2.8 C
Prizren
E shtunë, 20 Prill, 2024

U pushuan nga puna 20 gazetarë/ “Nëndrejtori i ATSH-së tregon barsaleta për Haxhi Lleshin e tallet me Agollin”, dokumenti sekret për Ramiz Alinë

Dashnor Kaloçi/ Publikohet raporti “sekret” i datës 22 janar të vitit 1976, ku sekretari i Komitetit të Partisë së Tiranës, Sotir Kamberi, informon dhe denoncon te Ramiz Alia, gjithçka ndodhte në Agjensinë Telegrafike Shqiptare, e cila asokohe drejtohej nga Fiqri Vogli si drejtor dhe Nasho Nathanali, si nëndrejtor, ku midis të tjerash thuhet: “Nasho Nathanaili ka thënë: “Sot jepet skifter kafeja”, (fjala për një delegacion kinez), “tani që shkoi Presidenti, shpëtoi Peshkopia“, “sot jep pritje mbreti” (për shokun Haxhi Lleshi), “të mos nxijmë të kaluarën, se do na qeshin dynjaja”, (është fjala për një lajm se në rrethin e Sarandës sot janë 6 farmaci nga një që ish në të kaluarën), “Rita Marko me që nuk doli në gazetë, shkoi dhëndëri dhe e nxorri në televizion”, (kur shoku Rita Marko priti një delegacion)”. E gjithë ngjarja që ndodhi në Agjensinë Telegrafike Shqiptare, si dhe shënimi i Ramiz Alisë për dënimin e nëndrejtorit dhe pushimin nga puna të 20 gazetarëve e zëvëndësmin e tyre nga klasa punëtore!

Dokumenti që po publikojmë në këtë pjesë të librit është një raport-informacion me siglën “Sekret”, i datës 22 janar të vitit 1976, ku sekretari i Komitetit të Partisë së Tiranës, Sotir Kamberi, denoncon te Ramiz Alia, gjithçka ndodhte në Agjensinë Telegrafike Shqiptare, e cila asokohe drejtohej nga Fiqri Vogli si drejtor dhe Nasho Nathanali, si nëndrejtor. Nisur nga rëndësia tepër e madhe që kishte ai institucion politiko-informativ i propagandës së regjimit komunist, dokumenti në fjalë duket se paraqet mjaft interes, gjë e cila duket edhe nga shënimet që ka vënë aty Ramiz Alia, lidhur me problemt që u kishin shkatuar udhëheqjes dy drejtuesit kryesor të saj?! Kryesisht nëndrejtori, Nasho Nathanaili, i cili tregonte anekdota me zarar kundër “shokëve të udhëheqjes”, dhe gjithashtu vinte në lojë kuadro të tjerë të lartë të institucioneve të propagandës, siç ishte Radio Televizioni Shqiptar. Dhe kjo gjë duket se i ka kushtuar shtrenjtë Nathanailit, ndaj të cilit udhëheqja e lartë dhe vetë Ramiz Alia, morrën masat përkatëse, duke mos bërë asnjë lëshim ndaj tij. Për më shumë rreth “problemit ATSH”-së dhe drejtuesëve të saj, na njeh dokumenti sekret, të cilin po e publikojmë të plotë dhe pa asnjë shkurtim.

Raport-informacioni sekret për Ramiz Alinë

PARTIA E PUNES SHQIPERISE Sekret

KOMITETI I PARTISE Ekzemplar Nr 1

Nr. 100. Prot. Tiranë, më 22/1/ 1976

shokut Ramiz

Bashkangjitur ju dërgojmë informacionin: “Mbi gjëndjen në ATSH”

SEKRETARI I K.P. TIRNANES

(Sotir Kamberi)

INFORMACION PER GJENDJEN NE ATSH

Byroja e Partisë së rrethit të Tiranës më datën 23.12.1975. shqyrtoi raportin e Komitetit të Partisë së Rajonit Nr.3

“Mbi gjëndjen në organizatën e Partisë në ATSH“.

Raport ky i kontrollit punëtor dhe i ekipit të Komitetit të Partisë së rajonit. Në byronë e Partisë së rrethit u thirr Byroja e Partisë e institucionit, sekretarët, e organizatave bazë të Partisë dhe shokët e drejtorisë.

Autokritikë nuk kish se nuk jepnin shëmbull as byroja e as kuadrot. Byroja dhe kolegjiumi thuajse përbëhej nga të njëjtët njerëz. Kështu që byroja spostohej nga kolegjiumi.

Në organizatën bazë të Partisë dhe në kolektiv, ka pasë thashetheme, grindje, e përçarje deri në krijimin e tarafeve. Një palë në krah të drejtorit Fiqiri Vogli dhe një palë në përkrahje të Nasho Nathanailit. Shumë i dobët ka qënë kontrolli dhe kërkesa e llogarisë për zbatimin e vendimeve si ndaj komunistëve ashtu dhe ndaj drejtorisë. Organizata e Partisë nuk ka thirrur asnjëherë në raport administratën apo sektorët për të njohhur gjëndjen dhe për të përcaktuar detyra.

