21.8 C
Prizren
E premte, 29 Mars, 2024

Thaçi: Më vjen keq që në këtë gjykatë nuk mund të dëgjojmë dëshmitë e Rugovës, Albright, e të tjerëve

Ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, të martën para trupit gjykues në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK), ka thënë se ndjen keqardhje që për pafajësinë e tij nuk do të kenë mundësi që në këtë gjykatë t’i dëgjojnë dëshmitë e ish-presidentit Ibrahim Rugova, Fehmi Aganit, Adem Demaçit, Madeleine Albright, Richard Holbrooke, e liderëve të tjerë tani të ndjerë.

“Ata do të kishin dëshmuar në emrin tim për atë çka kam thënë dhe bërë gjatë asaj kohe shumë të rëndësishme në historinë e lirisë dhe pavarësisë së Kosovës. Jam i lumtur që shumë të tjerë si ata vendorë e ndërkombëtarë janë të gatshëm të dëshmojnë për pafajësinë time”, tha Thaçi.

Tutje, ai ka thënë se e gjithë Kosova e di që pa ndihmën e bashkësisë ndërkombëtare, e në veçanti të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, nuk do të mund të ishim kurrë të lirë dhe të pavarur, raporton “Betimi për Drejtësi“.

Thaçi, po ashtu ka përmendur edhe raportin e Dick Martyt, për të cilin tha se para 13 vitesh ky raport mbushi titujt e medieve me akuza të sajuara për trafik organesh nga Ushtria Çlirimtare e Kosovës dhe nga ai, e që për këtë ai tha se menjëherë i kishte kërkuar bashkësisë ndërkombëtare të hetonte në mënyrë të pavarur.

“Bashkësia ndërkombëtare më tha se një gjykatë e veçantë ishte thelbësore për të hequr renë e zezë të akuzave për trafik të organeve në Kosovë. Bota tani e di sot si rezultat i këtij procesi se nuk kishte trafik organesh dhe se Shtëpia e Verdhë nuk ka ekzistuar kurrë. Tani e dimë se unë, edhe Ushtria Çlirimtare e Kosovës, edhe populli i Kosovës dhe të gjithë shqiptarët jemi shfajësuar nga këto akuza, e vërteta është thënë dhe reja zezë mbi Kosovën është hequr, pra kjo sakrificë ia ka vlejtë”, tha Thaçi.

Thaçi gjithashtu ka thënë se pret që të shfajësohet nga çdo akuzë tjetër ndaj tij në përfundim të këtij procesi.

“Kam besim se ky proces do të jetë i drejtë, transparent dhe i shpejtë”, ka thënë Thaçi në fund.

(E përditësuar, ora 13:26)– Ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, të martën para trupit gjykues në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK), ka thënë se është i pafajshëm për akuzat që i vihen barrë.

Këtë deklarim, Thaçi e dha pasi mbrojtësit e tij u deklaruan në fjalën hyrëse, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Thaçi ka thënë se ndjen keqardhje dhe dhimbje për të gjitha viktimat e luftës, pavarësisht nga përkatësia etnike, fetare, apo politike.

“Viktimat nuk marrin drejtësi, kur të pafajshmit ndiqen, një padrejtësi nuk ndreqet nga një padrejtësi tjetër, unë jam i pafajshëm për të gjitha këto akuza, por unë jam gati të përballem me këtë sfidë të re”, ka thënë Thaçi.

Sipas Thaçit, emocionet, motivet apo mllefet politike, nuk duhet të kuptohen sikur fakte.

“Emocionet, motivet apo mllefet politike të secilit akter politik, nuk duhet të kuptohen si fakte në këtë sallë, kjo vlen edhe për disa botime apo opinione të pasluftës, të ekzagjeruara apo të përshtatura, të akterëve të ndryshëm të luftës”, ka thënë Thaçi.

Thaçi tha se pret që ky gjykim të jetë i drejtë dhe të përfundojë shpejt.

(E përditësuar, ora 12:30)-Mbrojtësi i Hashim Thaçit, avokat Lluka Mishetiq, ka thënë se Thaçi nuk ka pasur pushtet ligjor e ekzekutiv në cilësinë e kryeministrit të Qeverisë së Përkohshme të Kosovës.

“Hashim Thaçi nuk pati kur një pushtet ligjor e as ekzekutiv në cilësinë e tij si ashtuquajtur kryeministër i Qeverisë së Përkohshme të Kosovës, sepse siç e shpjegoj Z.Kehoe qeveria e përkohshme e Kosovës nuk ekzistoi kur siç u parashikua me Rambuje por u zëvendësua nga UNMIK-u”, ka thënë ai, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Sipas Mishetiq, Thaçi nuk kishte autoritet apo pushtet mbi Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), gjatë kohës kur ishte kryeministër, duke shtuar se, ky ishte vetëm një titull.

