7.8 C
Prizren
E shtunë, 20 Prill, 2024

‘Unaza e Saturnit’, testamenti poetik i Xhevdet Bajrajt

Zyrafete Shala

Unaza e Saturnit është vëllimi i parë dhe i vetmi i poetit Xhevdet Bajraj që fund e krye përmban poezi dashurie. Në krijimtarinë e tij të pasur poe­tike, që shtrihet në një periudhë kohore mbi tri­dhjetë­vjeçare, Bajraj i ka kënduar dashurisë, kur më shumë e kur më pak, madje dashurinë kaherë e ka vlerësuar si ekuivalente të jetës. Megjithatë, asnjëherë më parë nuk i dedikoi kësaj teme një vëllim të tërë me poezi. Këtë e bëri në fund të rrugëtimit në këtë botë.

Shumë vjet më parë, në një nga intervistat e tij, ai thoshte: Kur jetohet jeta nuk dhembJeta dhemb kur nuk jetohet. Nisur nga kjo sentencë dhe duke qëndruar edhe më tej brenda filozofisë së Bajrajt, mbase na lejohet që të nënkuptojmë se edhe një jetë e kaluar me dashuri nuk dhemb, aq më pak kur ajo përmbyllet duke i thurur himn dashurisë. Nga ky pikëvështrim, një shpërthim i tillë lirik pak para ndërprerjes së krijimtarisë, merr një konotacion më të thellë, për t’u shfaqur më tepër sesa epilog, si një rekapitullim i ndërdijshëm i vlerës së të jetuarit apo edhe si një duel i fuqi­shëm mes Erosit dhe Thanatosit. Ky duel në poe­zinë e Bajrajt është shfaqur shumë herët dhe nga­dhënjimi i njërit apo tjetrit, në faza të ndryshme të përleshjes, ka determinuar edhe diskursin mbi­zotërues dhe atmosferën e poezive të tij, që shfa­qen ndonjëherë me disponim të errët si momento morie, ndonjëherë plot shkëlqim e dritë.

Unaza e Saturnit është libri i fundit i dorëzuar në shtyp nga vetë autori prandaj, gjatë leximit të poezive, deshëm apo jo, e gjejmë veten duke u përpjekur t’i deshifrojmë të pathënat, filozofinë jetësore dhe mënyrën e perceptimit të botës derisa poeti ndiente tek i endeshin përreth engjëjt e zi të vdekjes. Edhe pse ky vëllim kishte kohë që konsi­derohej i finalizuar, në dorëshkrimin me poezi të pabotuara, që kam pranuar nga Bajraj pak ditë para ikjes së tij nga kjo botë, krahas udhëzimeve të tjera, kam gjetur shënime se disa poezi duhet të shtohen te ky vëllim, që do të thotë se deri në çastet e fundit poeti ishte i shqetësuar rreth fatit të mëtejmë të krijimeve të veta aq sa e lejonin rrethanat në të cilat gjendej… dhe kur e ndjeu se ndarja nga to iu bë e pashmangshme atëherë, duke më bërë një nder të jashtëzakonshëm, m’i besoi mua me porosinë që t’i kem nën përkuj­desje. Titulli i librit edhe në kohën e dorëzimit, edhe gjatë përgatitjes për shtyp, ishte i përkoh­shëm, meqë Bajraj ende kishte dyshime mes dy përzgjedhjeve të titujve Unaza e Saturnit dhe Aty ku perënditë gjunjëzohen, prandaj bashkë me botuesin kemi vendosur që libri t’i ketë të dy titujt, sepse që të dy e përvijojnë plotësisht konceptin e Bajrajt për dashurinë.

Në asnjë nga vëllimet e mëparshme të Bajrajt dualizmi jetë – vdekje (lexo: dashuri – vdekje) nuk është më i theksuar se tek Unaza e Saturnit, ngaqë ato, krijimet e mëhershme me motive të tilla, ishin reagime ndaj situatave të rënda jetësore, qoftë krimeve gjatë luftës, qoftë vdekjes së njerë­zve të dashur. Ndërsa në këtë vëllim koncepti i vdekjes shfaqet me përmasa të reja, si një dukuri që poeti e ndien shumë pranë vetes, pavarësisht nëse është i vetëdijshëm për të apo jo. Prandaj, si i tillë, ky libër mund të analizohet në shumë rrafshe.

Janë tri cikle në të cilat ndahen poezitë e këtij libri: Legjenda e ujit të ëmbël, Poeti dhe muza dhe Ringjallja, të cilave u prin Kënga e dashurisë, një krijim programatik ku, krahas ndjesisë që sjell te të tjerët të kënduarit për dashurinë, shfaqet edhe konceptimi i dashurisë si liri shpirtërore. Nga një vështrim i tërësishëm i poezive të këtij vëllimi vërehet se në mesin e tyre ka lirika të kulluara të dashurisë, dedikuar Asaj, Muzës apo Zanës; poeti rrëfen, kujton ngjarje dhe situata, sugjeron shtigje për të ardhmen, adhuron Muzën, flet mbi të vër­tetat që thuhen vetëm kur njeriu është i dashu­ruar. Vijnë pastaj edhe poezitë e tjera ku dashuria shfaqet e mbështjellë me një tis trishtimi, e rre­thuar nga hija e vdekjes dhe, së fundi, një grup poezish që, në dukje, dalin si të shkëputura nga tematika mbizotëruese, por që ngërthejnë në vete dilemat dhe trazimet shpirtërore të subjektit lirik nëpër periudha të caktuar kohore, mes luhatjeve të hovshme të disponimit.

