Kryetari i Prizrenit, Mytaher Haskuka, është përballur sot me kërkesat e banorëve të fshatit Zhur.
Në shoqërim të kryetarit, në këtë takim kanë qenë shumica e drejtorëve, ndërsa ndonëse interesimi i banorëve të Zhurit dhe fshatrave për rreth nuk ishte shumë i madh, u paraqit një numër i madh i kërkesave të lagjeve të Zhurit dhe fshatrave përreth.
Takimin e hapi nënkryetari i Komunës Eshrerf Memaj, i cili i njoftoi të pranishmit se ky takim organizohet për t’i marr sugjerimet dhe kërkesat e banorëve të Zhurit dhe fshatrave përreth.
Kryetari i Komunës, Mytaher Haskuka, pasi i njoftoi të pranishmit se projektet që realizohen këtë vit janë planifikim nga qeverisja e kaluar, tha se nuk është mundur të shkohet shumë përpara, për shkak të shumë problemeve të trashëguara, ndërsa njëri ndër to është edhe mungesa e rishikimit të buxhetit.
Ai tha se është i njoftuar me problemet rreth Shtëpisë së Kulturës, stadiumit e tjera tha se Komuna nuk e ka shkopin magjik për t’i zgjidhur menjëherë problemet, por e ka vullnetin që në planifikimet e buxhetit për vitin e ardhshëm të përfshihen sa më shumë projekte për realizim.
Drejtori i Financave Ertam Simitçi, njoftoi për buxhetin dhe pozicionet buxhetore. Ai gjithashtu njoftoi për agjendën e njoftimeve publike dhe takimin e fundit në Kuvend ku do të miratohet përfundimisht.
Kryetari i fshatit Zhur, Behar Begaj paraqiti shqetësimet e fshatit, mungesën e kanalizimit në lagjet e reja, mungesën e ujit, duke nënvizuar se ai vazhdimisht i paraqet si Kuvendar këto shqetësime, ndërsa ka pasur takime edhe me drejtorët e ekzekutivit, dhe shprehu besimin se këto probleme do të zgjidhen duke filluar nga viti 2019.
Kuvendari tjetër nga kjo anë Petrit Hoxha, kërkoi që në fshatin Kobaj të realizohet projekti i kanalizimit si dhe të bëhet rrethimi i oborrit të shkollës.
Adil Memaj, aktivistë i kësaj ane, në emër të Forumit virtual “Forumi i Zhurit”, të cilën e administron tha se pas debateve në këtë forum kanë dalë edhe shqetësimet dhe kërkesat për fshatrat e kësaj ane. Ai pasi i theksoi disa nga shqetësimet kryesore, tha se është hartuar një listë me kërkesa të cilën e dorëzoi me shkrim.
Në këtë takim banorët e lagjeve të reja në Zhur, gjithashtu, paraqitën si shqetësim mungesën e kanalizimeve.
Në këtë takim u ngrit edhe shqetësimi i udhëtimit të nxënësve të lagjes Gurisht, dhe problematika të tjera të fshatit./prizrenisot.com/
Kërkesa nga banorit e Zhurit dhe rrethinës të bëra në rrjetin online Zhuri – Forum drejtuar Komunës së Prizrenit:
Zhur
- Furnizimi i dobët me ujë të pijshëm në “Lagjen Gurishte”. (për mbi 16 shtëpi).
- Mirëmbajtja e vazhdueshme e ndriçimit të rrugëve, pasi dëmtohen vazhdimisht.
- Ndërtimi i më shumë urave mbi autostradë që lidhin pjesën e Gomnit.
- Stacion të caktuar të autobusëve.
- Kopsht për fëmijë.
- Emërtimi i rrugëve, regjistrimi i shtëpive me numra dhe adresa të caktuar.
- Librari dhe hapësirë leximi brenda shtëpisë së kulturës.
- Një rrugicë për këmbësorë dhe biçikleta në linjën Zhur-Shkozë-Vërmicë! (me ndriçim publik).
- Kanalizim për 55 shtëpi në Lagjen e Re në Zhur.
- Organizimi i një manifestimi kulturorë si shenjë mirënjohje ndaj mërgatës.
- Zhvillimi i infrastrukturës për turizëm malorë në bjeshkët tona të Koretnikut.
- Hulumtimi i ujit (puseve) mbi Malet e Koretnikut..
- Mundësia e zbritjes së çmimit të biletave nga agjensit e udhëtimeve për kategoritë në nevojë.
- Zgjatja e orarit të udhëtimit përtej orës 19:30 në linjën Zhur – Prizren
- Organizimit i një aktiviteti artistik si form mikëpritje për mërgatën.
- Zgjatja e orarit të Ambulantes së Zhurit.
- Ofrimi i një shërbimi specialisik nga Ambulanta e Zhurit.
Vlashnje
- Zgjedhja e problemit të ndërtimit të vrazhdë në tokat pjellore.
- Izolimi i autostradës gjatë pjesës kah fshatë Vlashnje për shkak të zhurmës që krijon lëvizja e makinave .
- Zgjidhja e problemit të ujit të pijes, kanalizimit dhe rrymës për banorët dhe bizneset që gjenden prej rrethit të anës jugore të autostradës deri tek rruga për në fshatin Poslisht.
Kobaj
- Rregullimi i një mini fushe sportive.
- Rregullimi i furnizimit me ujë të pijes
- Rregullimi i tri Kullave Historike në Kobin e vjeter
- Rregullimi Ambullantes.
- Sigurimi I ujit të pijes për kafshët në Kobin e Vjetër.
- Rregullimi I rrethojave në shkollën fillore të Kobajt.
- Rregullimi I rrugës kah bunarët në drejtim të kullave në Kobaj.
- Rregullimi i disa mini kanalizimeve, dhe rrugicave.
Vërmicë
- Shpallja Zonë Turistike Fshatin Vërmicë.
- Ngritjen e nje memoriali buze kufirit kushtuar gjithe vuajtjeve te ndarjes mes dy pjeseve te kombit dhe perpjekjeve per bashkim.
- Kërkesa për ndihm ndaj fermerve të fshatit me sigurimin e kafshëve dhe krijimin e kushteve më të mira për bujqësi.