25.8 C
Prizren
E shtunë, 18 Maj, 2024

Takimi i Prizrenit dhe domethëniet e tij

Agim NeshoShkruan: Agim Nesho

Më 11 janar të dyja qeveritë shqiptare u mblodhën në Prizren, duke realizuar tashmë një praktikë të njohur vice-president-agim-nesho-shkoder-albania+1152_12893408132-tpfil02aw-31254europiane, atë të bashkëpunimit dhe integrimit rajonal, si kusht për realizimin sa më shpejt të integrimit në Bashkimin Europian.

Në një rajon si Ballkani, ku tensionet etnike, urrejtja, dhuna dhe ndasitë kanë qenë të pranishme ndër shekuj, ky bashkëpunim sjell një risi në marrëdhëniet midis shteteve dhe ndihmon ndjeshëm në krijimin e një klime të qëndrueshme dhe stabiliteti politik në rajon.

Bashkëpunimi dhe integrimi rajonal është një kusht i domosdoshëm për:

– Zhvillimin ekonomik të vendeve, rritjen e kapaciteteve të investimeve të huaja, krijimin e një tregu më të madh të punës dhe vëllimit të shkëmbimeve tregtare, etj.

– Bashkëpunimin rajonal si parakusht për integrimin e mëtejshëm të Ballkanit në Bashkimin Europian.

Pavarësisht përpjekjeve pozitive ku bashkëpunimi mbetet peng i marrëdhënieve tradicionale historike midis shteteve, problemeve etnike, ngarkesave dhe paragjykimeve si dhe voluntarizmit për të krijuar fuqi rajonale.

Kështu, Serbia bashkëpunon në partneritet strategjik me Republikën Srpska – si pjesë konstituive e Federatës së Bosnjë-Hercegovinës – me të cilën ka vendosur një partneritet strategjik dhe mbledhje të rregullta midis dy qeverive, me Maqedoninë apo Malin e Zi, por e ka të vështirë ose të pamundur ta shtrijë këtë bashkëpunim më gjerë në Ballkanin Perëndimor. Shqiptarët e Maqedonisë kanë refuzuar të marrin pjesë në mbledhjet e përbashkëta me qeverinë serbe, ndërsa Shqipëria dhe Republika e Kosovës e realizojnë këtë bashkëpunim nën simbolikën e shtet-formimit të kombit shqiptar. Këto karakteristika të këtij bashkëpunimi rajonal tregojnë se filozofia e këtij bashkëpunimi dhe vlerat e tij mbeten më shumë të pranuara në retorikën e përpunuar të qeverive të këtyre vendeve, ndërsa në praktikë funksionojnë nën presionin dhe filozofinë e së shkuarës.

Takimi i dy qeverive të Shqipërisë dhe Republikës së Kosovës në Prizren është një fakt historik dhe jo një ngjarje historike “që historia ua kish lënë qeveritarëve të sotëm ta realizonin”. Ky takim vjen në mënyrë të natyrshme pas ngjarjeve dhe veprimeve bashkëpunuese midis dy pjesëve të kombit që nga konflikti në Kosovë në vitet ‘97-‘99, hapja e kufijve shqiptarë për popullin e Kosovës gjatë katastrofës humanitare të vitit 1998 dhe deri tek integrimi i dukshëm në kulturë, shkencë, arsim etj. Ai ishte një akt më shumë në atë integrim të nevojshëm dhe të natyrshëm që dy shtete, pjesë të një kombi, duhet të kryejnë.

Aktorët kryesorë të kësaj ngjarjeje, dy kryeministrat e shteteve përkatëse, kanë të drejtën e vlerësimit dhe përgëzimit për realizimin e këtij bashkëpunimi. Por edhe midis tyre, Kryeministri Thaçi dallohet si shtetar me vizion dhe politikan me eksperiencë. Autor dhe realizues i marrëveshjes së Brukselit me kryeministrin Daçiç, ai e ka modeluar këtë ngjarje për të rritur popullaritetin dhe ekuilibruar Lëvizjen Vetëvendosja në platformën e saj nacionaliste. Ai është i aftë të shfrytëzojë aleancat strategjike me partnerët natyralë edhe në aspektin politik, siç organizoi takimin e Prizrenit gjatë zgjedhjeve lokale. Deklarata e tij, se këtë partneritet strategjik do ta shtrijë edhe me fqinjët e tjerë të rajonit, tregon një vizion evropian. Kryeministri shqiptar duket se është i kënaqur me simbolikën e takimit dhe idenë se është në rrugën e rilindësve të kombit, si një rilindas i vetëshpallur. Ai ishte i kujdesshëm në përcaktimin e takimit si një veprim që nuk komprometon angazhimet ndërkombëtare dhe ndryshimin e kufijve. Kryeministri Rama meriton vlerësim në realizimin e këtij bashkëpunimi, për më tepër që, gjatë kësaj periudhe të qeverisjes, ky mbetet i vetmi veprim në politikën e jashtme që zgjon interes, në tërësinë e veprimeve pa vizion dhe strategji të qartë.

Mbledhja e parë e qeverive të Republikës së Kosovës dhe Shqipërisë duhet të përshëndetet dhe përkrahet, por suksesi i saj duhet të përcaktohet nga:

– Suksesi i realizimit të marrëveshjeve dypalëshe në të gjitha fushat prioritare të bashkëpunimit të evidentuar në Deklaratën e Përbashkët të Qeverive. Krijimi i rrjetit infrastrukturor midis dy shteteve, marrëveshjet e interkonjeksionit energjetik, angazhimet në fushën e arsimit, kulturës, etj., do të jenë prova e këtij suksesi.

– Simbolika të përdoret në funksion të optimizmit qytetar dhe jo si rikthim në projektet historike kombëtare të tejkaluara. Ajo nuk duhet të kalojë caqet e mirëkuptimit mbarëkombëtar që ky bashkëpunim është në funksion të mirëqenies së kombit shqiptar, të qytetarëve të tij për një jetë më të mirë, të nxitjes së procesit të integrimit evropian, etj. Theksimi i simbolikës krijon shpresa të mbingarkuara tek hapësirat e tjera të kombit shqiptar, për një përpjekje për bashkim kombëtar, ku ata e shikojnë veten të munguar në këtë proces. Deklarimet e shqiptarëve të Maqedonisë janë një fakt domethënës në këtë proces.

– Krijimi i një strategjie kombëtare për rolin e faktorit shqiptar në rajon. Ky projekt nuk mund të përmblidhet në programin e një qeverie, por duhet zgjeruar me kontributin e përbashkët të opozitës, shoqërisë civile, institucioneve akademike, që ky projekt të ketë një vazhdimësi dhe të prodhojë rezultate konkrete./mapo/

Mos humbisni

Më Shumë

Bayern dëshiron ta mbajë Tuchel-in si trajner

Pas një kthese të befasishme, Bayern Munich thuhet se dëshiron të mbajë Thomas Tuchel-in si trajner. Në shkurt, Bayern njoftoi se do të ndahej me...

Moti sot: I vranët dhe me intervale me shi

Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës ka bërë të ditur se këtë të mërkure parashihet të mbajë mot i vranët dhe me intervale me diell. Sipas IHMK-së,...

Lajmet e Fundit