Ngjashëm me vetë jetën, që shpesh i përafron çastet e këndshme dhe ato të hidhura, edhe ndarja e poezive nëpër cikle nuk ka si kriter përmbajtjen substanciale të tyre; ato ndjekin një rend të natyr­shëm, duke shpërfaqur kështu kompleksitetin e përjetimeve emocionale të subjektit lirik.

Dashuria si shpëtim nga tufanet e jetës dominon në një varg të poezive; atëherë kur ritmi i të jetuarit sikur fillon të përshpejtohet, kur: Një erë e fortë /i shkul ditët e netët /nga kalendari i jetës, njeriu, i shtytur nga instinkti i mbijetesës, kërkon të gjejë diçka, qoftë një degë, një fije kashte, një fjalë apo ndjenjë që do ta mbante të lidhur për truallin e jetës. Xhevdet Bajraj me kohë ka pohuar se në moshë të re ka nisur të shkruajë poezi nga frika prej vdekjes, ndërsa e ka vazhduar më tej që të mund ta përballojë jetën, mirëpo në ciklin e poe­zive ku dashuria shfaqet si shpëtim, përballjen me jetën e mbështet vetëm te dashuria, madje krijon dikotominë e fuqishme poezi – dashuri ngaqë ai: e kishte kuptuar / se ata sy / se poezia / janë një mënyrë / për t’i thënë jetës / ja ku jam.

Ashtu si Zoti që njeriut të parë i krijoi një grua, për ta mbytur mërzinë, edhe Bajraj e ndien se brenda poezisë së tij duhet të shtojë një grua, që tabloja të jetë e përplotësuar dhe përballja me peshën e padurueshme të jetës të bëhej më e lehtë. Prandaj kufijtë e dashurisë në poezinë e Bajrajt tejkalojnë përmasat e jetës në tokë, ata shtrihen në të gjitha botët, në tërë universin, ku lëvizja e trupave qiellorë dhe dukuritë e natyrës vihen në funksion të dashurisë: Nuk do të ndalem /derisa ta zgjoj diellin / përtej Atlantikut /e ai të të zgjojë ty / me një puthje. Nevoja e natyrshme për ta pasur në krah dashurinë, gjatë rrugëtimit nëpër trajektoren e jetës, u jep ngjyrime magjike edhe çasteve të njohjes, ditëve të rrethuara me gjemba – siç i quan poeti, atyre ditëve që vijnë befasishëm, por që shënojnë kthesa të fuqishme duke thyer acarin e jetës: Më dhemb /që nuk mund të ta shpjegoj /se ende jetoj në atë ditë / kur jemi takuar për herë të parë.

Në kuadër të poezive ku përmasat e dashurisë shtrihen deri në pafundësi, zënë vend edhe poezitë në të cilat subjekti lirik personifikohet me objekte të natyrës ujin, pemën, diellin, apo edhe me vetë vargjet e tij, vetëm për të qenë më pranë të dashu­rës. Personifikimet e kësaj natyre lexuesit mund t’i vijnë si reminishenca nga poezia e traditës, megjithatë Bajraj i përpunon ato, i bën më prak­tike, i përafron me përditshmërinë, u jep ndjesh­mëri e kuptim të ri brenda sistemit poetik dhe filozofisë së tij origjinale jetësore. Dashuria si mall apo si mungesë, përshkon një varg poezish që i karakterizon një figuracion jashtëzakonisht i pasur,nëpërmjet të cilit sendërtohen dhimbja, malli dhe thellësia e vuajtjes së subjektit lirik, si në vargjet: e dashur / mos shko / aty ku nuk do të mund të të sheh / zemra ime /mos u fsheh nga ajo /se është lodhur duke vdekur /pa të parë, apo në poezinë tjetër:Ajo është më e vërtetë se dielli / sa larg është e sa shumë më djeg / malli për të. Është pikërisht malli, që gruas në poezinë e Bajrajt i jep pushtet të pakufishëm mbi çdo gjë që e rrethon, ajo i bën lulet e fustanit të lulëzojnë, hardhinë ta pjekë rrushin, e bën diellin të lind, e shndërron njeriun në engjëll, i bën të ndiejnë të ftohtë banorët e qytetit kur ajo futet brenda shtëpisë. Ky pushtet i paskajshëm, sikur i shton edhe më shumë mallin për të ndaj, pavarësisht prej vështirësive që i sjell jeta, poeti i drejtohet asaj për t’i konfirmuar takimin e radhës:Muzë / mos ke frikë / po vrapoj kah ti / pa këmbë /Mbase do të vonohem / por gjithsesi do të vij.

