9.8 C
Prizren
E shtunë, 18 Maj, 2024

Vakia e kryetarit që meritoni

Isuf Kurtaj

Dy fëmijë trupimët me top ndër sqetulla kalojnë të harlisur para vendit, ku unë, ti, të gjithë ne, secili në mënyrën tonë kontribuam në kryerjen e një krimi. E ngjisin tatëpjetën në rrugën pa trotuar shkujdesur me kokën e kthyer mbrapa derisa humbasin tej në rrugën që gjarpëron majtas, pa arritur të zbulojnë për atë që kanë dëgjuar në shtëpi, lagje, në media.

Po shkojnë t’i bashkohen protestës që po zhvillohet në sheshin e Prizrenit, ku këkohet dorëheqja e kreut të komunës dhe zyrtarëve të tjerë përgjegjës. Një javë më parë në shtëpinë e rrethuar me tuba të kanalizimeve, avllia zuri përfund një fëmijë tre vjeç.

Shtëpia me emrin “muzé” i ka shkaktuar makth të përjetshëm nënës së vajzës, çoroditje lagjes, qytetit dhe secilit prej nesh, të paktën për disa orë. Tek sheh gjendjen e shtëpive dhe apatinë tonë ndaj tyre, të vjen natyrshëm dhe gëzon legjitimitet fjalia: Mallkuar qoftë kushdo që ka kontribuar që ajo familje të jetojë mes atyre “rrënojave”.

Po ç’na duhet shtëpia muzé, kalldrëmi, kalaja, hamami e më the e të thashë, kur nuk kemi as ‘takatin’ dhe as përgjegjësinë e duhur për t’i bërë ato funksionale?! Një gjë është dëshira, dhe një tjetër mundësia, ndërsa një gjë krejt tjetër është kur nuk kemi asnjërën.

Pse u dashka në fund të fundit të jetojmë me ‘to, t’i kemi gjemb në këmbë? Të gjitha këto që thashë më lart janë për t’u gajasur. Për të ulëritur në fakt, kur e mendon se këto mund të jenë të vetmet argumente që mund të përdorë si “armë” mbrojtëse, në këto momente morti, paria e Prizrenit, ne që shtiremi duke bërë ‘të dhembshurin’. Me këtë logjikë, paria, ne të gjithë, që i kemi zgjedhur duhet të sulmojmë këdo që guxon të na thotë se për hir të ndonjë ‘allishverishi’ është shkulur kalldrëmi, duke e zëvendësuar me asfalt, është djegur ndonjë shtëpi muzé për t’u ngritur ndonjë pallat.

Biznes me rokadën e kalldrëmit me asfaltin apo shtëpisë me vlera historike me ndërtesë shumëkatëshe është bërë, por neveria që kemi për këto objekte historike është ku e ku është më e madhe me interesin që kanë përfituar një grup personash. Duhet thënë se ne thjesht nuk i honepsnim dot. Nuk e keni parë se ato kupëza të vogla sa bezdisëse janë për qytetarët? Si të copëtojnë këpucët, thyejnë takat e larta të grave, dërrmojnë makinat… gjithë ato telashe vijnë prej tyre. Veç rrugëve, nuk e keni parë sa si bezdisemi kur kalojmë afër shtëpive muze që kundërmojnë erë. Një pjese i është vënë flaka, ndërsa pjesa tjetër është në pritje… të flakëve, të ndonjë fadrome për ta shembur. Gjëmojnë, gulçojnë do të të thosha, si ajo nëna që ka humbur fëmijën ditë më parë, vetëm se këto ndryshe nga ajo kërkojnë prenë e radhës. Po nuk u rindërtuan ose në rastin më të keq shkatërruar me themel, kam hallë se dy fëmijët, duke tentuar të marrin topin në një nga shtëpitë e lëna në harresë, mund të jenë viktimat e radhës. Largqoftë. Ndërsa ne, krejt ajo që mund të bëjmë, është të shkruajmë nga një dedikim pa muzë si ky që po bëj tani. Dhe vetëm për disa orësh, jeta jote e imja vazhdon në kërkim të një tjetër muze. Të vetmit që gjëmën do ta vuajnë përjetë janë prindërit e presë së ardhshme.Ajo që duhet të bëjmë ne është vetëm që të lutemi të mos jetë ndonjë i afërm i yni, ose ne vetë. Nuk e di se çfarë duhet të ndodhë më shumë. Sa duhet të shkojë numri i të sakrifikuarve. Dhe ç’gjëmë duhet të bjerë mbi ne, për të provuar se deri ku shkon mospërfillja e kryetarit të Komunës së Prizrenit për njeriun, për ne që gjallojmë në qytetin që “ai” drejton? Ky ndoshta është dhe misioni i ri që ka për të përmbushur brenda këtij mandati dallkauku që e kemi për kryetar të Komunës së Prizrenit. Ne duke u munduar t’i themi që ekzistojmë, shpesh duke bërë kurban dhe ndonjë prej nesh, ndërsa “ai” duke vazhduar të na trajtojë siç ne në të vërtetë jemi, të vdekur të gjallë.

Prej 10 vitesh kështu na ka trajtuar. Asgjë nuk ka arritur t’ia tërheqë vëmendjen. Nuk kemi bërë dot as dhe një lajm të vetëm për ‘të. Jemi dështakë. Nuk e ka prekur as lindja, as vdekja, as atëherë kur ka pasur gisht vetë në ‘to. Si është e mundur? Nuk ndjen? Sigurisht që ndjen. Ndjen kënaqësi kur sheh që i varfëri, i ligshti, i harruari shtohet. E shfaq këtë duke mos u shfaqur edhe më shumë. Madje deri në tërbim. Moskokëçarja për mëkatet e tij, rënkimet që i ka sjellë jetëve të të tjerëve, problemet shoqërore që ka shkaktuar keqqeverisja e tij është krejt e padëgjuar. Unike.

Të tretin mandat e “gëzon” (jo) i qetë, pasi që kur është votëbesuar më shumë është rropatur dyerve dhe korridoreve të gjykatave se sa në zyrën e tij, që e ka përzemër ta quajë “Shtëpi të Bardhë”. Veç rasteve të vakive “ai” kurrë nuk është parë të dalë në publik e aq më pak të ballafaqohet me median. Madje as në fushata zgjedhore. Nuk bëhet i gjallë as kur të gjallët i vdes me papërgjeshmërinë e tij. Ai është bashkëshort, prind… dhe nuk merr mundimin t’i çojë një selam ngushëllimi të paktën nënës së fëmijës tre vjeçe. Nëse jo si kryetar, të paktën si gjysh që ka disa nipa që janë duke iu rritur, duhet ta bënte. Me gjithë këto paradokse që ka ky kryetar, në zgjedhjet që nuk janë larg, ky, një si ky ose mos dhe ndonjë më i keq do të votohet sërish nga qytetarët e Prizrenit. Ky është kryetari që meritoni.

Autori është gazetar i gazetës ‘Shekulli’ në Tiranë.

Më Shumë

Ramush Haradinaj takon drejtuesit e shoqatave të luftës në Prizren

Lideri i AAK-së, Ramush Haradinaj, takoi drejtuesit e shoqatave të dala nga lufta në Prizren. Në prani të deputetëve, drejtuesve të degës së partisë në...

Modric po largohet nga Real Madridi – ai ka porositur dhurata lamtumire për shokët e tij

Maestro kroat Luka Modric ka marrë një vendim – epoka e tij me klubin mbretëror ka përfunduar. Akti i fundit do të jetë finalja...

Lajmet e Fundit