18.8 C
Prizren
E diel, 12 Prill, 2026
Home Blog Page 9067

“Vdekja e një Mbretëreshe” e Rexhep Qoses, vjen për publikun në sezonin e ri artistik

0

ArjetaDhima-regjisore-aktore“Vdekja e një Mbretëreshe” monodrama e shkruar nga Rexhep Qosja, që ka në qendër personazhin e mbretëreshës ilire, Teuta, do të vijë në sezonin e ri artistik që pritet të nisë në muajin shtator.

Vepra në skenë vjen me regji dhe interpretim nga Arjeta Dhima, e cila deri më tani për publikun është e njohur për disa vepra teatrore që ka sjellë në teatër, por nuk ka munguar dhe si aktore duke sjellë personazhe dhe role nga më të ndryshimit për publikun. Regjisore dhe aktore, Arjeta Dhima për herë të parë do të prezantohet në skenë para publikut me një monodramë. Ajo e quan një zhanër të vështirë, dhe sipas saj, për këtë vepër kërkohet një punë e madhe, pasi “Vdekja e një Mbretëreshe” është shkruar nga një autor i madh shqiptar, veprat e të cilit janë vlerësuar shumë në skenën teatrore.

“E zgjodha këtë herë monodramën, sepse më pëlqen të përballem me vështirësitë, me të bukurën dhe me atë që është atraktive. Monodrama është zhanri më i vështirë i interpretit. Kjo monodrame vjen nën interpretimin tim dhe nën regjinë time. Si regjisore kisha një imazh të qartë, ndërsa e mendoja dhe vizionoja në mendje. Por kur filloja të kritikoja veten në lidhje me interpretimin, më dukej se kisha të bëja me dy Arjeta. Një herë merrja autoritetin e regjisores dhe një herë kisha përulësinë e aktores”, pohon Arjeta Dhima, regjisore dhe aktore në veprën që mban emrin e akademikut të shquar Rexhep Qosja.

Këtë herë monodrama nuk do të jetë në skenat e teatrove, por po mendohet për një mjedis tjetër artistik, dhe regjisorja pohon se në vjeshtë vepra do jetë në skenë duke dhuruar jo pak emocione për publikun.

“Pas disa punëve të tjera artistike, do të vijë edhe monodrama “Vdekja e një Mbretëreshe”, dhe besoj se në vjeshtë për publikun kjo vepër teatrore që mban ermin e Rexhep Qoses do të përcjellë jo pak emocione”, shton më tej Dhima, regjisore dhe aktore, transmeton Sotnews.

E ndërsa në skenën teatrore prej vitesh është pohuar se duhet të ketë më shumë vëmendje ndaj dramaturgjisë shqipe, në skenën e Tiranës pritet të vijë monodrama e akademikut Qosja, vepër që ka fituar shumë vlerësime, dhe tashmë do të jetë dhe pjesë e shfaqjeve teatrore që vijnë për publikun me nisjen e sezonit të ri artistik. Para dy vitesh monodrama “Vdekja e një Mbretëreshe” për publikun erdhi me regji të Inis Gjonit dhe interpretim të aktores Eni Jani, por disa javë më pas publiku do ta shikojë me një tjetër interpretim nga Arjeta Dhima.

Vetëm dy kandidate për kryetare komunash

0

DonikaKadaj-AjnishaheShalaDy subjektet politke Lëvizja “Vetëvendosje” dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës kanë kandiduar dy gra për kryetare komunash. Edhe LDK-ja ka premtuar se do të kandidojë femra.

Klima për kandidimin e femrave në zgjedhjet lokale të 3 nëntorit, edhe pse jo në masë të madhe, këtë vit duket të jetë më e mirë. Të paktën kështu shprehen deputetet e partive të ndryshme politike, të cilat i gëzohen faktit që më në fund kanë filluar të merren parasysh edhe vlerat profesionale të femrave.

VV dhe AAK vetëm i kanë bërë publik emrat e kandidateve femra për kryetare komunash, shkruan Kosova Sot.

Donika Kadaj- Bujupi është kandidatja e AAK-së për kryetare të Komunës së Istogut, ndërkaq Ajnishahe Shala- Halimi është kandidatja e LVV për kryetare të Komunës së Skënderajt.

