Tenderi për teleferikun e Prizrenit po zgjatet si pasojë e zhurmës që është krijuar nga opozita e Komunës së Prizrenit. Visar Islamaj, zyrtar në Komunën e Prizrenit, është shprehur për “Kosova Sot” se tenderi ndodhet në procedurën e shpalljes.
“Unë besoj se në javën që vjen zyra e prokurimit do ta bëjë publik fituesin e këtij tenderi dhe kjo është edhe kërkesë e qytetarëve”, është shprehur ai për gazetën.
Tutje ka shtuar: “E gjithë puna është përfunduar edhe komisioni përkatës, tashmë kanë përzgjedhur edhe kompaninë, mirëpo për shkak se njëri nga anëtarët e komisionit që është në komisionin përkatës që kanë punuar anëtar i Ministrisë së Infrastrukturës gjendet në pushim tenderi nuk është nënshkruar. Presim që këtë javë të nënshkruhet edhe nga ai dhe do ta bëjmë publike”, është shprehur ai.
“Nga informacionet që i kam nga Zyra e Prokurimit, besojmë që operatori ekonomik fitues do të dalë këtë javë. Komisioni që e bën përzgjedhjen do ta bëjë publik kush është fitues i tenderit dhe do ta mbajmë të informuar opinionin për fituesin e tenderit pastaj do të vazhdohet me realizim të projektit”, theksoi Islamaj.
Reagimet e LDK-së: Tenderi, për efekte elektorale
I pyetur për dyshimin e shprehur të LDK-së për kurdisjen e tenderit, Islamaj nuk është përgjigjur.”Teleferiku dhe të gjitha projektet që realizohen nga Komuna kanë një rrugë që bëhen dhe ato janë aktet ligjore”, është shprehur ai. Kohë më parë dega e LDK-së në Prizren është shprehur se krerët lokalë të PDK-së janë takuar me njerëzit e kompanisë që dyshohet se do të shpallet fituese e këtij tenderi. Në një reagim për media, LDK-ja theksonte se janë zgjedhjet lokale afër dhe degës së PDK-së në Prizren e në qendër i duhen këta 1 milion euro të kontrabanduara përmes marrëveshjeve të fshehta, për ta blerë votën edhe në zgjedhjet lokale’. Dega e LDK-së shprehet e vendosur në mbrojtje të interesit të qytetarëve dhe thotë se do t’i deponojë në organet e drejtë- sisë të gjitha provat me qëllim të demaskimit të krimit. Dega e LDKsë kërkon nga kryetari i Komunës, që në fund të mandatit të tij, ta bëjë një akt në përputhje me aktet ligjore, të cilat e rregullojnë punën e tij dhe tenderi të mos ia japë kompanisë për rreth 1 milion euro më shtrenjtë.
Pensionistët shpresojnë të mos kushtojnë shtrenjtë biletat
Arsim Berisha, ekspert, është shprehur se teleferikët në Evropë kushtojnë mjaft shtrenjtë. “Kjo çështje është e lehtë. Ju mund të hyni dhe të shihni se teleferiku i ndërtuar si në Slloveni, pastaj në Austri, në vende tjera të Evropës kanë kosto mbi 5 e 6 milionë euro. Ju jap vetëm një shënim për shtetin amë për teleferikun e Shqipërisë. Kompania private që ka ideuar, projektuar dhe zbatuar këtë investim madhështor është “Dajti Ekspres Sh.a.”. Investimi për ndërtimin dhe shfrytëzimin e teleferikut, ‘Dajti Ekspres’, është tërësisht privat, i kryer me financim privat. Vlera totale e investimit të këtij objekti është 6.5 milionë euro” , tregon ai.
Adem Gashi, qytetar nga Prizreni, tha se para shumë vitesh është premtuar teleferiku, por s’po realizohet. “Besoj se teleferiku do të zgjidhë probleme. Ne pleqtë do të kemi mundësi të shkojmë në kala me teleferik dhe të shohim bukuritë e Prizrenit”, është shprehur ai. Bedri Berisha, po ashtu pensionist, thotë se po duket se edhe këtu ia kanë futur hilen.
“S’di nëse bëhet mirë. Të shpresojmë se biletat nuk do të jenë të shtrenjta sepse ne pensionistë nuk kemi para”, ka theksuar ai. Edhe Besim Fejzullahu thotë se ka dëgjuar se e ka fituar dikush i huaj ndërtimin e teleferikut.
(Kosova Sot)