTSH1 rikthimin e...

Lajmet e Fundit