PDK-ja, si partia më e madhe, ende nuk e ka kandiduar asnjë femër për kryetare të ndonjërës prej komunave. Ndryshe Kosova ende nuk e ka asnjë komunë që drejtohet nga një femër, edhe pse në zgjedhjet e kaluara kanë kandiduar edhe kandidate femra.

(K)urbanizimi i Prizrenit

0

harullah cekuShkruan:Hajrulla Çeku

Po bëhen 15 vjet prej se na është mohuar e drejta ta shijojmë qytetin në formën që e kemi trashëguar. Këto janë vitet e instalimit të një sistemi të frikës në mesin e qytetarëve nga grupe të forta interesi, të cilat po pasurohen në kurriz të vlerave të qytetit. Urbanizmi në Prizren është dëshmi e dështimit të shtetit dhe e uzurpimit të hapësirës publike në formën më të egër të mundshme. I gjithë ky aktivitet i egër ndërtimi po vazhdon të ndodhë në qendrën e qytetit, duke i sulmuar pamëshirshëm vlerat e trashëgimisë kulturore. Prizreni, një dekadë e gjysmë pas përfundimit të luftës është shembull i përkryer se si nuk duhet realizuar zhvillimin urban. Qyteti është kurban i interesave të ngushta të grupeve të biznesit dhe politikës, të cilat në sinkron të përkryer po e transformojnë strukturën urbane të qytetit.

Trekëndëshi themelor i urbanizmit brenda Qendrës Historike të Prizrenit përbëhet nga Drejtoria për Urbanizëm, Instituti për Mbrojtjen e Monumenteve të Kulturës dhe Drejtoria për Inspektorat. Derisa e para lëshon leje urbanistike, e dyta jep pëlqime për respektimin e parimeve të mbrojtjes së trashëgimisë kulturore. Ndërsa Inspektoratit i mbetet që të monitorojë procesin e ndërtimit bazuar në këto dy dokumente. Ajo që ndodh realisht brenda komunës së Prizrenit është kjo: zyrtarët e urbanizmit thonë që janë në rregull me dokumentet dhe lejet e lëshuara, ndërsa përgjegjësinë për tejkalime dhe ndërtime pa leje ia hedhin Inspektoratit. Këta të fundit thirren në buxhetin e pamjaftueshëm, numrin e vogël të inspektorëve dhe sidomos (ndonëse jo publikisht) në pamundësinë për t’ia ndalë punimet ndërtuesve, të cilët shpesh i përshkruajnë si “të fortë dhe të paprekshëm”. Në gjithë këtë situatë, ai që i ka emëruar drejtorët e këtyre dikastereve, kryetari i komunës, hesht, ndërsa e shumta, flet për kërkesat që ia ka drejtuar drejtorëve të tij për të vënë rregull urbanistik në qytet. Vetëm kaq. As Kuvendi i Komunës nuk mund të amnistohet nga kjo përgjegjësi, pasi që ky institucion e ka miratuar “Planin e Konservimit dhe Zhvillimit të Zonës Historike të Prizrenit”, ndërsa asnjëherë nuk ka kërkuar përgjegjësi nga ekzekutivi i komunës për shkeljen me dy këmbë të këtij dokumenti.

Përgjegjësi direkte për mbrojtjen e qendrës historike të Prizrenit kanë edhe Qeveria e Kosovës dhe ministritë përkatëse, si dhe institucionet e gjyqësisë. Por, pothuaj asgjë konkrete nuk është ndërmarrë deri sot nga këto institucione. Për më tepër, janë pikërisht njerëzit e partive politike në pushtet e në opozitë që janë drejtpërdrejt të përfshirë në praktika degraduese urbane në Prizren. Dhe e gjithë kjo, për shkak të interesit të tyre të ngushtë për përfitim. Kjo gjendje ka shkuar aq larg, sa njerëzit tashmë edhe flasin për emra konkretë politikanësh të fuqishëm, të cilët qëndrojnë pas aktiviteteve degraduese afariste në qendër. Prandaj, thonë ata, askush nuk guxon t’ia rrënojë objektin. Më e keqja, ky lloj dorëzimi karshi njerëzve të fuqishëm është duke e legjitimuar këtë gjendje të degraduar të qytetit. Ky dorëzim po shndërrohet në normalizim dhe pranim të realitetit të ri e të degraduar të qytetit.

