-3.3 C
Prizren
E mërkurë, 15 Janar, 2025

Unaza prej ari e Gjeçovit

Dorian Koçi

(148-vjetori i lindjes të Shtefën Gjeçovit)

Në përvjetorin e lindjes së fratit Shtjefën Gjeçovi ia vlen të kujtosh sesi ky misionar i dijes mblidhte, jo vetëm Kanunin e maleve tona, apo shkruante drama historike për mesjetën shqiptare, por gjurmonte dhe shpëtonte pasuritë arkeologjike të nëntokës sonë.

Ja rrëfimi i At’ Shtjefën Gjeçovit në vitin 1900, sesi e shpëtoi këtë unazë ari, për t’ia kaluar brezave të tjerë të shqiptarëve. Ky rrëfim është shkëputur nga një shkrim i studiuesit Jaho Brahaj, i titulluar “At Shtjefë Gjeçovi. Si shpëtoi kambana e Skënderbeut”, Suplementi Rilindësi, 18 gusht 2013.

“Ishe n’Laç – Sebaste të Kurbinit, si i parë famulliet, si gjejshe t’knaqun n’kërkim të vjetërsinave –përmi t’cillat tash flas, – m’u beh në qelë Dr. Paal Traeger prej Zehlendorf­it t’Berlinit. I vlerti anthropolog e arkeolog, i cili atbotë pat fillue dishka me belbue taljanisht, e unë si burr i madh(!) xuna me ju lëvdue për do sende t’vjetra t’cillat i pata gjet mun n’atë kohë m’nji vorr në vend t’qujtun “Kodër Bogëz” në katund të Laçit – Sebaste.

Dr. Traegeri mu lut me ja diftue visarin tem, edhe unë me njerzie ja qita përpara. E pvetshe herë për nji send herë për nji tjetër, e ky rrap­çap me me atë gjuhë taljane, u mundote me mi kallxue do punë përmbi ato vjetërsiena.

Ndër kto sende kishe edhe nji unazë­arit t’cillën e pata gjetë n’vorr të vendit të përmendun, dhe e pveta Dr. Traeger­in, qi t’më diftote kohën e vjetërsienës s’sajë, e ky mu përgjegj: “Kohën e vlerën s’mund ta kallxoj, se na arkeologët jena të betuem me mos kallxue as kohën as çmimin e vjetërsievet, por po deshte me e shitë, unë po të nap mje m’7 (shtatë) napolana për atë unazë”!!

Të falem nderës i thaçë Dr. Traeger­it, me më dhanë 400 napolana s’e shes, por veç deshta me ditë kohën e çmimin e vjetërsies…”.

Unaza nuk u shit. Arkeologu italian L. Ugolini në vitin 1927 e vlerësoi këtë unazë duke e përshkruar e përfshirë në vëllimin “Shqipëria arkeologjike” nga ku i kemi të ruajtura përshkrimin dhe foton e saj. Pas vdekjes së Gjeçovit, unaza e “famshme” ruhej në Muzeumin Françeskan në Shkodër, deri në vitin 1945, pastaj erdhi në Tiranë.

Më Shumë

Arrestohen katër të mitur në Prizren, e sulmuan një person dhe ia morën 200 euro

Katër persona janë arrestuar pasi dyshohet se me forcë dhe me përdorimin e mjetit të mprehtë (thikë) ia kanë marrë një personi tjetër me...

Memli Krasniqi nga Prizreni: Bashkë po dëshmojmë që Kosova mundet ma mirë!

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, ka shprehur entuziazmin dhe optimizmin e tij nga takimi me shtabin zgjedhor të PDK-së në Prizren. “Prizren:...

Lajmet e Fundit