9.8 C
Prizren
E enjte, 25 Prill, 2024

Treshja në pushtet rrezikon Kosovën

Skenari i papritur i të premtes mbrëma, përpjekja që nëpërmes peticionit, nënshkrimin e të cilit e bënë organizatat e veteranëve të dala nga lufta, dhe nënshkrimi i mocionit të deputetëve të Kuvendit të Kosovës për të ndryshuar Ligjin për Gjykatën Speciale, nga analistët politikë po konsiderohet si një planifikim i paramenduar mirë nga presidenti i vendit, Hashim Thaçi, si bashkë-organizator, bashkë me Kadri Veselin dhe Ramush Haradinajn, që t’ia fusin flakën këtij vendi, vetëm që të mbajnë pushtetin me çdo kusht, dhe me çdo çmim, kurse nga ana tjetër të frikësuar se pikërisht ata do të jenë ndër të akuzuarit e parë të Gjykatës Speciale.

Në gjykimin e analistëve politikë duket i pakuptimtë plani i veprimit, se si u bë që i njëjti njeri, pra Hashim Thaçi, para dy vjetësh këmbëngulte që deputetët e partisë së tij ta votonin me çdo kusht Gjykatën Speciale, ndërkaq që tani kërkon në çdo mënyrë për ta shfuqizuar Ligjin dhe Gjykatën e Speciales. Kjo lëvizje dhe pozicionim i kundërt tani po gjykohet si një aventurë politike e treshes në pushtet, që një qëllim të vetëm kanë të shpëtojë shefin e madh. Pra kjo lojë po konsiderohet si një skenar i mirë- organizuar, që prej kritikave publike të presidentit kundër Gjykatës Speciale, kundër bashkësisë ndërkombëtare që gjoja e paskan tradhtuar duke mos ia dhënë Kosovës kinse liberalizimin e vizave etj. Një lojë e tillë po vlerësohet tepër e rrezikshme që mund të nxisin tensione dhe trazira, si pjesë e skenarit, vetëm e vetëm që ta nxjerrin veten si “shpëtimtarët “e rrejshëm të Republikës, edhe pse secili qytetar i vendit e ka të qartë tashmë se këta sundimtarë tanimë të urryer nga shumica absolute e qytetarëve kosovarë, në fakt janë rrënuesit kryesorë të shpresës së këtij populli të dërrmuar nga keqqeverisja, korrupsioni dhe krimi i organizuar. Sipas analistëve politikë, në vend të shfuqizimit të Ligjit për Speciale, do të duhej që të ishte një nismë tjetër, që t’i zgjerohej mandati edhe për krimet monstruoze ekonomike të korrupsionit dhe krimit të organizuar, që e kanë lënë Kosovën vendin më të varfër, më të papunë, më të degraduar në çdo aspekt, dhe jo që ai mandat t’i kufizohet dhe pamundësohet edhe për çmimin e rrezikimit të shtetit të Kosovës.

“Shfuqizimi i këtij ligji vetëm se do të aktivizonte KS të OKB-së për të krijuar një Tribunal për Kosovën të pastër vetëm për UÇK-në, pasi Gjykata Speciale prek edhe veprime pas lufte dhe do të humbnim ashiqare përkrahjen e SHBA-së, Britanisë dhe vendeve që sigurojnë ekzistencën tonë si shtet. Por, sidoqoftë, edhe bashkësia ndërkombëtare nuk po sillet sinqerisht me Kosovën, e sidomos Bashkimi Evropian po tregohet tejet i ashpër me miqtë e tyre të sinqertë karshi armiqve profiterë”, theksoi politologu Gurakuç Kuçi për gazetën “Kosova Sot”

Grushti politik i brendshëm, ishte minimi i qeverisjes “Haradinaj”

