11.8 C
Prizren
E premte, 19 Prill, 2024

Komuna, shkolla, administrata, shteti nuk janë prona private të askujt!

fatmir Limaj 1223Të dashur qytetarë,
Jam larguar që 28 vjet nga Malisheva. Këtu kam marr edukimin e parë njerëzor e atdhetar, të cilin e kam kompletuar me edukim njerëzor dhe profesional në Prishtinë. Prandaj Malisheva dhe Prishtina për mua janë të pandashme, sepse këtyre dy vendeve u takon merita për atë që jam unë sot.
Në Malishevë u brumosa me ideale patriotike dhe dashuri për atdheun, duke dëgjuar të kaluarën patriotike dhe atdhetare të shumë heronjve e atdhetarëve të kësaj ane. Këtë të kaluar të tyre ma mësuan shumë burra të mençur, edhe mësuesit dhe arsimtarët e kësaj ane, ndërsa si 15-vjeçar Prishtina më ndihmoi dhe më mësoi të edukohem si intelektual dhe të përgatitem për ta gjetur rrugën drejt lirisë. Po ashtu, më ka dhënë mundësinë të njihem me të gjithë kompleksitetin e problemeve në të cilën gjendej Kosova në atë kohë. Kombinimi i këtyre virtyteve të fituara në vendlindjen time apo në vendrritjen e edukimit tim më kanë ndihmuar të jem ky që jam sot, dhe këtu shfrytëzoj rastin ta falënderoj Malishevën, – vendlindjen time, dhe Prishtinën, – vendrritjen time.

Të nderuar qytetarë,
Vendi ynë si shtet, që është ende në ndërtim e sipër, po ballafaqohet me qindra mijëra probleme për funksionim të mirëfilltë. Shteti ynë sot ballafaqohet me probleme të cilat ne nuk mund t’i zgjidhim vetëm dhe natyrisht për zgjidhjen e tyre kemi nevojë për ndihmë dhe për të siguruar ndihmë neve na duhen miq për të na ndihmuar, sa më shumë miq, e edhe kjo nuk mjafton, sepse për të pasur më shumë miq dhe ndihmën e tyre, ne duhet ta meritojmë këtë. Si ta meritojmë, apo si ta fitojmë simpatinë e këtyre miqve që na duhen?
Unë besoj dhe jam i bindur se ka vetëm një rrugë: Ne duhet së pari t’i kthehemi me besim e vendosmëri vetes sonë. Të bëjmë atë që duhet dhe mundemi më së miri për shtetin tonë.
Kosova duhet ta shfrytëzojë maksimalisht potencialin e vet njerëzor.
Kosova duhet t’i shfrytëzojë pasuritë e veta në funksion të ndërtimit të një shteti të lirë, demokratik dhe funksional.
Ka shumë probleme dhe sfida të cilat mund dhe duhet t’i zgjidhim vetë e jo të kërkojmë që dikush tjetër të na i zgjidhë ato për të cilat e kemi për detyrë t’i zgjidhim vetë. Miqtë tanë duhet të na shohin se ne po përpiqemi, po bëjmë të pamundurën për ta bërë Kosovën shtet funksional. Si mund të bëhet kjo?
Unë mendoj se duhet të fillojmë nga gjërat të cilat nuk kërkojnë shpenzime e që janë të thjeshta.
Ta kthejmë shpresën në mesin tonë, se edhe ne dimë dhe mundemi.
Ta kthejmë besimin në veten tonë dhe në njëri-tjetrin.
Të flasim hapur dhe me sy kritik e dashamirës për dobësitë tona.
T’i respektojmë përpjekjet dhe punën e mirë të njëri-tjetrit!
Të distancohemi nga ata të cilët tentojnë t’i pengojnë njerëzit e mirë, njerëzit që janë duke bërë punë të mira për atdheun e tyre.
Sa më shumë që punojmë më pak kemi kohë për t’u marrë me gjëra të kota, të panevojshme e, nganjëherë, të dëmshme. Në qoftë se nuk mund ta ndihmojmë njëri-tjetrin, të paktën mos ta pengojmë në punën e tij. Ky vend do të ecë përpara vetëm atëherë kur do të nderohet dhe të respektohet punëtori (bujku i mirë, mësuesi i mirë, studenti i mirë, kryetari i mirë i komunës etj.). Me një fjalë, ta ndajmë të mirën nga e keqja, të distancohemi nga servilët, gënjeshtarët, shpifësit.
Liria nuk është vetëm liri fizike për t’u shëtitur lirshëm ku të duash ose për të pirë një kafe ku të duash. Jo! Liria është më tepër se kaq. Liria është ajo që garanton Kushtetuta për secilin qytetar të Kosovës. E drejta është ajo që garanton ligji për secilin qytetar të Kosovës. Të gjithë duhet t’i respektojmë këto liri dhe të drejta, dhe askush nuk guxon t’ia cenojë ato askujt.

