-5.2 C
Prizren
E diel, 24 Nëntor, 2024

UÇK zuri robë tetë ushtarë serbë në Pashtrik të Prizrenit

Eshaloni i UÇK-së në luftë me forcat armike të pritës dhe dimrin e acartë në Pashtrik (12)

Pasi arrijnë në qytetin e Nishit, Enver Krasniqin dhe Azem Sumën i dërgojnë për shërim të plagëve të luftës në Spitalin Ushtarak të Nishit, kurse pesë ushtarët e tjerë në Burgun Ushtarak të Nishit. Mjekët serbë, pasi i kishin kontrolluar pacientët e zënë rob, kishin konstatuar se Azem Suma ka dy plumba në këmbë, ndërsa Enver Krasniqi pesë plumba në pjesë të ndryshme të trupit. Të dytë kishin humbje të një sasie të konsiderueshme të gjakut, gjë që janë detyruar të marrin gjak si dhe i kanë operuar plagët në këtë spital. Në përgjithësi, eprorët ushtarakë serbë në spital kishin sjellje korrekte dhe ishin treguar të kujdesshëm për shërimin e plagëve të tyre. Ndërsa disa ushtarë të thjeshtë, pa praninë e eprorëve, silleshin shumë keq, duke i provokuar vazhdimisht dhe fyer në komb. Gjatë qëndrimit në spital gjykatësit hetues i kanë kërcënuar disa herë se do t’i dënojnë nga 15 deri 20 vjet burg. Pas tretmanit mjekësor pesëmbëdhjetëditorë, dy të plagosurit dërgohen në paraburgim në Burgun Ushtarak të Nishit.

Në këtë burg nga 17 dhjetori mbaheshin edhe Blerim Spahiu, Ismet Mazreku, Merita Ramadani, Nazmi Bellaqa, Samet Ballazhi, Sherif Bellaqa dhe Xhavit Krasniqi i sjellë në këtë burg më 18 dhjetor.

Ushtari Sherif Bellaqa në dhomën e burgut kishte gjetur dy të burgosur (ushtarë serbë) që kishin dezertuar nga Ushtria Jugosllave. Njëri fliste gjuhën shqipe, meqë vinte nga Obiliqi. Ai kishte treguar se tri herë radhazi ka dezertuar nga vendluftimet që zhvilloheshin në trevën e Rahovecit, kurse tjetri ishte nga Smedereva e Serbisë.

Nëntor 1998. Fotografi e realizuar përballë Kazermës së UÇK-së në Vlahën

Pas operimit në spital, Enver Krasniqin e dërgojnë në burg natën e Vitit të Ri më 31 dhjetor. Ndërkohë ia dërgojnë në dhomë një ushtar serb që kishte dezertuar nga Ushtria Jugosllave, i cili përndryshe kishte ikur nga lufta në Kosovë. Ai vinte nga Krushevci i Serbisë, mirëpo ishte një djalë shumë i mirë dhe human. Ishte kujdesur ndaj Enverit për t’ia bërë pastrimin e plagëve, pastaj i hiqte jashtëqitjen, meqë ai nga plagët që kishte nuk mund të lëvizte dot. Madje, me të hollat e veta i blinte edhe cigare.

Prokurori ushtarak në Nish më 17. 12. 1998 kishte parashtruar kërkesën në Gjykatën Ushtarake në Nish për zbatimin e hetimeve kundër pjesëtarëve të UÇK-së: Ismet Mazreku, Enver Krasniqi, Azem Suma, Blerim Spahiu, Sherif Bellaqa, Samet Ballazhi dhe Nazmi Bellaqa. Të gjithëve u vihet në barrë vepra penale për të cilat mund të shqiptohet dënimi 10 vjet e më shumë burgim. Këta të gjithë janë akuzuar se në gjysmën e dytë të vitit 1998 kanë kaluar ilegalisht në Republikën e Shqipërisë me qëllim të furnizimit me armë dhe përgatitje tjetër për nevoja të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe se në grupin e më se 150 personave më 14 dhjetor 1998 në mes të orës 02-03 kanë tentuar që ilegalisht të hyjnë në territorin e RFJ-së, në rajonin e gjerë të Karakollit “Liken”, duke bartur me vete sasi të madhe armësh dhe municion, armatim dhe përgatitje tjetër ushtarake për nevoja të UÇK-së në Kosovë. Gjykatës hetues ishte togeri Zdravko Dordevicq, ndërsa lënda për Merita Ramadanin dhe Xhavit Krasniqin ishte veçuar ngase ata ende ishin të mitur.