Sipas politologut Gurakuç Kuçi, veprimet e së premtes, që të kishte një shfuqizim të Ligjit për Gjykatën Speciale apo Dhomat e Specializuara, ishte një tendencë për ‘grusht diplomatik të jashtëm dhe grusht politik të brendshëm’. Kjo tendencë, sipas Kuçit, ishte një rrjetë veprimesh të shumë- anshme me tri qëllime: “Qëllimi i parë ishte grushti diplomatik ndaj bashkë- sisë ndërkombëtare për mosmbajtjen e premtimeve të tyre në këmbim të koncesioneve që ka bërë Kosova dhe getoizimi i kësaj të fundit. Me deputetët kryesisht nga PDK-ja, duke shpresuar në përkrahje nga gjithë koalicioni dhe VV-ja, gjë që do ishte një kërcënim nga presidenti Thaçi për të treguar brenda dhe jashtë se ka fuqi politike dhe partiake dhe ashtu si i ka kaluar, në të njëjtën mënyrë mund t’i shfuqizojë vendimet, si themelimi i Gjykatës Speciale. Qëllimi i dytë, që të mos prekeshin ‘peshqit e mëdhenj’ nga kjo Gjykatë dhe të mbrohej klasa politike, sidomos lideristët dhe ngjarje që prekin klasën politike të mos zbulohen. Së treti, grushti politik i brendshëm ishte minimi i qeverisjes ‘Haradinaj’ dhe koalicionit të tanishëm si anti-ndërkombëtar, me tri anti (antiDemarkacionit, anti-Asociacionit dhe anti-Gjykatës Speciale), po ashtu të njëjtët do të dilnin si përkrahës të krimeve të bëra pas lufte, gjithnjë duke shfrytëzuar katrahurën që ka shkaktuar vetë qeverisja ‘Haradinaj’ me vendime që e amnistojnë qeverisjen e keqe të qeverive të kaluara”, theksoi Gurakuç Kuçi për gazetën “Kosova Sot”. Sidoqoftë, ai pohon se ambasadori i SHBA-së dhe i Britanisë së Madhe në Kosovë, si dora e zgjatur e dy shteteve të tyre rojtarë të Republikës, i njohin mirë tendencat hipokrite për pushtet të politikanëve në Kosovë dhe reaguan fuqishëm kundër këtyre veprimeve. “Dhe këtu e shfrytëzoj rastin për poenë politikë edhe tek ndërkombëtarët, Lëvizja ‘Vetëvendosje’, e cila u tregua konstrukte më shumë se i gjithë koalicioni dhe Qeveria së bashku. Sidoqoftë, që nga fillimi kjo çështje, duke përfshirë edhe peticionin e veteranëve dhe ndryshimin më vonë kundër vullnetit të peticionuesve të qëllimit të peticionit, kishte qartazi mungesë sinqeriteti, për këto arsye: së pari, koha se kur u ndërmor kjo iniciativë që ka mundur të bëhet shumë më parë; e dyta, njerëzit të cilët e organizuan janë njerëz komplet të dalë nga partitë politike dhe njerëz që shfrytëzohen nga pushteti për qëllimet e tyre, së treti, juridikisht ky veprim nuk mund të bëhet në mënyrë të tillë, pasi ka shumë pasoja”, është shprehur ai.

“Eksperimentet” e tilla politike kanë një skenar mirë të organizuar e të orkestruar

Analisti politik Hidajet Ahmeti ka pohuar se lojërat e tilla politike janë të rrezikshme për vendin, e potencialisht shkaktojnë destabilitet brenda shtetit të brishtë të Kosovës. “Konsideroj se “eksperimente” të tilla politike, që brenda kanë një skenar mirë të organizuar e të orkestruar, nuk i bëjnë nder vendit, qytetarëve, por as Republikës së brishtë të Kosovës. Kosova nuk e ka komoditetin për t’ia kthyer shpinën atyre që sakrifikuan gjithë qenien e tyre politike e ekonomike për bërjen e Republikës, por edhe ndihmën e vazhdueshme që po e japin në procesin e ndërtimit të Republikës dhe institucioneve të saj. Shteti i Kosovës është një foshnjë, që akoma nuk e ka marrë fuqinë për vetëmjaftueshmërinë e saj si shtet pa ndihmën nga jashtë, por edhe pa bashkëpunim me miqtë ndërkombëtarë. Gjykata Speciale është një produkt si shkak dështimit të shtetit të Kosovës për të gjykuar krimet e supozuara të UÇK-së, edhe pse në substancë është diskriminuese dhe do të gjykojë vetëm krimet e supozuara të UÇK-së. Përmes kësaj gjykate diskriminuese, edhe njëherë do të dëshmohet lufta e drejtë e UÇK-së, duke larguar njollat të cilat janë munduar në vazhdimësi t’ia vënë armiqtë shekullorë. Trinomi që solli vendin në një “vdekje klinike”, Thaçi, Veseli e Haradinaj, përmes këtij skenari të rrezikshëm tentuan që të sajojnë një problem të paqenë për të krijuar perceptimin e shfajësimit ndaj qytetarëve për gjendjen e rëndë socio-ekonomike, por edhe krimet ekonomike të pasluftës. Në vend që trinomi politik, Thaçi, Veseli e Haradinaj të ngjallin një diskurs publik e institucional për të zgjeruar mandatin e Gjykatës Speciale, duke i dhënë mandat për të hetuar e për të gjykuar edhe krimet ekonomike, ata po mundohen ta shfajësojnë veten për dështimet e tyre megalomane socio-ekonomike, e mbi të gjitha izolimin e shtetit të Kosovës”, theksoi analisti Hidajet Ahmeti për “Kosova Sot”.

