Organizatat e Dala nga Lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) do të mbajnë sot (e enjte), në orën 12:00, demonstratë para Rektoratit të Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”.
Kryetar i Shoqatës së Familjeve të Dëshmorëve të UÇK-së, Xhavit Jashari, ka thënë se kërkesa kryesore e demonstratës së sotme do të jetë dorëheqja e rektorit, në shenjë pakënaqësie për moszbatimin e memorandumit për pranimin e fëmijëve të dëshmorëve, invalidëve dhe veteranëve në universitetin e Prishtinës.
Drejtuesit e shoqatave të dala nga lufta e UÇK-së kanë vlerësuar se rektori Ramadan Zejnullahu nuk e meriton të jetë udhëheqës i UP-së meqë, sipas tyre, me vendimet që ka marrë ai ka fyer kategoritë e dala nga lufta. Ata u kanë bërë thirrje të gjithë studentëve dhe pjesëtarëve të këtyre kategorive që në orën 11:45 të mblidhen tek Pallati i Rinisë, ku edhe do të jetë nisja për në Rektorat.
Kryetari i Shoqatës së Familjeve të Dëshmorëve të UÇK-së, Xhavit Jashari, ka thënë se, përkundër thirrjes që rektori të reflektojë në zbatimin e memorandumit të mirëkuptimit, ai nuk ka bërë një gjë të tillë, e për këtë arsye kërkohet dorëheqja e tij.
“Ne kërkojmë fuqishëm dorëheqjen e tij. E them këtë sepse ai ka fyer familjet e dëshmorëve, invalidët e luftës dhe veteranët e luftës”, ka thënë Jashari.
Ai ka deklaruar se çdo ditë ka ankesa nga studentët se rektori po merr vendime në dëm të tyre, edhe atyre që janë të regjistruar ua pamundëson studimet.
“Ne jemi këmbëngulës në kërkesat tona që rektori duhet të japë dorëheqje, sepse me veprimet dhe vendimet e tilla që ai ka bërë në dëm të studentëve dhe UP-së, besoj se një rektor të tillë në një udhëheqje të këtillë nuk e pranon edhe vetë emërtimi i UP-së ‘Hasan Prishtina’”, ka thënë Jashari.
Jashari u ka bërë thirrje të gjithë studentëve të marrin pjesë në demonstratë sepse, sipas tij, kërkesa e tyre është e drejtë. Ai u ka bërë thirrje edhe institucioneve të cilat ende nuk janë të formuara, që të mos mbështesin njerëz me qëllime të caktuara.
Ndërsa kryetari i Shoqatës së Invalidëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Fadil Shurdhaj, u ka bërë thirrje studentëve të marrin pjesë në demonstratë dhe t’i mbështesin fuqishëm pasi, sipas tij, ky rektor nuk duhet të jetë aty. Shurdhaj ka thënë se me vendimet e tij rektori ka dëmtuar organizatat e luftës.
Por, në mbështetje të rektorit Zejnullahu ka dalë Avokati i Popullit, Sami Kurteshi, i cili është shprehur kundër ndërhyrjeve në UP. Ai u ka kërkuar zyrtarisht ministrit të Arsimit, Ramë Buja dhe kryeministrit Hashim Thaçi, ta pezullojnë zbatimin e vendimit deri në përfundimin e hetimeve të Avokatit të Popullit. Por, lidhur me deklaratën e Kurteshit, kryetari i Shoqatës së Familjeve të Dëshmorëve të UÇK-së, Xhavit Jashari, ka thënë se Avokati i Popullit asnjëherë nuk e ka pasur në dorë memorandumin dhe nuk e ka pa ligjin.
Në përkrahje të rektorit Zejnullahu dhe në mbështetje të Avokatit të Popullit është shprehur edhe organizata për arsim, shkencë dhe teknologji “KISCOMS”. Sipas tyre, rektori nuk duhet të dorëzohet përballë kërkesave, presioneve dhe kërcënimeve nga shoqatat e dala nga lufta për regjistrim të paligjshëm dhe me automatizëm të mbi 1 000 studentëve në njësi të ndryshme akademike të UP-së, pa iu nënshtruar fare testit të provimit pranues./epoka e re/