8 JANAR 1999 – UÇK ZURI ROB TETË USHTARË SERBË

Rreth orës 11:00 ushtarët e Zonës Operative të Shalës të UÇK-së, më 8 janar të vitit 1999, kanë zënë rob tetë ushtarë serbë, të cilët më 13 janar u shkëmbyen me nëntë ushtarë të UÇK-së, të zënë rob nga forcat serbe në Pashtrik të Prizrenit. Nga pjesëtarë të Policisë Ushtarake dhe të Njësitit Special të Brigadës 141 “Mehë Uka” të Zonës Operative të Shalës, në një aksion në fshatin Bare të Mitrovicës arrin që t’i zënë të gjallë 8 ushtarë serbë:

  1. Dragan Jugovic?, rreshter i vjetër
  2. Ivan Kostic?, dhjetar
  3. Aleksandar Milašinovic?, dhjetar
  4. Robert ?ekanovic?, ushtar
  5. Nikola Cvijovic?, ushtar
  6. Marko Pavlovic?, ushtar
  7. Nenad Jovic?evic?, ushtar
  8. Aleksandar Subotic?, ushtar.

Pas kësaj ushtria serbe kishte dhënë ultimatum që deri në orën 15:00 të asaj dite të lirohen pa kurrfarë kushti. Por, UÇK-ja kishte vendosur që lirimi i ushtarëve serbë të kushtëzohej me lirimin e nëntë ushtarëve të UÇK-së që ishin kapur tri javë më parë nga forcat serbe në Pashtrik. Më pastaj me ndërmjetimin ndërkombëtar arrihet marrëveshja për shkëmbimin e pengjeve të luftës. Lirimi ishte rezultat i bisedimeve katërorëshe midis përfaqësuesve të Shtabit të UÇK-së: Jakup Krasniqi, Ramë Buja, Sokol Bashota dhe delegacionit ndërkombëtar në përbërje: William Walker, shef i Misionit të OSBE-së (KVM-së), Christopher Hill dhe Wolfgang Petrisch, ndërmjetës ndërkombëtar për Kosovë. Kështu, më 13 janar 1999 lirohen 8 pjesëtarët serbë, ndërsa dhjetë ditë më vonë, sipas marrëveshjes dhe garancisë së faktorit ndërkombëtar, më 23 janar lirohen edhe 9 pjesëtarët e UÇK-së. Kjo përbënte një fitore të madhe politike, ushtarake dhe diplomatike për UÇK-në ngaqë kishte bërë trajtimin e njerëzishëm ndaj tetë robërve të luftës, gjë që ishte dëshmuar edhe nga rrëfimet e vet ushtarëve jugosllavë. (Vijon)/ LULZIM SAHITI

Më Shumë

Drita Qenaj, kandidate e PDK-së në Has për deputete në zgjedhjet parlamentare

Partia Demokratike e Kosovës (PDK), dega në Has, ka zyrtarizuar kandidaturën e Drita Qenajt për deputete në zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit 2025, përcjell...

Sot në Kosovë temperaturat deri në -4

Sot në Kosovë pritet të mbajë mot i vranët por me intervale me diell, teksa temperaturat do të shkojnë deri në -4 gradë Celsius.   “Mot...

Lajmet e Fundit