Të nderuar bashkëvendës të mi,
Vlerat demokratike të një shteti ligjor janë: E drejta për jetë të lirë; E drejta për ta shprehur mendimin e lirë; E drejta për punë; Mbrojtja nga diskriminimi dhe barazia qytetare, etnike, fetare etj. Prandaj, kushdo që merr guximin të na i shkelë këto të drejta, ne duhet të bashkohemi për të mos lejuar të bëjë një gjë të tillë, sepse vetëm duke mbrojtur tjetrin nga padrejtësitë që bëhen ndaj tij ne ruajmë dhe sigurohemi që ajo padrejtësi nesër të mos bëhet ndaj nesh. Apeloj që kudo që të jeni dhe kudo që të bëhen padrejtësi ndaj individëve, ta ngrehni zërin të bashkuar dhe të solidarizoheni me kolegun tuaj ndaj të cilit bëhet padrejtësia. Mbrojini me zë të drejtat tuaja të cilat ua garanton Kushtetuta e Republikës së Kosovës, sepse ato nuk janë të dhuruara, por i kemi fituar vetë. Kushdo që tenton t’jua shkelë këto të drejta shfrytëzojeni të drejtën e juaj ligjore për t’i denoncuar dhe, në qoftë se ky është politikan, atëherë shfrytëzojeni të drejtën tuaj edhe për të mos ta votuar.
Komuna, shkolla, administrata, shteti nuk janë prona private të askujt. Ato janë të qytetarëve ashtu siç i kanë rregulluar ligjet.
Jemi në kohën ku së shpejti do të mbahen zgjedhjet lokale dhe ky është momenti kur populli merr vendim se kënd do ta votojë. Para se të shkoni te kutitë e votimit kthehuni mbrapa dhe vlerësoni punën e atyre që kanë qenë deri më tani në njërën anë dhe analizoni mirë ata të cilët pretendojnë të vijnë. Dita e votimeve është dita ku ju mund t’i dënoni të gjithë ata të cilët nuk kanë pasur sjellje demokratike apo qeverisje që e keni pritur ju. Dhe ju e keni rastin që ata t’i largoni dhe të sillni njerëz të rinj në atë qeverisje ose, nëse jeni të kënaqur, t’ua vazhdoni qeverisjen atyre që keni pasur deri më tani. Vetëm kështu atë ditë të votimit populli ka rastin t’u tregojë të gjithë atyre, të cilët pushteti i ka bërë arrogantë dhe ua ka mbyllë sytë, se ai është sovrani dhe ai vendos.

Unë gjithë jetën jam angazhuar për ndryshime të cilat sjellin rezultate pozitive dhe do të vazhdoj kështu.
Unë jam angazhuar dhe angazhohem për hapje dhe dhënie mundësi njerëzve të cilët kanë çka japin për komunën dhe vendin e tyre.
Unë do të vazhdoj të angazhohem për shtet ligjor, për qeverisje demokratike.
Unë do të mbështes njerëz që marrin vendime në institucione, që në procesin e vendimmarrjes të përfshihen sa më shumë qytetarët.
Unë do t’i mbështes njerëzit që respektojnë kompetencat e tyre ligjore dhe nuk tentojnë t’i privatizojnë ato.
Unë do t’i mbështes ata që i kuptojnë dhe u japin zgjidhje halleve të qytetarëve; Ata që jo vetëm e respektojnë vendimin ndryshe, por edhe i japin hapësirë atij vendimi; Ata të cilët nuk e përdorin pushtetin për hakmarrje personale, për shantazhime e kërcënime.
Njerëzit që janë në pushtet duhet ta kuptojnë që komuna, partia nuk janë prona private dhe të trashëgueshme. Ata duhet ta kuptojnë se të qenurit në një pozitë partiake apo shtetërore është kaluese dhe jo e përhershme. Dhe në qoftë se ata nuk e kuptojnë këtë, natyrisht se duhet të dalin njerëz që atyre t’ua kujtojnë këtë gjë.

Të nderuar bashkëvendës të mi,
Unë kështu e kam kuptuar kandidimin e z. Ragip Begaj dhe Iniciativës Qytetare për Malishevën, sepse pikërisht kjo ka ndodhur me ta. Duke mos pasur hapësirë për ndryshime aty ku kanë qenë dhe duke u ballafaquar me veprime të cilat nuk kanë lidhje me demokracinë, ata kanë vendosur të dalin para qytetarëve me këtë alternativë për ta kërkuar besimin e tyre. Andaj, duke besuar në këtë përcaktim të tyre, unë e mbështes z. Begaj për kryetar të Komunës së Malishevës dhe iniciativën e tij dhe kërkoj nga Malisheva, që më 3 nëntor t’i japë një shembull Kosovës ashtu siç i ka dhënë Hani i Elezit, se ne dimë të votojmë për ndryshime pozitive në shërbim të demokracisë dhe mirëqenies së qytetarëve tanë. Me këtë ju nuk i bëni shërbim vetëm Malishevës, por i bëni shërbim edhe Kosovës dhe demokracisë së saj të sapolindur.

I juaji,
Fatmir Limaj

JU FALEMINDERIT!

Më Shumë

Policia shqipton mbi një mijë e 300 gjoba në trafik brenda 24 orëve

Policia e Kosovës ka bërë me dije se gjatë 24 orëve të fundit ka shqiptuar 1351 gjoba në trafik. Sipas policisë, gjatë kësaj periudhe kohore...

Promovohet libri “Fotografitë që pavdekësuan Prizrenin”

Libri " Fotografitë që pavdekësuan Prizrenin" i autorit Salajdin Krasniqi u promovua mbrëmë në Prizren . Libri është vlerësuar lartë. Redaktori Dr. Nexhat Çoçaj tha se...

Lajmet e Fundit