(Bisedë me shkrimtaren, poeten e publicisten Rozi Theohari, Boston-Amerikë)
Nga: Prof. Murat Gecaj
-Më fal, kolege e mike Rozi, se është bërë diçka e natyrshme, që bisedën po e nisim me një pyetje, pothuajse, “standarde”. Pra, dëshirojmë të na tregosh diçka, sigurisht shkurt, për jetën tënde…
-Nuk ka gjë…Së pari, të falënderoj përzemërsisht, prof. Murati, që po shkëmbejmë bashkë mendime dhe më jepet rasti të flas për jetën time!
U linda në prill të vitit 1939, në Dardhë të rrethit Korçë, një fshat me vlera të gjithanshme: natyrore, atdhetare, morale e njerëzore. Ashtu siç dihet, është pjesë e bukur e Atdheut tonë, me tradita të njohura kulturore, qytetërimi e fisnikërie, të lidhura brez pas brezi edhe me plagën e dhimbshme të kurbetit, si pjesë e pandarë e jetës së dardharëve. Hodha hapat e parë në tokën e robëruar nga fashistët italianë; u mëkëmba e u rrita nën kujdesin dhe dashurinë e nënës e të gjyshes, sepse babai e gjyshi kishin emigruar në Amerikë, së toku me burrat e djemtë e fshatit.
Si të thuash, ne ishim “fëmijët e luftës”…Duke u rritur, belbëzuam fjalët e para, nën frikën e vazhdueshme të plumbave, bombardimeve dhe kambanave e sirenave të alarmit, me pikëpyetjen e madhe mbi kokë: “Vallë, a do të na gjejë gjallë e nesërmja?” Megjithatë, ne mbijetuam…U rritëm e u edukuam nga nënat e gjyshet, nga përrallat që na tregonin e nga këngët popullore dardhare, që na këndonin. Njëra nga ato i kushtohej plagës së dhimbshme të kurbetit: “Ameriqi, o moj e shkretë, Ameriqi,/të raftë zjarri e të bëftë hi!…”. Bashkë me ceremonitë festive tradicionale, ajo kohë la vragë të thella në kujtesën dhe vetëdijen time. Shkollën fillore e kreva në vendlindje, më 1949. Na mungonin abetaret, fletoret dhe librat e tjerë. Mësuesi na diktonte mësimet.
Më tej, 7-vjeçaren e përfundova në qytetin e Korçës, në vitin 1952. Ai qytet i bukur dhe plot tradita, luajti rol të ndjeshëm për zgjerimin e horizontit tim mendor dhe kulturor. Pamja dhe institucionet e tij, pa i përmendur këtu, ndikuan fuqishëm në shkrimet e mia të mëvonshme. Dy vitet e para të shkollës së mesme i kreva aty, në Gjimnazin “Raqi Qirinxhi”, kurse dy vitet e tjera në Tiranë, në Gjimnazin “Qemal Stafa”, më 1956. Mësuesit tanë të letërsisë, Mark Gurakuqi e prof. Nasho Jorgaqi, na edukuan me dashurinë për librin dhe na nxitën për të shkruar prozat dhe vjershat e para.
Ne, brezin që u rrit pas Luftës së Dytë Botërore, na ndoqi një fat i vështirë, duke provuar jo vetëm varfërinë sfilitëse, por edhe vuajtjen nga presioni psikologjik e fizik i regjimit të kuq. Pa u ndalur gjatë këtu, kam përjetuar kufizime të ndryshme për shkak të “biografisë së keqe”, për babain tim “kapitalist”, pse kishte një restaurant në qytetin amerikan, Detroit.
Prej vitit 1956 e deri 1960m ndoqa e përfundova Fakultetin Ekonomik dhe prej vitit 1972 e deri më 1974, mbarova me korrespondencë degën e gjuhës e letërsisë shqipe, në Universitetin e Tiranës. Më pas, kam shërbyer në institucione të ndryshme të kryeqytetit. Po, për t’u shënuar është koha, kur isha redaktore e revistës “Shëndeti”.
