11.8 C
Prizren
E enjte, 18 Prill, 2024

Zëvendëskomandanti i Policisë në Dragash lirohet nga akuza për keqpërdorim detyre

Zëvendëskomandanti i Policisë së Kosovës në Dragash, Eljam Seferi, i cili akuzohej për keqpërdorim të pozitës zyrtare, gjatë zbatimit të një urdhërarresti, të premten, është liruar nga akuza.

Aktgjykimin e Gjykatës Themelore në Prizren, ka lexuar kryetari i trupit gjykues, Artan Sejrani, i cili ka deklaruar se i akuzuari Seferi lirohet nga akuza për keqpërdorim të pozitës dhe autoritetit zyrtar, sepse gjatë shqyrtimit gjyqësor nuk është arritur të provohet se i njëjti ka kryer një vepër të tillë penale.

Ndryshe, Prokuroria Themelore në Prizren e akuzonte Eljami Seferin se gjatë zbatimit të një urdhër-arresti të lëshuar nga Gjykata Themelore në Prizren, nuk i ka përmbushur detyrat e tij zyrtare, me qëllim që t’i shkaktoj dobi personit tjetër.

Sipas aktakuzës, Eljam Seferi, më 1 qershor 2017, së bashku me zyrtarë tjerë policor, ka shkuar në shtëpinë e Mexhait Qerimit në fshatin Bresanë të Komunës së Dragashit, për ta arrestuar sipas urdhëresës së gjykatës, por ka lejuar që i njëjti të arratiset.

Në aktakuzë thuhet se Seferi pasi ka biseduar me Mexhait Qerimin rreth çështjes së arrestimit të tij, ka lejuar që i njëjti të futet në shtëpi, me pretekst që të përgatitet dhe më pas ai është arratisur.

Gjithnjë sipas aktakuzës, i akuzuari Seferi nuk ka urdhëruar bastisjen e shtëpisë, objekteve përcjellëse dhe kërkimin e tij, por pa lënë patrullë policore për të vëzhguar shtëpinë, ka urdhëruar ekipin policor që të largohet nga vendi i ngjarjes.

Më Shumë

Kurti: Një ditë pas votimit në favor të Kosovës në KiE, Serbia hakmerret kundër civilëve

Kryeministri Albin Kurti e ka quajtur hakmarrje të Serbisë ndaj votimit në favor të anëtarësimit të Kosovës në KiE, ndalimin e mbi 300 qytetarëve...

Moti sot me diell, temperaturat deri në 26 gradë Celsius

Sot në Kosovë parashihet të mbajë mot me diell dhe vranësira të pjesshme gjatë ditës.   Vonë pasdite mund të ketë reshje të izoluara në verilindje...

Lajmet e Fundit