2.6 C
Prizren
E enjte, 26 Dhjetor, 2024

Thaçi po i jep shokët, një nga një

AlbinKurti1205Lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, në një intervistë për KosovaPress thotë se kryeministri po i jep shokët e vet një nga një.
Ata shokë të cilët ose e kundërshtojnë me të drejtë, ose i ka të papërdorshëm deklaron ai.
Kurti thotë se pazaret me Serbinë në Bruksel po e shfajësojnë Serbinë dhe po e inkriminojnë Kosovën, dhe pjesë e kësaj dukurie politike janë edhe’ persekutimet’, siç është shprehur ai, që po bëhen në Kosovë ndaj ushtarëve të UÇK-së.

Ai shprehet se EULEX-i nuk do të duhej të trajtonte krimet e luftës fare, duke e vlerësuar luftën çlirimtare të UÇK-së si një luftë të drejtë, e cila Albin Kurti thotë se, nuk lë vend për neutralitet, e që neutraliteti ndaj luftës çlirimtare të UÇK-së, sipas tij, tashmë është mbajtja e anës së Serbisë dhe regjimit të Millosheviqit.

“Mos harroni që fundi i vitit 2013 shënohet nga një ngjarje shumë e rëndë, e kjo është fakti që kryeministri i Kosovës Thaçi e bëri lidere në Ballkan Serbinë sërish. Pra, Serbia fillon negociata për anëtarësimin e plotë në Bashkimin Evropian. Ndërkaq, Kosova dhe Shqipëria nuk fitojnë asgjë. Ky jo vetëm që nuk po e ndihmon popullin, dhe kombin tonë, por ky po e ndihmon armikun tonë, dhe mendoj që kontributi personal i Thaçit në dekadën e fundit të shekullit 20-të për largimin e Serbisë nga Kosova është, tashmë, më i vogël sesa kontributi i tij personal për kthimin e Serbisë në Kosovë në dekadën e dytë të shekullit 21”, shprehet Kurti.

Në këtë intervistë, Kurti ka folur edhe rreth zhvillimeve politike në vend gjatë këtij viti, për politikën e jashtme, Lëvizjen Vetëvendosje, e çështje të tjera të politikës në Kosovë.

Si kryetar i Komisionit për Punë të Jashtme në Parlamentin e Kosovës, Albin Kurti, vlerëson se Ministria e Punëve të jashtme ka qenë e hendikepuar për shkak se, sipas tij, dialogu në Bruksel midis Thaçit e Daçiqit shumë vende i ka bërë që ta suspendojnë veprimin e tyre për njohjen e Kosovës në pritje të rezultateve të këtij dialogu. Përkundër kësaj, Kurti, pret njohje në vitin e ardhshëm, duke thënë se në këto vite nuk ka pasur njohje sa janë premtuar.
Ai thotë se Kosova e konteston vetën në bisedime me Serbinë dhe se nuk është aspak e papritshme që këtë gjë ta bëjnë edhe të tjerët që ndoshta mund ta kenë konsideruar njohjen e Kosovës më herët.

Ai kritikon edhe ministrin Enver Hoxhaj duke thënë se gjatë mandatit nuk ka qenë në nivel të detyrës sa i përket llogaridhënies ndaj Kuvendit të Republikës së Kosovës, ndaj Komisionit për Punë të Jashtme. Ai thotë se të gjitha vizitat që i ka bërë jashtë vendit, ministri Hoxhaj, asnjëherë nuk është shoqëruar me asnjërin prej anëtarëve të Komisionit, ndonëse rregullorja e punës së Kuvendit e kërkon një gjë të tillë.

“Shërbimi i jashtëm i Republikës së Kosovës dhe Ministria e Punëve të Jashtme lëngojnë shumë nga partizimi, pra nuk bëhet fjalë për politizim, por bëhet fjalë për partizim jopolitik, për shkak se me njerëz të partisë, që kryesisht kanë qenë militant gjatë fushatave e para fushatave, pas zgjedhjeve ata janë shpërblyer me poste nga më të ndryshmet dhe shërbimi i jashtëm, jo vetëm që nuk ka qenë imun ndaj kësaj dukurie të shëmtuar, por njëkohësisht edhe duket se ka qenë preferencë e aq shumë militantëve të partisë në pushtet që kësisoj të marrin pozita ku pajisen edhe me imunitet dhe privilegje, por të njëjtën kohë kjo i mundëson që ta shtyjë edhe më tej agjendën partiake”, shprehet ai.

