Një vrasje e trefishtë brenda familjes ka tronditur Laprakën, mëngjesin e sotshëm, raporton BW.
Rreth orës 5:50, një 35-vjeçar, Emiljano Rustemi, ka vrarë me armë zjarri bashkëshorten e tij, Izaura Rustemin, 28 vjeçe; vjehrrën e vet, Ëngjëllushe Shaqirin, 58 vjeçe e më pas, edhe veten.
Çifti kishte tre fëmijë të mitur, të cilët fatkeqësisht kanë qënë prezentë në momentin e aktit makabër të babait të tyre. Gjendja e tyre psikologjike është e rënduar dhe ata janë marrë nën trajtim nga një psikolog.
Rustemi e ka kryer vrasjen në shtëpinë e vjehrrës së tij, Engjëllushes, e cila kishte marrë brenda në shtëpi vajzën e saj, Izaurën dhe fëmijët e saj të mitur, pas kthimit nga Greqia, divorcit që çifti kishte nisur dhe vështirësive ekonomike. Vjehrra e tij shiste çanta dhe rroba të përdorura tek stacioni i trenit dhe me të mbante gjithë pjesëtarët e familjes së saj.
Gazetari Spartak Koka njoftoi se ngjarja ka ndodhur në Laprakë, në rrugën “Pandi Dardha”, në katin e dytë të një pallati, kur Rustemi ka vrarë fillimisht vjehrrën dhe më pas, gruan, Izaurën, nënë e tre fëmijëve.
Çifti kishte probleme prej disa kohësh dhe kishin grindje për shkak të dhunës që burri ushtronte mbi gruan e tij. Emiljano Rustemi kishte qënë i dënuar në Greqi me një vit e gjysëm burg për vjedhje, deri më 5 mars. Pas kthimit nga Greqia, ai i kishte kërkuar vjehrrës ta strehonte për disa ditë në shtëpinë ku ajo jetonte me Izaurën dhe tre nipërit.
Në mëngjes, kur 58-vjeçarja ishte ngritur për të bërë bërë kafen dhe nisur për në punë, Emiljano ka marrë armën që e kishte fshehur pas disa kanaçeve dhe ka qëlluar së pari mbi të e pastaj mbi gruan e vet. Fëmijët kanë parë të gjithë skenën.
Gratë nuk kanë pasur urdhër-mbrojtjeje; fakti që vjehrra e ka strehuar me mirëbesim tregon për një akt human, dhembshurie të saj ndaj dhëndrit problematik, që vazhdimisht kishte ushtruar dhunë mbi vajzën e saj.
Fqinjët e Engjëllushe Shaqirit rrëfyen për “News24” se ajo ishte një grua dinjitoze, e respektuar, që e vetme kishte marrë përsipër të kujdesej për vajzën me tre të mitur, mbetur pa shtëpi dhe pa punë dhe nën kërcënimin e Emiljanos së dhunshëm. “As Izaurës nuk i ndihej zëri”, tha fqinja.