“Z. Thaçi nuk pati kurrë autoritet, pushtet mbi UÇK-në, si i ashtuquajtur kryeministër, e është e vërtetë që Hashim Thaçi ishte kryeministër për të përfaqësuar para ndërkombëtareve. Këto tituj ishin vetëm në letër si të thuash, sepse provat apo mungesa e provave e dëshmojnë mjaftueshëm këtë fakt”, ka thënë ai.

Mishetiq shtoi se Thaçi kishte bërë çmos që ta promovonte vetën sikur ishte një person i pushtetshëm, por sipas tij, realiteti ishte që nuk ishte dhe nuk kishte kontroll efektiv asnjëherë.

Po ashtu, ai ka prezantuar disa prova ku sipas tij, shihej se Thaçi nuk ka qenë i kënaqur me krimet që janë kryer.

“Është e besueshme se udhëheqësi i UÇK-së Hashim Thaçi së bashku me shumë prej komandantëve të lartë të UÇK-së mund të mos jenë të kënaqur me këto sulme dhe frikësim të vazhduar kundër popullatës jo shqiptare të Kosovës”, citoi ai.

Mishetiq tha se udhëheqësit e UÇK-së vazhdimisht iu kanë bërë thirrje serbeve që të qëndrojnë në Kosovë.

“Se ai është brengosur për aktet e dhunës kundër serbeve dhe për largimin e serbeve, duke thëne se kemi angazhuar që ditën e parë për të krijuar një shoqëri ku sundon toleranca dhe jo hakmarrja”, shtoi ai.

 

Kehoe: Hashim Thaçi nuk kontrollonte UÇK-në, atë kontrollonin komandantët e zonave

(E përditësuar, ora 10:55)-Mbrojtësi i Hashim Thaçit, avokati Gregory Kehoe, ka thënë se Thaçi nuk e ka kontrolluar UÇK-në, por ajo është kontrolluar nga komandantët e zonave.

Ai tutje tha se Thaçi nuk kishte mundur të nënshkruante marrëveshjen e Rambujes, pa pëlqimin e komandantëve të zonave, raporton “Betimi për Drejtësi”.

“Hashim Thaçi nuk mund ta nënshkruante marrëveshjen e Rambujes pa pëlqimin e komandantëve të zonave dhe komandantët e zonave kishin kaq shumë pushtet sa që ata shkarkuan komandantin e përgjithshëm, Azem Sylën, ndërkohë që Hashim Thaqi ndodhej në Rambuje”, ka thënë Kehoe.

Tutje, ai tha se si komandanti i përgjithshëm i UÇK-së, Azem Syla, ishte shkarkuar gjatë kohës kur ai dhe Thaçi ishin në Rambuje.

“Jo vetëm Hashim Thaçi ndodhej në Rambuje, edhe Azem Syla ndodhej në Rambuje, pra për të dhënë kontestin Hashim Thaçi ndodhjen në Rambuje edhe Azem Syla edhe anëtarët e tjerë të UÇK-së përfshirë edhe zotërin Krasniqi, asokohe Azem Syla ishte komandant i përgjithshëm i UÇK-së dhe pa i marr mendimet të Thaçit apo Azem Sylës apo askujt tjetër që ishte pjesë e delegacionit të UÇK-së, Azem Syla u shkarkua si komandant dhe u zëvendësua nga Sylejman Selimi”, ka shtuar ai.

Avokati Kehoe po ashtu tha se krimet të cilat ka përmendur ZPS-ja ditën e djeshme nuk janë kryer nga udhëheqja e UÇK-së por nga individët, e sipas tij këtë nuk e kishte mohuar as Thaçi.

 

Mbrojtësi i Thaçit: E gjithë ajo që u tha dje nga ZPS ishte dhunë si pasojë e krimeve të kryera nga forcat serbe

 

(E përditësuar, ora 10:40)-Në Dhoma te Specializuara ne Hage, ka filluar dita e dytë e gjykimit në rastin Thaçi dhe të tjerët, i cili po vazhdon me paraqitjen e deklaratave hyrëse nga ana e mbrojtjes.

Gregory Kehoe, avokat i Hashim Thaçit, ka mohuar të gjitha pretendimet e Prokurorisë Speciale.

Sipas tij, e gjithë ajo që u the dje nga ZPS ishte dhunë si pasoj e krimeve të kryera nga forcat serbe.

