16.8 C
Prizren
E hënë, 20 Maj, 2024

Vdekja e mistershme e të riut shqiptar

Rikthehen vdekjet e mistershme të shqiptarëve në policinë e vendit fqinj, ku viktimë ka mbetur Pëllumb Mernikollaj nga fshati Rrilë i Lezhës. Policia greke: U hodh nga kati katërt i ndërtesës pasi i komunikuam urdhër-arrestin. Familjarët: Trupi ishte dërguar për tu varrosur në varrezat Agio Anargioro në zonën e personave të paidentifikuar. A është 28-vjeçari viktima tjetër e urrejtjes etnike? Deputeti Kadeli: Nuk është hera e parë që humbin jetën në mënyrë të mistershme të rinj shqiptarë dhe tentohet të mbulohet nga shteti grek.

Humb jetën në mënyrë të mistershme brenda stacionit policor të “Kato Patisia” në Greqi një 28-vjeçar shqiptar.

Bëhet fjalë për Pëllumb Mernikollaj nga fshati Rrilë i Lezhës, ku prej disa vitesh jetonte dhe punonte në shtetin fqinj.

Ka dyshime të forta nga ana e miqve dhe familjarëve se ka vdekur në rajonin e policisë si pasojë e dhunës së ushtruar.

Ngjarja ka ndodhur më datë 3 gusht rreth orës 14:30 në ambientet e postës policore.

Gjithsesi ka pasur një njoftim të shkurtër nga strukturat greke vetëm pas ngritjes së shqetësimit nga ana e familjarëve dhe ambasadës tonë në Athinë.

Sipas policisë së vendit fqinj, Mernikollaj është hedhur nga kati i katërt i godinës, në momentin që iu komunikua urdhër ndalimi për një vepër penale.

Duke analizuar të gjithë hollësitë e humbjes së jetës së Mernikollajt, ngjarja më së paku është mbajtur e fshehur për një kohë të gjatë.

Fillimisht për zhdukjen e tij ka dyshuar një shok, i cili kishte komunikuar me 28-vjeçarin pak minuta para se të paraqitej në polici.

Ai ishte shprehur se do të takoheshin pasi të mbaronte punë dhe të kryente procedurat rutinë në postën e policisë.

Marnikollaj ishte në masën e sigurisë “detyrim paraqitje” i dyshuar për një vjedhje të ndodhur në Athinë dhe për këtë arsye duhej të paraqitej sa herë të thërritej.

Vonesa e tij ka shtuar dyshimet se diçka nuk shkonte dhe shoku i 28-vjeçarit më pas komunikoi me familjarët e viktimës.

Pas shumë kërkimeve dhe përmes një avokati, është gjetur trupi i të riut në morgun e varrezave Agio Anargioro, gati për ta varrosur duke e klasifikuar si një kufomë pa identitet.

Këtu është enigma kryesore, pasi nëse është e vërtetë që i riu është hedhur nga kati i katërt me qëllim të arratisej, atëherë në bazë të procedurave normale, ngjarja duhet të ishte klasifikuar si vetëvrasje duke tentuar arratinë dhe të kryheshin edhe hetimet e nevojshme.

Kufoma nuk mund të varrosej tek personat e paidentifikuar, pasi për 28-vjeçarin ekzistonin të gjithë dokumentacionet që tregonin se bëhej fjalë për Pëllumb Mernikollajn.

Nxitimi për të kryer varrosjen dhe për më shumë mosnjoftimi që në ditën e ngjarjes, ka bërë të dyshohet se mbi të riun mund të jetë ushtruar dhunë.

Autoritetet shqiptare kanë nisur interesimin në lidhje me humbjen e jetës së 28-vjeçarit dhe pritet që në ditët në vijim të jepen më shumë të dhëna.

Nëse mund të ketë ende dilema, atëherë nuk përjashtohet mundësia që autoritetet shqiptare të mjekësisë ligjore, pas mbërritjes së kufomës të kryejnë ekspertizën mbi shkaqet e vdekjes së Mernikollajt.

Në lidhje më ngjarjen reagoi edhe deputeti i LSI-së për qarkun e Lezhës Gjovalin Kadeli, i cili për rastin shprehet se ka të dhëna se kemi të bëjmë me ksenofobi.

“Së shpejti, do të zbardhen të gjitha shkaqet e vërteta që kanë sjellë humbjen e jetës së Pëllumb Mernikollajt. Vetëm atëherë duhet të flasim e të ngarkojmë me përgjegjësi ksenofobët grek, pasi nuk është hera e parë që humbin jetën në mënyrë të mistershme të rinj shqiptarë dhe tentohet të mbulohet nga shteti grek. Duke qenë se jam në dijeni të veprimeve konkrete në territorin shqiptar, ju garantoj se do të ndjek të gjitha hapat ligjor për të zbardhur të vërtetën të cilën e kërkojnë me ngulm familjarët e të ndjerit”-shprehet deputeti Kadeli.

Pëllumb Marnikollaj ka qenë i dënuar në shtetin helen, ndërsa po mbahej në masën “detyrim paraqitje” po për akuzën e vjedhjes.

FSHSHG: Çështja ka shumë pista që kërkojnë shpjegim

Për ngjarjen e rëndë ka reaguar edhe Federata e Shoqatave Shqiptare në Greqi, e cila ka shprehur keqardhje lidhur me historinë e dhimbshme ku humbi jetën Pëllumb Mernikollaj.

“Federata u interesua dhe erdhi në kontakt me miqtë dhe të afërmit e të ndjerit. Pas komunikimit me ta dhe disa detajeve të dhimbshme, konstatoi se çështja ka shumë pista të zymta që kërkojnë shpjegim nga autoritetet greke. Ndaj Federata komunikoi menjëherë me Ambasadën e Shqipërisë në Athinë dhe organet vendase ku kërkoi që të zbardhet sa më shpejt vdekja e të riut 28-vjeçar”-thuhet në reagimin e saj.

Sipas drejtuesve të federatës, nëse ka përgjegjës që shkaktuan vdekjen e të riut, ata duhet të përballen me drejtësinë.

Tashmë në lëvizje është vënë edhe ambasada jonë në Athinë, ku pritet që të marrë reagimet zyrtare nga pala greke për çështjen Mernikollaj.

Dy vjet më parë një ngjarje gati e ngjashme ndodhi me të dënuarin shqiptar Ilia Karreli. Ai u masakrua për vdekje nga gardianët e burgut grek, tre ditë pas vrasjes së një gardiani nga ana e Karrelit.

Edhe për çështjen e Karrelit pala greke tha fillimisht se ai kishte humbur jetën në mënyrë natyrale nga problemet me zemrën, por pamjet e rënda të transmetuara nga mediat e vendit fqinj tregonin dhunën çnjerëzore deri në vdekje të shqiptarit të dënuar.

Më Shumë

Osmani: Kosova tashmë është Republikë, e kemi obligim angazhimin për zbardhjen e fatit të Ukshin Hotit

  Presidentja Vjosa Osmani e ka kujtuar veprimtarin Ukshin Hoti në 25-vjetorin e zhdukjes së tij. Ajo ka thënë se prej 25-vjetësh, emri i intelektualit e...

Policia kryen bastisje në Prizren, gjenden substanca narkotike

Policia e Kosovës ka bërë të ditur se të hënën (më 13.05.2024) në orën 18:00, ka kryer bastisje në një banesë në Prizren. Sipas policisë,...

Lajmet e Fundit