Ngjarje kthese e jetës ishte viti 1994, kur edhe unë emigrova në Amerikë, me bashkëshortin dhe dy fëmijët. Në vitet 1995-2000, kreva studimet në “North Shore Community College”, të Massaçusetts, ku u diplomova në degën “Artet Liberale”.
-Kur dhe si e nise krijimtarinë publicistike e letrare?
-Në qendrat e punës të Tiranës, ku kam shërbyer ndër vite, më ishte ngarkuar detyrë të kujdesesha për “gazetën e murit”, e cila ishte në modën e kohës. Aty vendosja edhe ndonjë vjershë timen humoristike, me karakter shoqëror, si për emancipimin e gruas etj. Një herë, publicisti e shkrimtari i njohur, Vath Koreshi më këshilloi ta dërgoja vjershën time në revistën “Hosteni”. Ashtu veprova dhe bashkëpunimin e vijova më tej. Një vit më vonë, u bëra anëtare e kolegjumit të asaj reviste, së bashku me shkrimtarët e nderuar Petro Marko, Dritëro Agolli, Aleksandër Banushi e të tjerë. Në vitet ’60-të, të shekullit të kaluar, botova vjersha dhe proza të mijat, në gazeta e revista të ndryshme, si “Drita”, “Hosteni”, Shqiptarja e re”, “Fatosi” etj. Më vonë, u pranova anëtare e Lidhjes së Shkrimtarëve e Artistëve dhe atje u njoha më nga afër me Kadarenë, Agollin, Arapin, Koreshin e të tjerë.
-Me sa kam dijeni, ti ke shkruar disa libra…Pra, pa u ndalur posaçërisht në secilin prej tyre, shkurt, çfarë mund t’u tregosh lexuesve, për ata?
-Librat e mi të parë shqip, janë në gjininë e humorit dhe për fëmijët. Në prozë, kam shkruar roman, novela e tregime. Më vonë kam vijuar me libra publicistikë, ndërsa në poezi edhe në gjuhën angleze. Tematika e tyre është e larmishme, pra trajtojnë dukuri të ndryshme të jetës shqiptare. Deri tani, gjithësej, kam shkruar e botuar 14 libra në gjuhën shqipe dhe 5 në gjuhë të huaj. Kujtoj këtu, se libri im i parë ka qenë ai, me titullin “Telashe nga emancipimi”(Tiranë, 1969). Ndër librat me tematikë atdhetare, janë: “Mbi thinja fryn erë”, “Jehona Skënderbegiane”, “Kur çelin magnoliet në Boston” , përmbajtja e të cilëve shtrihet në një hapësirë që mbulon dy kontinente: Europën Juglindore dhe Amerikën e Veriut, me një kohëzgjatje gati shekullore. Aty përshkruaj jetët e mjaft shqiptarëve emigrantë, të vjetër e të rinj, në kontinentin amerikan, me historira të panjohura, por që ia vlen të njihen, pasi ato mbajnë vulën e shqiptarizmit, se dëshmojnë për ndjenjat e tyre atdhetare…
Ndër librat e mi, që sigurisht e kam përzemër, është edhe ai jetëshkrimor, “Më shumë se një jetë” (Tiranë, 2008). Gjashtë libra të mi, ndodhen në Bibliotekën e Kongresit Amerikan, në Uashington, DC. Në librin me poezi, anglisht, “Do leave out my right hand”(Dorën e djathtë ma lini jashtë), flitet për baladën dhe vuajtjet e Rozafës, që muroset dhe lutet, që gjysma e trupit të saj të vazhdojë të kujdeset për të birin e vogël. Kjo poemë e gjatë është vlerësuar dhe diskutuar me studentë të kolegjit, nga disa pedagogë amerikanë. Më tej, libri vazhdon me poezi të tjera, po anglisht, me tematikë jetën dhe përvojën time në SHBA.
