Pas publikimit të rezultatit gati të plotë për partitë politike në KQZ dhe në pritje të zbardhjes së listave për kandidatë për deputetë, analistët politikë, që po e përcjellin rënien drastike në rezultatin zgjedhor tek dy subjektet e mëdha politike, PDK dhe LDK, presin që të njëjtat subjekte ta paguajnë, të arrijnë kulmin e tkurrjes, me rastin e publikimit të rezultateve të kandidatëve për deputetë. Lufta brenda listës nga lidhjet klienteliste të kandidatëve të partnerëve të koalicionit do ta dëmtojnë akoma më shumë fuqinë e të mëdhenjve në ndarjen e kulaçit të votës. Sipas analistëve, ky rrënim i këtyre dy piramidave politike është i pashmangshëm, derisa rezultatet e zgjedhjeve po tregojnë se prurjet e reja të këtij viti në PDK ishin të dështuara dhe nuk u sollën vota, ashtu siç i sollën vota në vitin 2014 prurjet e reja të atij viti. Sipas njohësve të rrethanave politike, arsyeja që këtë vit prurjet e reja nuk sollën vota ishte pasi, sidomos prurjet në PDK, por edhe tek partitë e tjera, ishin servile.
Nevojiten reforma serioze partiake
Analisti Jeton Kelmendi konsideron se me futjen në koalicione parazgjedhore, PDK dhe LDK kanë hyrë në fazën e fillimit të zhbërjes së tyre, ngase, përveç minusit që kanë marrë vazhdimisht në zgjedhjet e kaluara, erodimi i tyre i madh mori përmasa rekorde në zgjedhjet e 11 qershorit dhe nuk do të mund të ndalet. “Mendoj se PDK-ja dhe LDK-ja tanimë janë futur në një teposhtë dhe po bien, sepse ka filluar një frymë e re. PDK-ja e paguan keqqeverisjen dhe pranimin e Ramush Haradinaj për shef të koalicionit, ndërsa LDK-ja i paguan aventurat e Isa Mustafës dhe sejmenëve të tij për t’iu futur nën sqetull Hashim Thaçit dhe klanit ‘Pronto'”, potencoi ai.
“Edhe ‘VETËVENDOSJE’ nuk është se ka shënuar rritje enorme, duke qenë e vetmja alternativë që mendon dhe funksionon ndryshe nga partitë e tjera. Realisht, është e mirë për demokracinë rënia e këtyre dy partive, sepse ua kujton se populli nuk fal gjithnjë gabime”, potencoi ai. “Mendoj se as ‘VETËVENDOSJE’ nuk është rritur si parti që ka kuadro dhe njerëz profesionistë, por populli i ka dënuar koalicionet e tjera dhe në këtë kontekst ‘VETËVENDOSJES’ i ka qëlluar fati të jetë nën dardhë kur pikin dardhat”, theksoi Kelmendi.
Sipas Blerim Burjanit, partitë e mëdha politike, PDK-ja dhe LDK-ja janë në momentin e erodimit, sepse as prurjet e reja nuk u ndihmuan atyre që të fuqizohen, derisa as elektoratin paraprak nuk arritën ta ruajnë dhe kjo bënë që teposhta e tyre të mos ndalet pa reforma serioze. “Nuk ka pasur prurje të reja, ka pasur njerëz gazetar a profile me njerëz pseudo të shoqërisë civile dhe për këtë arsye kishte dështim total. PDK-ja dhe LDK-ja s’kanë kurrfarë aderimesh të reja dhe me njerëz sinjifikantë profesionalë apo për diçka tjetër që do të ishin të çmuar e vlerësuar. Këto aderime janë nga disa figura minore si gazetarë dhe të tjerë me probleme sociale për të gjetur ndonjë punë. Ndonëse gazetarët mund të japin kontribut në hartim të lajmeve dhe në hulumtim, këta njerëz të tjerë nuk mund të ofrojnë asgjë më shumë në asnjë fushë, pra këto dështime janë të qarta që në start”, potencoi Burjani./kosova sot/