Partia Demokratike e Kosovës (PDK), ka mbajtur debat me intelektual të të gjitha fushave, në ambientet e Kompleksit të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit. Kryetari i PDK-së Hashim Thaçi, njëherit edhe kryeministri i Kosovës, ka premtuar se në mandatin e ardhshëm do të investohen 200 milion euro në Prizren.
“Ky qytet e meriton të investohet edhe më shumë, për të vazhduar të qenit kryeqytet shpirtëror i shqiptarëve”, tha Thaçi.
Kurse, kandidati i PDK-së për kryetar të Komunës së Prizrenit, Ramadan Muja tha se jo rastësisht jemi në vendin ku u themelua Organizata Politike dhe ushtarake e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit për ta shpalosur programin zgjedhor për Prizrenin Europian.
“Nga ky vend që është vend i shenjtë për gjithë shqiptarët, zotohemi se në mandatin e ardhshëm me votën tuaj dhe të qytetarëve do ta bëjmë edhe më atraktiv për vizitorë të shumtë. Me investimin për rregullimin e teleferikut prej Lidhjes së Prizrenit në Kalanë e lashtë ilire”, tha Muja.
Ai ka theksuar se me PDK-në do të kemi ngritje të cilësisë në arsim, duke e përfunduar procesin e digjitalizimit të procesit mësimor, do të kemi një shëndetësi më efikasi, shërbime më cilësore të administratës dhe një përkujdesje edhe më të madhe për familjarët e dëshmorëve, invalidëve dhe qytetarët me gjendje të rëndë ekonomike.
Muja ka premtuar se që në mbledhjen e parë të Kuvendit të ri të Prizrenit do të merret vendim për lirimin nga tatimet komunale për bizneset prodhuese. “Vota juaj për PDK-në do të thotë ta vazhdojmë edhe për katër vite bashkëqeverisjen e Prizrenit me të gjithë qytetarët e vullnetit të mirë që duan ta ndihmojnë Prizrenin”, tha Muja.
Ndërsa, ministri Enver Hoxhaj, ka thënë se Muja është kryetari më i suksesshëm në të gjitha komunat e Republikës së Kosovës dhe këtë e ka arritur duke qenë se është i hapur me të gjithë dhe ka bashkëpunuar me të gjithë. “Andaj edhe në të ardhëm do të jetë i suksesshëm, sepse me punën e tij ka dëshmuar se ka lidhë kontratë me qytetarët e Prizrenit pa dallim feje e kombësie që të punojë për ta bërë Prizrenin Eropian, andaj keni arsye të plotë që të votoni për të më 3 nëntor”, tha Hoxhaj.
Gjatë ditës Partia Demokratike e Kosovës, ka mbajtur edhe një tubim elektoral në ambientet e shkollës “Ibrahim Fehmiu” në lagjen “Arbanë”. Në këtë takim Thaçi ka theksuar se të gjitha premtimet e kryetarit Muja do të përkrahen edhe nga Qeveria e Kosovës. Ai i ftoi të gjithë që më 3 nëntor të votojnë për Ramadan Mujën, sepse është mundësia e vetme e vazhdimit me hapa të shpejtë të realizimit të Prizrenit Europian.
“Vota e juaj për Ramadan Mujën është votë për të ardhmen e Prizrenit, është votë për zhvillim ekonomik, është votë për një infrastrukturë dhe shëndetësi e mirëqenie për të gjithë qytetarët. Andaj nëse mendoni që të jeni krenarë pse jeni prizrenas, votoni për Prizrenin Europian, votoni për Ramadan Mujën dhe Partinë Demokratike të Kosovës”, ka përfunduar Thaçi.
Kandidati për kryetar të Komunës së Prizrenit, Ramadan Muja, ka folur për disa pjesë të programit zgjedhor, që kanë të bëjnë me investimet kapitale. “Nëse ju të nderuar qytetarë me votën tuaj na besoni që të jemi bashkërisht edhe gjatë mandatit të ardhshëm, të jeni të bindur se lagjen “Arbana” do ta bëjmë lagjen më moderne me infrastrukturë të standardeve evropiane, sepse e meritoni ashtu siç e keni merituar. Gjatë katër viteve të shkuar në këtë lagje kemi investuar mbi 2 milion Euro, ndërsa në mandatin e ardhshëm do të investojmë trefishin e investimeve të deritashme”, tha Muja./PrizrenPress.com/