Qendra historike e qytetit nuk i ka shpëtuar viktimizimit nga sistemi i ri i “vlerave” pas lufte, që karakterizohet me mungesë totale të llogaridhënies e përgjegjësisë dhe me kulturë të mosndëshkimit. Në një mjedis të tillë, grupet e interesit kanë arritur që paratë e fituara në rrugë joformale t’i shpërlajnë përmes ndërtimeve të shumta, gjatë të cilit proces ata i kanë korruptuar edhe zyrtarët e qeverisë lokale. Esencialisht, problemi qëndron në mosndalimin dhe mosndëshkimin e veprimtarisë ekonomike joformale nga institucionet e shtetit. Rrjedhimisht, është pothuaj absurde të pritet që i njëjti shtet të vendosë rregull dhe të ndalojë aktivitete degraduese ndërtimore në qendrën historike të qytetit. Sektori i ndërtimeve në Kosovë vazhdon të jetë njëri ndër më të përfolurit për keqpërdorime dhe korrupsion. Konkretisht, disa zyrtarë të komunës së Prizrenit dhe disa kompani ndërtimi janë nën hetime nga Prokuroria Themelore për parregullsi urbanistike.

Gjendja nuk është aspak më e mirë në pjesët e tjera të qytetit. Nuk ekziston as edhe një plan rregullativ urban që është zbatuar në përpikëri. Në nivel të qytetit, rreth 80 për qind e aktiviteteve ndërtuese nuk i përmbahen planeve, lejeve dhe pëlqimeve përkatëse. Është pothuaj e pamundur të gjendet një ndërtesë e banimit kolektiv që nuk është ndërtuar me së paku një ose dy kate më shumë sesa parasheh leja e ndërtimit. Është pothuaj e pamundur të qëndrojnë më gjatë se një gjysmë dite shiritat rrethues të inspektorëve të komunës në objektet në ndërtim e sipër që kanë tejkalime. Gjithashtu është pothuaj e pamundur të gjendet ndonjë rast kur komuna ka larguar pjesën e jashtëligjshme të ndonjë objekti. Marifeti i fundit i zyrtarëve të komunës ka qenë miratimi me nguti i një rregulloreje që parasheh legalizimin e ndërtimeve pa leje, me shpresën që me këtë veprim do t’i zgjidhin të gjitha problemet urbanistike të qytetit. Përveç që është kopje e keqe e Prishtinës, kjo rregullore është edhe e kundërligjshme, pasi që Kuvendi i Kosovës ende nuk e ka miratuar Ligjin për Legalizimin e Ndërtimeve pa Leje.

Edhe pse mund të jetë tepër vonë, qyteti e ka një mundësi shpëtimi. Hapi i parë është vendosja e moratoriumit dhe mosdhënia e pëlqimeve dhe lejeve të ndërtimit në qendrën historike për një periudhë dyvjeçare. Paralelisht, duhet bërë vlerësimin e dëmeve që i kanë shkaktuar qendrës historike gjatë gjithë këtyre viteve. Në anën tjetër, duhet filluar rrënimi i të gjitha objekteve (ose pjesëve të caktuara) që nuk i përmbahen lejeve të ndërtimit. Të gjithë ata që kanë qenë të përfshirë në krimin urbanistik të qytetit duhet të marrin dënimin e duhur. Qendra historike duhet të shndërrohet në shtyllën qendrore të planifikimit zhvillimor të qytetit. Restaurimi dhe menaxhimi i pronave të trashëgimisë kulturore duhet të jetë prioritet qendror i qeverisjes. Dhe mbi të gjitha, qytetarët e Prizrenit duhet të jenë pjesë esenciale të këtyre veprimeve. Mënjanimi i frikës nga ideja që të fuqishmit janë të paprekshëm është parakusht i aktivizimit qytetar në Prizren. Kjo është e vetmja mundësi që qyteti t’u kthehet përsëri qytetarëve.