Megjithatë, poeti është i vetëdijshëm se rendi i gjithësisë nuk drejtohet nga dëshirat e njerëzve, prandaj në sfondin e shumicës prej poezive qën­dron errësira ku dëgjohet troku i kalit të vdekjes. Ai e ndien se bota përreth dalëngadalë po e hum­bet shkëlqimin, e ndien se: sa rëndë qenka /ta shohësh një grua të bukur / me sytë e një të vdekuri; por ai vazhdon të shkruajë, t’i sjellë lexuesit edhe ato drithërima që po i ndiente për herë të parë.

Poezitë në të cilat Xhevdet Bajraj e parandjeu fundin e afërt janë të shumta brenda këtij vëllimi, por Amaneti, Ajo tokë, Verë e bardhë, Kali e njihte rrugën, Buzë varrit, Restoranti ‘Jeta’, Takimi me dallëndyshen etj. janë ndërtuar mbi motive të tilla që, të shikuara nga këndvështrimi i tanishëm, janë profetike: E dashur / jam pakëz / vetëm pakëz i lodhur / nëse nuk do të jem më / kur të botohet ky libër / amanet /le të më varrosin me këpucë të mba­thura / se s’jam i marrë / ta bëj as edhe një hap / në të panjohurën / pa to. Sado që e shqetëson rrugë­timi drejt të panjohurës dhe ndarja nga gjërat e bukura të jetës, Bajraj me kokëfortësi vazhdon ta mbrojë të vërtetën e tij që vetëm nëse dashuron je gjallë /e nëse të duan atëherë je edhe më gjallë, për më tepër ai është i sigurt se: nëse je në qiell / apo në varr / por të dashurojnë / je gjallë / më se i gjallë – qasje kjo me të cilën autori jo vetëm e paraqet dashurinë si energji të jetës, por e ngre atë mbi çdo gjë, madje edhe mbi vdekjen.

Poezitë e këtij vëllimi testament janë himne për dashurinë pavarësisht prej rrethanave në të cilat shfaqet, pavarësisht moshës, ngazëllimeve dhe dhimbjeve që shkakton ajo. Si i tillë, vëllimi poetik Unaza e Saturnit,po aq sa rrugëtimin e dashurisë brenda një jete, shpërfaq edhe rrugëtimin ndri­çues të poetit brenda vetes, brenda ndjeshmërive që i hapin rrugë shpirtit të lirë krijues. Si poet, i ngarkuar me detyrën e shenjtë të mbjelljes së dashurisë, Xhevdet Bajraj nuk rreshti asnjë çast së përmbushuri këtë detyrë, i deshi njerëzit, i deshi bashkëkombësit, e deshi atdheun, e deshi të buku­rën dhe u përpoq t’i vinte emër asaj, t’i gjente vendin në këtë botë; e deshi lirinë dhe u përball me dhimbjet që i shkaktonte ajo. Tërë ky poten­cial që u transponua në vargje antologjike, i sigu­roi atij pavdekësinë. Me këtë vëllim poetik, që nuk do të jetë i fundit, Bajraj e shtyu edhe një hap më tutje poezinë shqipe, gjegjësisht poezinë e dashurisë. Peneli i tij prej mjeshtri nuk synoi asnjëherë stolisjen e vargjeve me trillime retorike, ngarkimin e tyre me fjalë parazitare. Ai punoi shumë për mbrujtjen e fjalës me emocion dhe lehtësinë e bartjes së këtij emocioni deri te zemrat e lexuesve, për t’i zgjuar ato nga letargjia, ashtu siç ngjan rëndom vetëm në poezitë universale që u mbijetojnë kohëve dhe kulturave të ndryshme.

Bajraj nuk ishte nga ata krijues që lehtësinë e të shkruarit e konsiderojnë si shkathtësi apo edhe si perfeksionizëm. Mendimet i tilla i konsideronte si fyerje për letërsinë, sepse procesin krijues e shihte si gjendje me përgjegjësi. Në bisedat e shumta që kishim mbi letërsinë, Bajraj shpeshherë më ka për­sëritur se: Nuk është me rëndësi sa mundohet poeti të nxjerrë fjalët dhe të krijojë kuptimin, ajo është pjesë e laboratorit krijues dhe mbetet brenda tij, sepse është e natyrshme që çdo krijim, çdo lindje të përcillet me dhimbje. Me rëndësi është që lexuesit t’i kuptojnë lehtë dhe t’i ndiejnë sa më pranë ato që u përcjell krijuesi.

Më Shumë

Zbulohet emri i vajzës së Luizit dhe Kiarës, ja detaji që nuk u shpëtoi fansave

Luizi dhe Kiara do të bëhen prindër për herë të parë. Moderatorja është në ditët e fundit të shtatzanisë, ndërsa ditën e djeshme çifti...

Qethja e deleve në familjen e dëshmorit të UÇK-së, Pal Paluca (Foto)

Zyrtarët e Drejtorisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural nw Prizren  kanë asistuar në qethjen e deleve në familjen e dëshmorit të UÇK-së, Pal...

Lajmet e Fundit