Jo vetëm kaq por byroja është bërë ortake me kolegjiumin duke bërë mbledhje të përbashkëta ku drejtonin dhe i jepnin konkluzionet drejtuesit e institucionit. Është nënvleftësuar organizata e Partisë pasi problemet qoftë ato themelore të institucionit, qoftë ato të fërkimeve midis drejtorit Fiqiri Vogli e zëvëndësdrejtorit, Nasho Nathanaili nuk zgjidheshin në organizatë, por jashtë saj dhe poshtë e përpjetë ka munguar debate ideologjik në organizatë. Kjo ka ndodhur se ka pasë oportunizëm e liberalizëm. Kuadrot në vënd të jepnin llogari vinin në dukje meritat e tyre. Punonjës të veçantë janë shprehur se karakterin kombëtar ATSH-ja e ka marrë me ardhjen e Fiqiri Voglit mendim të cilin Fiqiriu nuk e ka kundërshtuar.

Këto thënie qarkullonin në redaksinë e brëndshme, por janë përhapur dhe në redaksinë e jashtme. Është e qartë se përgjegjësia për këtë gjëndje të sëmurë rëndon në radhë të parë mbi organizatën bazë e byronë e saj, e mbi dy kuadrot kryesorë: Fiqiri Vogli e Nasho Nathanaili. Fiqiri Vogli në vënd që të nxirrte konkluzione e detyra për këtë gjëndj, e herë insiston se ay nuk është fajtor, se ay ka punuar dhe luftuar për rregull e ka kërkua llogari, herë justifikohej se ay ka qenë për një kohë i sëmurë dhe nga kjo kanë përfituar elemnetë ngatrrestar pë të krijua përçarje.

Me kontrollin që u ushtrua në ATSH me konkluzionet, masat dhe detyrat e lëna gjëndja natyrisht ka filluar të ndryshojë, por me ngadalë, mbas duke flluar që nga drejtori dhe komunistët të tjerë, nuk kanë qenë plotësisht dakort me konkluzionet, bile, Mersin Seitaj, i kundërshtoj ato, duke hedhur poshtë faktin që atje ka pasur dy tarafe etj.

Komiteti i Partisë i Rajonit Nr. 3 ka marrë këto masa:

Byroja e Komitetit të partisë pasi analizoi pë gjëndjen në dt. 23.12.1975 mori këto masa:

Si zëvëndësdrejtor në ATSH, mban përgjegjësi pë gjëndjen e sëmurë e pëçarjen e krijuar. Në redaksinë e brendëshme të cilën e ndiqte direkt ka pas ç’thurrje, liberalizëm, thashetheme, intriga, shipfje, shprehje banale, nderim allazogiste e deri parrulla armiqësore. Ka mbajtur qëndrim mospërfillës e përçmues ndaj njerëzve e kuadrove.
Është përpjekur t’u imponojë organizatës mendimet e veta, është bërë shkakëtar i prishjes së unitetit në organizatë dhe në kolektiv. Nuk ka kërkuar llogari. Është marrë me thashetheme, ka krijuar tarafe, ka marrë nëpër gojë kuadro duke thënë se; “ju hap goja Dritëro Agollit”, “foli ai qafleshi”, për Veiz Lelon, etj.

Ka përdorur thënie me karakter politik dhe armiqësor

-Me që akoma disa kuadro që është vendosur lëvizja e tyre nuk janë larguar, u vendos që brenda 15 janarit 1976, të përfundojnë lëvizja e tyre dhe sjellja e elementëve të rinj.
-U vendos që t’i propozohet nomeklaturës përkatëse që Fiqiri Vogli, të shkarkohet nga detyra e drejtorit, pasi ai mban përgjegjësi për gjëndjen e rëndë të krijuar në ATSH. Është treguar mëndjemadh, hakmarrës dhe përkrahës i tarafeve. Problemet në vënd që t’i zgjidhte në organizatë, e ka spostuar atë duke u përpjekur t’i zgjidhë jashtë saj. Ka lejuar që të bjerë vigjëlenca e të lejohet raste të kopjimit të literaturës së huaj. I ka munguar vigjelenca për t’i kapur e bërë problem, parrullat armiqësore.
-Me gjithë kritikat dhe thirrjet që i bëri Byroja e Partisë e Tiranës për të kuptuar dhe vlerësuar gabimet, ai nuk bëri autokritikë të shëndoshë, e më shumë vuri në dukje meritat e tij, duke shprehur hapur se ai nuk ish dakord me qëndrimet që mbaheshin ndaj tij.
-Duke qenë se punonjësit e ATSH ndodhen për çdo çast nën presionin e ideologjisë së huaj, Byroja porositi që të forcohe puna e organizatës së Partisë dhe e drejtorisë për edukimin ideologjik të punonjësve dhe sidomos puna për aftësimin e kuadrove të reja që kanë ardhur në ATSH./Memorie.al
Tiranë, më 20.I.1976

SEKRETARI I K.P. TIRANES

(Sotir Kamberi)

Më Shumë

Vjedhja e veturës në fshatin Damjan të Hasit: I mituri arrestohet pas aksidentit në Prizren

Një veturë është vjedhur mbrëmë në fshatin Damjan të Hasit tw Gjakovës. Pronari ka deklaruar se vetura ka qenë e parkuar në oborrin e shtëpisë. Ajo...

Asambleja Parlamentare voton pro anëtarësimit të Kosovës në KiE

Deputetët në Asamblenë Parlamentare kanë votuar në favor të Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Evropës. Nga 171 deputetë që morën pjesë në votim, 131...

Lajmet e Fundit