Reshiti: Kreatorët e “puçit” janë politikanët më të papërgjegjshëm

Njohësi i fushës së të drejtës dhe analisti politik Blerim Burjani, këtë përpjekje e sheh më shumë si hakmarrje ndaj premtimeve ndërkombëtare karshi Hashim Thaçit, që nuk u realizuan akoma, por nga ana tjetër pohon se Kosova s’ka nevojë të merret fare me Gjykatën Speciale, pas aprovimit të ligjit për këtë gjykatë, sepse kjo është temë e kryer, sado që është imponim i padrejtë. “Asnjëherë në Kosovë nuk është menduar që është gjykatë e drejtë, por edhe fakte s’ka, por ka fantazi të një njeriu që e shpiku këtë gjykatë, si Dick Marti. Kjo gjykatë është themeluar me trillime, por trillimet duhet vërtetuar përmes provave. Kjo që ka ndodhur dhe po ndodh për këtë çështje është se, e para, Thaçit i është premtuar një integrim më i shpejtë në BE, dhe ai kishte pranuar një gjykatë të këtij lloji për shkak të interesit të qytetarëve që e ka deklaruar edhe vetë, dhe e dyta, nuk është i sigurt se kush është krejt në atë listë të prokurorit special që pritet të ngritën paditë, pra ka një konfuzitet dhe pasiguri”, është shprehur analisti Blerim Burjani për “Kosova Sot”. Analisti politik Ymret Reshiti vlerëson se tentativa për ta shfuqizuar Ligjin për Gjykatën Speciale është vetëvrasje politike e shtetit të Kosovës. Ai po ashtu konsideron se kreatorët e “puçit” për ta abroguar Ligjin për Gjykatën Speciale janë politikanët më të papërgjegjshme të Kosovës, të cilët demonstruan qartë rrezikimin e zhbërjes së shtetit të Kosovës. “Është drithëruese për qytetarët e Kosovës që tre zyrtarë të lartë të shtetit tregohen aq të papërgjegjshëm, saqë për interesat të tyre personale ta rrezikojnë të ardhmen e popullit të Kosovës. Veprimi politik në terrin e natës për të kontrabanduar vendimin për ta shfuqizuar Ligjin për Gjykatën Speciale është akt tradhtie ndaj miqve ndërkombëtarë të pavarësisë së Kosovës. Këta politikanë shkelën edhe traditën e Besës shqiptare. Këta janë besëthyesit e Kosovës që shkelën fjalën e dhënë miqve ndërkombëtarë për ta themeluar Gjykatën Speciale. Tentativa për abrogim të Ligjit për Gjykatën Speciale është cenim i drejtpërdrejtë i marrëdhënieve të Kosovës me shtete mike. Veprimet e tyre politike tinëzare tregojnë më së miri për mendësinë e tyre ,të veprimeve në prapaskenat, të mendësisë luftës dhe konflikteve,të krimit dhe korrupsionit, të interesave personale, të shantazhit, të kërcënimit, të kaosit politik. Nëse dikush kërkon llogari pse u themelua Gjykata Speciale, dihen me emër dhe mbiemër cilët deputetë votuan për atë gjykatë dhe kreatorin e saj Hashim Thaçi. Abrogimi i Ligjit për Gjykatën Speciale prodhon pasoja shumë më të rrezikshme për Kosovën sesa sikur të mos ishte miratuar më parë”, është shprehur analisti Reshitit për gazetën “Kosova Sot”. Analisti Ali Hertica thotë se kjo ishte një përpjekje shumë e menduar mirë dhe një provokim i menduar mirë karshi faktorit ndërkombëtar, por që i ka bërë keq dhe ka rrezik t’i bëjë akoma më keq shtetit të Kosovës në ditët që vijnë. “Kosova e mbylli një ditë me shqetësime të mëdha për qytetarin në zhvillimet e mëtutjeshme të politikanëve gënjeshtarë të shtetit, për një hap të shpejtë të koalicioni qeverisës nga Partia Demokratike e Kosovës, që bëri përpjekje në Parlament, duke mashtruar deputetët për votimin e një projektligj, i cili do të shfuqizonte Gjykatën Speciale, që do të fillojë punë nga janari i vitit 2018. Kjo gjykata është miratuar në Parlamentin e Kosovës mu nga këta deputetë, nën trysnin e Thaçit në vitin 2015 – edhe me votat e PDK-së”, është shprehur analisti Ali Hertica për gazetën “Kosova Sot”. Ai ka shtuar se ky qëllim i fundit u përgatit duke mobilizuar veteranët e UÇK-së, që të mbledhin nënshkrime kundër Gjykatës Speciale. “Qeverisja e këtij koalicionit ka bërë me këtë një provokim serioz kundër Perëndimit me shfuqizimin e Gjykatës Speciale, gjë që u shpërfaq hapur edhe nga reagimet e ambasadorëve të Quintit, ambasadorët e Uashingtonit dhe Londrës”, theksoi Hertica për “Kosova Sot”.