”ZPS kërkon të ju thotë juve se z. Thaçi ka drejtuar një ndërmarrjet të madhe kriminale, për të sunduar Kosovën”, ka thënë Kehoe.

Tutje, ai shtoi se në vitin 1998 UÇK-ja ishte një grup fillestar vullnetaresh që mbronin atë dhe luftonin për ekzistencën e tyre, duke vazhduar deri në shtator 1999 kur Thaçi së bashku me KFOR-in, e përfunduan çmilitarizimin.

Në vazhdim, avokati Kehoe, përmendi edhe kohën kur Thaçi dhe Krasniqi ishin në Rambuje dhe në atë kohe sipas tij, komandantet e zonave operative në Kosovë e ndërrua komandantit e përgjithshëm pa i pyetur ata.

Gjithashtu, ai foli edhe për ofensivat shkatërrimtare të cilat e kishin goditur UÇK-në në atë kohë.

Ai citoi njërin nga dëshmitarët e ZPS të ketë thënë se, “ofensiva ua kishte shkatërruar terë brigadën dhe se ata ishin shpërndarë”.

Sipas tij, kjo kishte ndodhur gjatën vitit 1998, dhe e njëjta ndodhi gjatë spastrimit etnik që ndodhi në 1999, ku sipas tij, UÇK-ja ishte eliminuar thuajse në tërësi dhe se dihet se çfarë i ndodh strukturave komanduese në raste të tilla.

 

Gjykimi ndaj Thaçit dhe të tjerëve, sot do të dëgjohen avokatët mbrojtës të ish-krerëve të UÇK-së

 

Sot do të vazhdojë gjykimi ndaj katër ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), që akuzohen nga Dhomat e Specializuara dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar në Hagë për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.

Të hënën u dëgjuan Zyra e Prokurorit të Specializuar dhe mbrojtësi i viktimave, ndërsa sot do të dëgjohen secili nga katër ekipet e mbrojtjes.

Pas leximit te aktakuzës së ndryshuar nga ana e ZPS-së, të akuzuarit Thaçi, Veseli, Selimi dhe Krasniqi u deklaruan të pafajshëm për veprat penale që u vihen barrë, raporton ‘‘Betimi për Drejtësi’’.

Dhomat e Specializuara të Kosovës(DHSK), të dielën, përmes një komunikate për media kanë bërë të ditur se në gjykimin ndaj Thaçit dhe të tjerëve është planifikuar që deklaratat hyrëse të mbahen më 3, 4 dhe 5 prill, duke filluar prej orës 9:00 të mëngjesit, ndërsa bëhet e ditur se seancat gjyqësore mund të përcillen në tri gjuhët e gjykatës, shqipe, serbishte dhe anglishte përmes funksionit të transmetimit në faqen e DHSK-së në internet, me një vonesë 45-minutëshe, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Në rastin ndaj Thaçit dhe të tjerëve janë pranuar si viktima në procesin gjyqësor, 140 persona. Ndërsa paraqitja e provave, duke nisur edhe thirrja e dëshmitarëve nga ZPS-ja do të nisë më 11 prill.

Ndryshe, Zyra e Prokurorit të Specializuar, më 30 shtator 2022 ka dorëzuar aktakuzën e konfirmuar të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, e cila përbëhet nga dhjetë pika me akuza, ku këta të fundit ngarkohen për krime lufte e krime kundër njerëzimit.

Më 29 prill 2022, Zyra e Prokurorit të Specializuar kishte dorëzuar një aktakuzë të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit e Jakup Krasniqit, ku pretendohet se katër të akuzuarit kanë kryer krime lufte edhe në Gjilan, Budakovë e Semetishtë.

Më 9 nëntor të vitit 2020, në paraqitjet e tyre të para, Jakup Krasniqi e Hashim Thaçi janë deklaruar të pafajshëm për akuzat që u vihen në barrë. Njëjtë është deklaruar edhe Veseli në paraqitjen e tij më 10 nëntor, sikurse edhe Rexhep Selimi më 11 nëntor.

Aktakuza ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit është konfirmuar më 26 tetor 2020./BetimipërDrejtësi

Më Shumë

25 vjet nga masakra në Krushë të Madhe dhe në tri fshatrat e Rahovecit

25 vjet më parë, konkretisht nga 25 deri më 27 mars 1999, në Krushë të Madhe nga forcat serbe janë masakruar 243 persona, ndërsa...

Konjufca: Qeveria s’ka arsye të japë dorëheqje

Kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, ka thënë se qeveria nuk ka arsye të japë dorëheqje. Këtë deklaratë ai e bëri para mediave kur u pyet...

Lajmet e Fundit