Në të kundërt, dhe nëse degradimi do të vazhdojë të transformojë edhe më tej strukturën urbane të qytetit, atëherë nuk na mbetet tjetër veçse t’ia ndërrojmë edhe emrin qytetit dhe t’i ftojmë politikanët për prerjen e shiritit. Për hair qyteti i ri. A keni ndonjë ide për emër?

(Autori është drejtor ekzekutiv i OJQ-së “EC Ma Ndryshe”)

Myrvete Çollaku dhe Naim Kukaj dëshmitarë të parë të rastit “Muja”

0

Ramadan Muja

(E plotësuar) Myrvete Çollaku dhe Naim Kukaj janë dy deshmitarët e parë që do të dëshmojnë në procesin gjyqësor ndaj Mujës dhe drejtorëve të tij.

Prokurorja Natasha Vikeri ka kërkuar që dëshmitarët e hequr nga lista t’iu mundësohet dëshmia, pasi ata janë të rëndësishëm për Prokurorin.

Ajo kërkoi që se paku edhe pesë dëshmitarëve t’iu mundësohet dëshmia.

Gjyqtari Vladimir Nikula, ndërkaq tha se gjatë procesit do të shikojë se sa dëshmitar ka nevojë të dëshmojnë në këtë proces.

Dëshmitarja Myrvete Çollaku është marrë në pyetje rreth blerjes së një parcele të tokës, pronë e Komunës së Prizrenit. Ajo ka thënë se toka është blerë pas plotësimit të dokumentacionit.

“Parcela në fjalë është pasuri e imja dhe për këtë kam kontratë. Tokën e kam përdorë për lokale me qira”, tha Çollaku. Ajo tha se nuk ka qenë në dijeni se toka të cilën e ka blerë ka qenë në kontest. “Nuk kam qenë e informuar për kontestin. Këtë e kam kuptuar vonë”, ka thënë ajo. Dëshmitarja Çollaku tregoi se për këtë çështje ka ngritur padi kundër Komunës së Prizrenit. Ajo ka fajësuar avokatin e Komunës së Prizrenit, i cili nuk e ka mbrojtur pronën publike për të cilën është paguar nga taksat e qytetarëve. “Bartjen e kam bërë në mënyrë të rregullt “, tha ajo.

Dëshmitari tjetër, Naim Kukaj, ndërkaq në këtë gjykim ka dëshmuar rreth dhënies në shfrytëzim të tokës, shkollës ‘’Mehmet Akif‘’, fabrikës ‘’Kamila’’ dhe ndalimin e ekspertëve të Gjeodezisë dhe Kadastrës në seancat gjyqësore të Gjykatës. Ai tregoi se ka qenë prezent në diskutimet që janë bërë për dhënien në shfrytëzim të tokës shkollës në fjalë.

Dëshmitari Kukaj ka thënë se ka pranuar dokumentet të cilat kanë dalë nga mbledhja e drejtorëve për dhënien në shfrytëzim të tokës në fjalë.

Kukaj po ashtu ka pranuar se ka ekzistuar një vendim për ndalimin e ekspertëve të Gjeodezisë dhe Kadastrës. Ndryshe nga dëshmia e dhënë gjatë hetimeve në Prokurori, Kukaj ka thënë se nuk ka marrë urdhra nga kryetari Ramadan Muja për të hartuar konkluzionet rreth këtyre çështjeve.

Ndërkaq, gjyqtari në fund ka vendosur që seanca e radhës ndaj Mujës dhe të tjerëve të mbahet më 12 shtator.

………………….

Gjykimi Mujës, sot dëgjohen dëshmitarët

Seanca gjyqësore ndaj kryetarit të Prizrenit, Ramadan Mujës dhe pesë drejtorëve të tij, do të vazhdojë sot me dëgjimin e dëshmitarëve. Ruzhdi Berisha, avokat mbrojtës i Mujës tha se në këtë seancë do të dëgjohen dëshmitarët e Prokurorisë, numri i të cilëve është gjithësej 30. Seanca gjyqësore edhe sot fillon në ora 10.