Lëvizja Vetëvendosje, në Parlament, shpeshherë ka ndryshuar agjendat për të cilat Kurti thotë se kjo ka ndodhur për shkak se Kuvendin e Kosovës nuk e shohin si shtëpi ku banojnë politikanët, por e shohin si një arenë ku ballafaqohen botëkuptimet demokratike, dhe kjo është arsyeja, sipas tij, pse edhe kritika edhe debati ka lindur me hyrjen e deputetëve të Vetëvendosjes në Kuvendin e Republikës së Kosovës.

“Besoj që pa deputetët e Vetëvendosjes në Kuvendin e Kosovës, ai nuk do të ishte as Kuvend as i Kosovës. Ndërkohë që ne aty e kemi mbrojtur edhe Republikën si prej Qeverisë, po ashtu, edhe prej Serbisë, sepse ka orvatje të vazhdueshme që Kosova të mbetet pa Republikë edhe në aspektin e funksionimit të procedurave të institucioneve shtetërore, gjithashtu, edhe në aspektin juridik-nominal. Ju e dini që pazaret në Bruksel që po quhen dialog me Serbinë e kanë pasur gjithmonë në shënjestër Republikën e Kosovës me çrast kryeministri i Kosovës ka lëshu pe për çështjen e shtetit, ndërkohë që ka fituar vetëm privilegje personale”, thotë Kurti.

Sa i përket rezultatit në zgjedhjet lokale, qytetarët e Prishtinës kanë qenë më shumë të njoftuar dhe familjarizuar me Lëvizjen Vetëvendosje sesa në asnjë komunë tjetër, vlerëson Kurti. Shpifjet dhe akuzat e pabaza, siç i quan ai, ndaj Lëvizjes Vetëvendosje kanë hasur në vesh të shurdhër në Prishtinë thotë Kurti duke e cilësuar si kandidat të shkëlqyeshëm Shpend Ahmetin. Por, në vitin që po vjen, me shumë bindje, ai thotë se do të qeverisin me Kosovën.

“Arritja kryesore e Kosovës në vitin 2013 është ndryshimi në kryeqytetin e Kosovës, pra fitorja e Vetëvendosjes dhe Shpend Ahmetit, nuk ka asgjë në vitin 2013 më pozitive sesa ky fakt, i cili do të testohet dhe sfidohet në vitin 2014, për shkak se në vitin 2014 ne do të arrijmë të tregojmë edhe me shembullin tonë se si duhet të qeveriset. Duhet ta dëshmojmë që administrata është shërbim, jo sundim. Do ta kemi transparencën radikale, dhe gjithashtu, përveç se do t’i ndalim të gjitha të këqijat që kanë ardhur nga pushtetet e pasluftës, në të njëjtën kohë do të bëjmë edhe shumë punë të mira, gjithnjë përbrenda konceptit tonë, e me qëllime tona të cilat e vendosin interesin e përgjithshëm mbi interesin e veçant”, thotë Kurti.

Sipas tij, deri sa Vetëvendosje nuk qeverisë me vendin do të jetë më keq për Kosovën, dhe se janë duke bërë strukturim brenda kësaj Lëvizje si përgatitje për zgjedhjet parlamentare. Lëvizja Vetëvendosje, ndonëse është në Kuvendin e Republikës së Kosovës, tash e tre vjet, ajo për herë të parë ka marrë pjesë në zgjedhje lokale, dhe alternativa për qeverisje lokale, sipas Kurtit, edhe pse ishte e vetmja, nuk arriti që të depërtonte tek qytetarët e komunave tjera, përveç Prishtinës, ashtu siç kanë menduar dhe ashtu siç kanë pritur.

Më Shumë

Spektakli nuk ka mbaruar, zbulohet kundërshtari i ardhshëm i Tyson Furyt pas humbjes ndaj Usyk

Promotori Eddie Hearn ka zbuluar se kush mund të jetë kundërshtari i ardhshëm i Tyson Furyt pas humbjes së tij ndaj Oleksandr Usyk dhe...

Nënshkruhet marrëveshja Kosovë-Shqipëri për Lojërat Mesdhetare 2030

Kryeministri Albin Kurti dhe homologu i tij shqiptar Edi Rama në emër të qeverive respektive nënshkruan sot marrëveshjen e bashkëpunimit për organizimin e Lojërave...

Lajmet e Fundit