5.8 C
Prizren
E enjte, 18 Prill, 2024

Zyrtari i Qendrës së Regjistrimit të Automjeteve në Malishevë mohon akuzat për korrupsion

Besart Gashi, zyrtar i Qendrës së Regjistrimit të Automjeteve (QRA) në Malishevë, ka mohuar fajësinë për veprat penale “Keqpërdorimi i detyrës apo autoritetit zyrtar” dhe “Falsifikimi i dokumenteve”.

Gashi po ngarkohet se ka bërë shkelje ligjore në 623 raste të regjistrimeve të automjeteve, duke i shkaktuar dëm në vlerë prej 5 mijë e 700 euro Komunës së Malishevës, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Në seancën fillestare që është mbajtur më 23 gusht të këtij viti, Gashi është deklaruar i pafajshëm për akuzat me të cilat ngarkohet.

Në këto rrethana, meqenëse i njëjti nuk e ka pranuar fajësinë, gjykatësi Ilir Rashkaj, e ka njoftuar atë dhe mbrojtësen e tij, avokaten Sahadete Gashi, se në afat prej 30 ditësh kanë të drejtë të parashtrojnë me shkrim kërkesën për hedhje të aktakuzës dhe kundërshtimin e provave.

Në aktakuzën e Prokurorisë Themelore në Gjakovë thuhet se Besart Gashi, nga 22 gushti 2017 e deri më 15 dhjetor 2020, duke qenë në cilësi të personit zyrtar në Qendrën për Regjistrimin e Automjeteve në Komunën e Malishevës, me dashje, në mënyrë të kundërligjshme, dhe në kundërshtim me interesat dhe qëllimet e organit ku punon nuk përmbush detyrat e tij duke bërë shkeljen e udhëzimit administrativ Nr.01/2018 dhe 07/2019, saktësisht neneve 6 dhe 7.

Sipas aktakuzës, ashtu që në procedurën e regjistrimit të automjeteve për gjithsej 623 raste të regjistruara janë hasur parregullsi dhe shkelje ligjore, e që prej tyre 570 raste kanë rezultuar të jenë pa pagesë të taksës komunale, 43 raste të tjera janë hasur në parregullsi në kompletimin e dokumentacionit për patentë shofer dhe letërnjoftime, 5 raste të tjera me afat të skaduar të kontrollës teknike, 4 raste të tjera janë me regjistrime të reja e që në dokumentacion ka munguar libreza e vendit të origjinës së veturës, të cilat në tërësi janë të evidentuara tek pjesa e arsyetimit, me ç’rast Komunës së Malishevës i ka shkaktuar dëm në shumën prej 5,700 euro.

Me këto veprime, ai akuzohet se ka kryer veprën penale “Keqpërdorimi i detyrës apo autoritetit zyrtar” nga neni 414 paragrafi 2 lidhur me paragrafin 1 të Kodit Penal.

Tutje sipas aktakuzës, ai po akuzohet edhe se më 19 maj 2017, në QRA në Malishevë, në cilësi të personit zyrtar ka përpiluar dokument të falsifikuar me qëllim të shfrytëzimit të tij.

Sipas aktakuzës, në librezën e veturës “Polo VË”, në rubrikën e vërejtjes kishte shënuar se vetura posedonte xhama të errësuara, ku nga libreza e kësaj veture e cila ishte importuar nga Zvicra, me pronar Gezim Mazreku, dhe në dokumentet e QAK rezulton se vetura nuk i posedonte xhamat e pasme të errësuara, ndërsa në automjetin me numër të shasisë …591 i është bërë evidentimi në sistemin elektronik të automjeteve në rubrikën vërejtje: kinse automjeti posedon xhama të pasme të errësuara nga prodhuesi, për çka rezulton nga kopja e dokumentit të CRA-së me nr.085013 dhe të pronarit tjetër të CRA-së 1002180.

Me këto veprime, ai akuzohet se ka kryer veprën penale “Falsifikimi i dokumenteve” nga neni 398 paragrafi 2 lidhur me paragrafin 1 të Kodit Penal./BetimipërDrejtësi

 

Më Shumë

U tha se u nda me të dashurën pasi flirtoj më njërën nga vajzat në ‘’Ferma Vip’’, reagon Robert Berisha

Robert Berisha është njëri nga meshkujt shqiptar, që përmendet më së shumti për lidhjet e tij të dashurisë. Së fundmi ai ishte pjesë e Reality...

Ballkani fiton dhe e konsolidon pozitën e parë në tabelë

Ballkani e ka konsoliduar udhëheqjen e tabelës së Superligës së Kosovës në futboll, duke bërë dy pikë më shumë se sa Drita dhe pesë...

Lajmet e Fundit