Në seancën e djeshme Prokuroria ka prezantuar disa dokumente si prova kundër Mujës dhe të tjerëve, e në bazë të cilave ajo pretendon se zyrtarët komunalë kanë tejkaluar kompetencat e tyre. Avokati Berisha tha se bëhet fjalë për disa dokumente të marra nga organet komunale. “Janë dokumente të cilat janë marrë nga organet komunale që janë përpiluar gjatë kohës së rregullimit të çështjes, ose të transferit të pasurisë ose lidhjes së kontratave të njërës apo tjetrës kompani me organet e komunës”, ka thënë tha Berisha.

Kryetarit të Prizrenit, Ramadan Muja, i rëndon një aktakuzë 21 faqesh, me të cilën ai dhe Sadik Paçarizi – drejtor i Urbanizmit dhe Planifikimit Hapësinor, Avni Ademaj – ish-u.d. së drejtorit të Gjeodezisë dhe Kadastrës, Kadri Ukimeri – ish-drejtor i Gjeodezisë dhe Kadastrës, Abdullah Tejeci – drejtor aktual i Gjeodezisë dhe Kadastrës dhe Minir Krasniqi – drejtor i Administratës, akuzohen për shpërdorim të pozitës zyrtare në dhënien e disa pronave shoqërore në shfrytëzim për disa kompani, me qëllim të përfitimit personal.Gjyqtari i procedurës paraprake, Vladimir Nikula, kohë më parë ka aprovuar kërkesën e Prokurores që po udhëheq ndjekjen penale, Natasha Vikeri për konfiskimin e dokumenteve të udhëtimit të të pandehurve./PrizrenPress.com/

“Dokufest” nis të shtunën t’i “theji kufijtë”

0

Dokufest-konfereceMe bluza të zeza e mbishkrime të bardha rreth “Dokufestit”, përfaqësues të festivalit kanë mbajtur një konferencë për media. Edicioni i 12 me radhë i “Dokufestit” do të mbahet nga 17 deri më 25 gusht, siç e do tradita, në qytetin e Prizrenit.

“Tema e festivalit sivjet është “Kufijtë” apo “Breaking Borders” dhe për imazhin vizual të festivalit kemi punuar me artistin Daniel Muroi, që e ka krijuar emblemën e festivalit sivjet, një aeroplan i letrës si një mjet poetik për kapërcimin e kufijve, po ashtu edhe ngjyrat e festivalit sivjet janë e kuqe, e kaltër dhe e gjelbër, me të cilat mbulohen të gjitha monitorët e televizioneve”, ka thënë Nita Deda, drejtuese e komunikimit.

Për 9 ditë sa do të zgjasë festivali, pjesëmarrës do të jenë 250 filma, që sipas Veton Nukollari, drejtor artistik i festivalit, është programi më i madh që festivali ka pasur ndonjëherë.

“Është një program prej 250 filmave, ku përfshihen 106 filma, 7 programe garuese dhe afër 150 filma në 13 programe që janë jashtë konkurrencës, përfshirë edhe një program që është falas dhe që është kuruar enkas për shfaqjen e filmave eksperimentalë në një ambient të ri”, ka treguar Nukollari.

Në programin garues do të ketë filma të rinj premierë në festival, por do të ketë edhe filma që janë fitues të çmimeve të ndryshme si të “Cannes”, “Sundance”, ndërkaq do t’i kushtohet hapësirë edhe filmave siç janë quajtur “Focus nordik”.

“Programi që është jashtë konkurrencës, është kuruar në bashkëpunim me 5 institute të filmit të shteteve nordike, që e kemi quajtur “Focus nordik” dhe në vete përmban mbi 40 filma që vijnë nga 5 shtete nordike, Suedia, Danimarka, Finlanda, Islanda dhe Norvegjia”, ka thënë më tej Nukollari, shkruan Zëri.

“Presim që këtë vit Prizrenin ta vizitojnë së paku 200 filmbërës, producentë, njerëz të filmit, përfaqësues të instituteve të filmit, mysafirë direkt të lidhur me programin e festivalit, përveç asaj presim natyrisht edhe një fluks të madh të njerëzve që të vijnë për festival, për të shijuar filmin, por edhe në aktivitete të tjera”, ka vazhduar ai.

Sivjet “Doku Festin” e karakterizon aplikimi i një numri të madh të filmave të shkurtër, gjithsej 1200 filma, prej të cilëve në program janë futur 33 filma. Festivali do t’i ketë 8 premiera në kategorinë ndërkombëtare dhe 6 në atë kombëtare, ndërsa do të jenë 4 filma shqiptarë në konkurrencën ndërkombëtare.

