17.5 C
Prizren
E martë, 3 Qershor, 2025

A me u ndi i krenum a i turpnum?!

Petrit Musolli

Kombëtarja e Shqipnisë na ka dhurue krejt çka kem pritë me na dhurue! Kem pritë lojëna të mira, sepse e kem ditë që grupi nuk është i lehtë! Kem pritë tifozëri masovike dhe për shembull, që janë për shembull!

Kem pritë me i dëshmue Europës së çfarë futbolli e shpirt sporti u ka munguar deri tash, dhe e dëshmuan! Nuk ka as edhe hamendje ma të vogël për mos me u ndi krenar me futbollistat e tifozat tanë!

Dhe, sikur kish me zgjatë kjo ndjenjë krenarie më gjatë sesa kur na shfaqet ajo fotografi monument e Xhenetës duke luajtur, po ashtu, plot vullnet… pak kohë para vrasjes së saj! Sepse, Xhenetën e kanë vra!

E kanë vra këta politikanë, që mendojnë se shkuarja e tyre në Francë është Haxh! Që besojnë se rrugëtimi për Francë është rrugëtimi i tyre për Haxhin, ku Zoti ka me i pa, e fal!

Para se me marrë rrugën për Francë (me trup a mendje), është dashtë më marrë rrugën për Prizren. Para se me na bombardue me tanë gzimin e tyre për ‘dasmën’ në Francë, me na demonstrue, njëherë, tanë dhimbjen e tyre për tragjedinë në Prizren. Tanë ne që nuk ishim në Prizren, e lamë Xhenetën vetë! Sikur mos me pas qenë kurrë!

Mirë që i mbushëm stadiumet e Francës, por është dashtë me e mbush edhe sheshin e Prizrenit, për Xhenetën! Sepse, Xhenetën e kemi humbur përgjithmonë, dhe nuk kthehet pas katër vjetësh!

Jo vetëm me e mbush sheshin, por me e ‘kall’ Prizrenin. Jo për pushtet, por, për Xhenetën! Dhe, Xheneta na e shpërfaqi të vërtetën (që moti dihet), se ku nuk ka pushtet, nuk ka vullnet! Nuk u panë gjëkundi as ata ‘kolosat’ e shoqnisë civile! Ata që plot krenari i’u bashkoheshin protestave nacionaliste e raciste, e as e morën mundin me rrugëtue deri në Prizren, në demostrimin (ndër të rrallët paslufte) e një vullneti human.

Nuk u ndi e fyer as tanë ajo turmë, me vrasjen e Xhenetës, sikur u ndien të fyer me një ofendim verbal të një ministri serb. Sepse, Xhenetën e kanë vra politikanët shqiptarë! Është më pak e dhimbshme vrasja e saj, sesa tri fjalë goje të një politikani serb!

Për tanë ata që këndojnë zhurmshëm ‘o sa mirë me qenë shiptar’, ta kujtojnë Xhenetën dhe dhimbjen që e treguam për të. Para se me shiku flamurin, ta shikojnë fotografinë e Xhenetës! Para se me i këndue Shqipnisë së madhe, ta vajtojnë vogëlsinë e shpirtit tonë! Tanë neve që nuk morëm mundin me udhëtue deri në Prizren. Tanë neve që nuk e morëm mundin as me vajtue, sepse, Xhenetën, nuk e kishin nxjerrë në breg valët e lumëbardhit, me u ba lajmi i botës.

Organizatorët e protestës me të drejtë arsyetonin se numri nuk përbën argument. Por, numri në këto dy protestime (ato me 100 mijë dhe kjo me 100), na argumentuan paqt si loti të vërtetën e shoqnisë sonë.

Një shoqni që tubon 100 mijë veta kundër një komuniteti, e nuk mund të mbledhë as 100 vetë për mbrojtjen e një komuniteti, siç janë, në këtë rast, fëmijët e familjet e rrezikuem dhe harruem nga udhëheqësit e tyre! Një shoqni që tubon 100 mijë veta me uluru egërsisht, e nuk mundet m’i afru as 100 veta me demonstru njerëzi e dhembshuni!

Përderisa nuk tubojmë 100 mijë veta për Xhenetën, e as 100 për manipulantat politik, krenaria jonë ka me vazhdu me zgjatë veç 90 minuta, njëherë në dy a katër vjet./gazeta blic/

Më Shumë

Nis projekti prej 2.5 milionë eurove për infrastrukturën në lagjen “2 Korriku” të Prizrenit

Punimet për rregullimin e infrastrukturës rrugore në lagjen “2 Korriku” në Prizren kanë filluar të martën me pjesëmarrjen e autoriteteve komunale dhe përfaqësuesve të...

‘Oldtimer Fest’, Prizreni mirëpret qindra makina retro nga mbarë rajoni

Në zemër të Prizrenit, në Sheshin e Shadërvanit, këtë të diel u mblodhën qindra makina retro, duke i dhënë qytetit një atmosferë të veçantë...

Dy kunata

Lajmet e Fundit