12 C
Prizren
E hënë, 12 Maj, 2025

Tre policë nga Prizreni, dënohen për ryshfet

Zyrtarët policorë N.  A., D. B.dhe M. S., të premten, janë shpallur fajtorë nga Gjykata Themelore në Prizren, për veprën penale të marrjes së ryshfetit.

Ndërsa, zyrtari tjetër policor, B.B., është liruar nga një akuzë e tillë.

N. A. është dënuar me një vit burgim efektiv dhe dy mijë euro gjobë, ndërsa të akuzuarit D. B.dhe  M. S., janë dënuar me nga tetë muaj burgim efektiv dhe me nga 1500 euro gjobë.

Aktgjykimin e ka shpallur kryetarja e trupit gjykues, Ajser Skenderi, e cila ka deklaruar se pas administrimit të provave dhe analizimit të tyre, trupi gjykues ka ardhur në përfundim se të akuzuarit, janë fajtorë për veprat penale me të cilat ngarkohen.

Gjyqtarja Skenderi, po ashtu ka deklaruar se i akuzuari B. B.  është liruar nga akuza për marrje ryshfeti sepse nuk është arritur të dëshmohet se i njëjti ka kryer veprën penale me të cilën akuzohej.

Ajo i ka njoftuar të dënuarit se nëse nuk do ta paguajnë dënimet me gjobë brenda afatit prej 15 ditësh pas plotfuqishmërisë së këtij aktgjykimi, atëherë ky dënim do të zëvendësohet me dënim me burgim, ku për çdo 20 euro do të llogaritet një ditë burgim.

Më 24 shkurt të këtij viti, Prokuroria Themelore në Prizren, ka ngritur aktakuzë ndaj të akuzuarve në fjalë, të cilët i akuzon se gjatë periudhës gusht-nëntor 2016, duke vepruar si policë trafiku, drejtpërdrejtë kanë kërkuar dhe marrë ryshfet në të holla.

Sipas aktakuzës, të akuzuarit, u kanë marrë para shkelësve të rregullave të trafikut, në shuma të ndryshme, duke filluar prej 10 e deri në 100 euro, në mënyrë që të mos u shqiptojnë gjobat kundërvajtëse.

Prokuroria për këto akuza, së bashku me aktakuzën, ka dorëzuar edhe provat e nxjerra nga masat e fshehta, në mesin e tyre edhe disa DVD, ku sipas tyre shihen të akuzuarit duke marrë ryshfet.

Në këtë rast ka pasur edhe një marrëveshje për pranimin e fajësisë në mes të akuzuarve  dhe Prokurorisë Themelore në Prizren, por një marrëveshje të tillë gjykata e ka refuzuar./betimiperdrejtesi/

 

Më Shumë

Ftohen banorët e Gjonajt dhe Tupecit të propozojnë emra për rrugët dhe sheshet e paemërtuara

Kryetari i Këshillit Lokal të fshatrave Gjonaj dhe Tupec të Hasit, Herolind Osmanollaj, ka ftuar të gjithë banorët që të dërgojnë propozimet e tyre...

Instituti “Katalea” për vrasjen e vajzës nga i ati në Prizren, alarm për reflektim dhe veprim shoqëror

Instituti për Psikologji dhe Kriminologji “Katalea” me seli në Prizren përmes një reagimi ka vlerësuar se vrasja e vajzës 15-vjeçare nga i ati në...

Lajmet e Fundit