“Vlen të përmendet filmi premierë i Antoneta Kastratit, dhe filmi i regjisorit Daniel Mulaj, që si personazh ka aktoren Arta Dobroshi, kemi edhe filmin e Meriton Zinxhiria me filmin e tij “Kamomil”. Në kategorinë kombëtare ku vlen të veçohet filmi i artistit Alban Muja, që do të shfaqet të hënën në mbrëmje”, ka treguar Samir Karahoda, programator i filmave të shkurtër.

Duke qenë se është rritur numri i filmave, organizatorët e “Dokufestit” kanë shtuar numrin e kinemave. “Lumbardhi”, “Bahçe”, “Kino në Lum” “Kono në Kala”, e të tjera janë kinematë ku do të shfaqen filmat këtë edicion.

Sponsor gjeneral i “Dokufestit” është “Pro Credit Bank”, ndërsa sponsorë të tjerë janë Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, IPKO, grupi “Koha”, kompania e sigurimeve Dardania dhe “Kosovo 2.0”.

Ajo që do t’i paraprijë festivalit, është ekspozita e fotografit të mirënjohur Pep Bonet, i cili e ka fituar çmimin “Wall Press” për këtë vit. Kjo ekspozitë do të hapet më 16 gusht dhe është kuruar nga koordinatori i “Dokuphotos” për këtë vit, fotografi Jetmir Idrizi.

Tre deputetë të “Vetëvendosjes” kanë aktakuzë

0

rexhep selimi ne parlamentAktakuzë ka edhe ndaj tre deputetëve të Kuvendit të Kosovës. Ata janë nga Lëvizja “Vetëvendosje”. Deputetët Rexhep Selimi, Florin Krasniqi dhe Visar Ymeri, akuzohen për veprën penale lëndim i lehtë trupor.

Këta tre dhe një aktivist i kësaj lëvizjeje, akuzohen se më 28 qershor të vitit 2012, kanë sulmuar kolegun e tyre nga PDK-ja, Bekim Haxhiun, i njohur më shumë si “Kamishi”, duke e lënduar lehttë, shkruan Tribuna.

Ngjarja ka ndodhur në oborrin e Kuvendit të Kosovës, kur deputetët e “Vetëvendosjes” dhe PDK-së janë përleshur ndërmjet vete. Pas ngjarjes, Prokuroria ka nisur hetimet dhe me t’i marrë palët në pyetje edhe ka ngritur aktakuzë.

Serbët e Kosovës u shesin toka shqiptarëve

0

graqanicSipas të dhënave të Ministrisë serbe të Bujqësisë, vetëm gjatë këtij viti në emër të subvencioneve janë derdhur nga Serbia në Kosovë rreth 600.000 euro për 3.408 toka bujqësore, të cilat janë edhe më të regjistruara në kadastrat serbe edhe pse në ato të Kosovës kanë evidentuar si pronarë persona të tjerë.Serbët në Kosovë gjithnjë e më shumë po u shesin toka shqiptarëve, por edhe më tej marrin subvencione nga shteti për punimin e këtyre tokave, ka mësuar e përditshmja beogradase “Blic”. Një ngatërrin të tillë e ka shkaktuar kadastra e dyfishtë, pasi shqiptarët i evidentojnë në regjistrat e vet parcelat e blera, ndërsa ato figurojnë edhe në kadastrën serbe, madje në emër të pronarit të mëparshëm, transmeton Koha Ditore.

Derisa të dhënat e kadastrave të mos harmonizohen, askush nuk e di se sa ka të tillë që kanë shitur toka, por që edhe më tutje e shfrytëzojne ndihmën shtetërore në Serbi. Sipas një burimi të gazetës, më së shumti mashtrime të kësaj natyre ka pasur në Llapnasellë dhe në Çagllavicë.
“Ka pasur shitje të madhe tokash përgjatë autostradës ndërmjet Prishtinës dhe Ferizajt. Ky territor është i përshtatshëm për shndërrim të tokave bujqësore në ato ndërtimore”, ka bërë të ditur burimi i “Blicit”

Çollaku: Zgjedhjet sipas ligjeve tona

0

BekimCollaku-keshilltarKëshilltari i Lartë i Kryeministrit të Kosovës, Bekim Çollaku ka reaguar ndaj deklaratave të zyrtarëve të Serbisë, të cilët thonë se marrëveshja ndërmjet Kosovës dhe Serbisë është “status neutrale” dhe për rrjedhojë edhe zgjedhjet lokale të nëntorit në Kosovë duhet të mbahen pa simbole shtetërore të Republikës së Kosovës.