“Të gjitha janë thënë me kohë për të këqijat e gjykatës speciale në Kuvendin e Kosovës, bile disa deputetë ( nga LVVja) i kanë kapur mikrofonin kryesuesit dhe duart disa deputetëve për të penguar votimin. Pse tash ne duhet ta rrezikojnë pavarësinë e Kosovës për gabimin e Hashim Thaçit me kompani apo për ta shpëtuar atë nga Gjykata Speciale. As Hashim Thaçi dhe akëcili politikan në Kosovë, pavarësisht kontributit të tyre nuk mund të vlejë sa Kosova. Le ta heqin nga mendja, sidomos plehu i politikës kosovare që ka kapur shtetin, ka instaluar krimin dhe korrupsionin dhe kanë shkatërruar shtetin se janë aq të vlefshëm sa të bëjnë çfarë te duan me Kosovën”, theksoi analisti Ymret Reshiti për gazetën “Kosova Sot”

“Shumica e këtyre njerëzve që kjo gjykatë pritet t’i godasë, janë nga PDK-ja , por edhe VV-ja dhe e partitë e vogla, siç është edhe AAK-ja. Kjo gjykatë s’ka të bëjë fare me punën e Gjykatës së Hagës, kjo gjykatë nuk e amniston askënd, mandati i saj është shumë specifik, që të merret me vrasjet e paraluftës dhe pas luftës si dhe trafikimin e mundshëm me organe njerëzore, pikërisht me komandantët që ende janë në qeverisje të plotë”, ka theksuar analisti Blerim Burjani për gazetën “Kosova Sot”

(Kosova Sot)

Më Shumë

Real Madrid e mposht Barcelonën, blindon kreun e La Liga-s

Real Madrid e ka mposhtur sërish Barcelonën, duke e blinduar kreun e La Liga-s. Skuadra madrilene triumfoi me rezultat të ngushtë 3:2, me anglezin që...

AKP-ja shpall për shitje 26 asete, 3 lokale në Prizren

Agjencia Kosovare e Privatizimit (AKP) ka mbajtur të mërkurën ceremoninë e hapjes së ofertave të shitjeve përmes Likuidimit nr. 65, e cila përmban 26...

Lajmet e Fundit