-Nuk besoj që krijimtaria jote mbaron me kaq apo jo?
-Po, është e vërtetë. Që në janar 2014, kam gati për botim librin e 19-të, “Potpuri dardhare”. Është një vepër memoralistike, me mbi 600 faqe. Edhe më tej, kam ndërmend të shkruaj në këtë gjini. Kam të gatshëm për botim tre libra poetikë për fëmijë, në anglisht. Gjithashtu, shpresoj të përgatis një libër tjetër me poezi, për të rritur, po anglisht. Por më pëlqen edhe publicistika. Tash 20 vjet në Amerikë, kam botuar mbi 500 artikuj: portrete, reportazhe, intervista, tregime etj., si në organet e shtypit shqiptar, amerikan dhe gjetkë. Ndër shkrimet e mia të rëndësishme janë edhe intervistat me poetin rus Aleksandër Esenin, birin e Sergei Eseninit të famshëm. Arrita t’ia incizoja zërin, gjatë recitimit të një poezie, shkruar nga ai gjysmë shekulli më parë. Intervista me poetin Esenin më ka prekur dhe emocionuar. Këto intervista janë pëlqyer e vlerësuar nga shkrimtarë, intelektualë dhe lexues të tjerë shqiptarë.
-Po për jetën e përditëshme, çfarë dëshiron të na tregosh?
-Pjesëmarrja ime në veprimtaritë kulturore të shtetit të Massaçusettsit, është një përvojë e vyer. Poezitë i botoj çdo muaj në gazetat “Pennon” dhe “Nahant Harbor Revieu”. Jam anëtare e Klubit të shkrimtarëve të Veriut të Bostonit, ku takohem me shkrimtarë e poetë të ndryshëm amerikanë. Më ka lënë mbresa, gjithashtu, takimi me shkrimtaren e njohur amerikane, me origjinë shqiptare, Loretta Çase (Çekani), e cila banon në Uster, pranë Bostonit.
Jetojmë e krijojmë larg vendlindjes, me mallin e pashuar për Shqipërinë. Kënaqësi të veçantë ndiejmë, çdo 28 nëntor, kur e shohim dhe i gezohemi valëvitjes së Flamurit tonë kuqezi, në një shtizë të lartë, në qendër të Bostonit, jo shumë larg varrit të Fan Nolit. Pra, kjo ditë është e shenjtë për ne. Aq më tepër lumturohem, kur vijnë e më marrin në shtëpinë time dy familje shqiptare kosovare, me fëmijët e tyre, veshur me kostume kombëtare.
Në hapësirën e gjeografisë letrare, këtej dhe andej Atlantikut, tashmë, shkrimtarët shqiptaro-amerikanë kanë krijuar përvojën e tyre, për ta pasuruar krijimtarinë letrare me vepra të denja për lexuesin. Synimi ynë është ruajtja dhe forcimi i identitetit tonë kombëtar, për ta ruajtur pasurinë e gjuhës sonë amtare dhe për t’i zhvilluar më tej aftësitë e saj shprehëse.
Le të shpresojmë se, dita-ditës dhe vit pas viti, krahas rritjes së suksesshme të Komunitetit tonë shqiptaro-amerikan, do ta shtojmë e zhvillojmë më tej brezin e talenteve të reja, si në art e në kulturë. Kështu do t’i paraprijmë së ardhmes sonë, qoftë këtu në diasporë, në vendlindje dhe në mbarë trojet etnike.
-Të falënderojmë nga zemra, Rozi, për përgjigjet e tua interesante! Kishim kënaqësi të veçantë, kur u njohëm, shkurtimisht, me jetën dhe krijimtarinë tënde të pasur letrare e publicistike, mbushur me ndjenja të atdhedashurisë së zjarrtë për popullin shqiptar dhe mbarë Kombin tonë të stërlashtë!