“Deklaratat e tilla janë jorelevante për këdo që ka njohuri elementare për përmbajtjen e marrëveshjes ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Edhe nën supozimin e tillë të paqëndrueshëm, marrëveshja nuk mund të konsiderohet dhe as interpretohet si status neutrale në raport me qytetarët, respektivisht shtetasit e Kosovës. Në të gjitha parimet e marrëveshjes që ndërlidhen me gjyqësinë, policinë, zgjedhjet etj, saktësohet qartë se të gjitha këto çështje do të rregullohen në përputhje me ligjet e Kosovës. Kjo është e vërteta e marrëveshjes”, tha Çollaku, për Express.

Duke folur për formën dhe përmbajtjen e fletëvotimeve, Çollaku deklaroi se kompetent për të vendosur është Komisionin Qendror i Zgjedhjeve, që është një mekanizëm në të cilin janë përfaqësuar të gjitha partitë politike parlamentare të Kosovës.

Vdes tenori i famshëm Spas Wenkoff

0

SpasWenkoff-tenorNjë prej tenorëve më të shquar të artit lirik të viteve ’70-’80, austriaku me origjinë bullgare, Spas Wenkoff, vdiq në moshën 84 vjeçare në rezidencën e tij në Bad Ischl, njoftoi sot një komunikatë e Operës së Vjenës.

I lindur më 23 shtator 1928 në Veliko Tarnovo të Bullgarisë, Spas Wenkoff filloi karrierën e tij të tenorit si këngëtar operetash gjatë viteve ’50 përpara se të fillonte punën në Operën e Dresdenit në ish-Republikën Demokratike të Gjermanisë në vitin 1975.

Ai u imponua ndërkombëtarisht në rolin e Tristanit, një prej roleve të tij të shumta nga operat e kompozitorit gjerman, Wagner.

Më pas ai u angazhua në festivalin vagnerian të Bajernit në Bavari, në Operën Metropolitane të Nju Jorkut, në Operat e Berlinit dhe Mynihut dhe, në fund, në Operën e Vjenës ku ai debutoi në vitin 1977 në rolin e Maksit në operën “Freischütz” të kompozitorit Carl-Maria von Weber. Dalja e tij e fundit në skenë ishte në Operën e Vjenës në 11 janar 1991.

FSK-ja zgjedh Komunën e Prizrenit për ushtrim fushor

0

HajrushKurtaj-RuzhdiRexha-prizrenDrejtori i departamentit për bashkëpunim civilo-ushtarak, Hajrush Kurtaj së bashku me major Arife Halili, shefe e CIMIC-ut, të mërkurën kanë takuar nënkryetarin e Komunës së Prizrenit, Ruxhdi Rexha.

Gjatë këtij takimi Komuna e Prizrenit dhe FSK-ja kanë nënshkruar një marrëveshje bashkëpunimi për realizimin e ushtrimit fushor nga ana e FSK-së. Ky ushtrim një muajorësh, do të nis nga 20 shtatori dhe do të zgjasë deri më 20 tetor të këtij viti në lokacionuin e fshatit Nashec.

Drejtori i departamentit për bashkëpunim civilo-ushtarak, Hajrush Kurtaj ka falenderuar Komunën e Prizrenit për bashkëpunimin e deritanishëm dhe ka premtuar se do të vazhdoj të ndihmojë edhe në të ardhmën Komunën, konkretisht departamentin për Emergjencë dhe Siguri.

Nga ana tjetër, edhe nënkryetari i Komunës e ka falenderuar FSK-në që përsëri e kanë përzgjedhur Prizrenin për ushtrimin fushor./PrizrenPress.com/