22.8 C
Prizren
E enjte, 11 Gusht, 2022

“Dokufest” nis të shtunën t’i “theji kufijtë”

Dokufest-konfereceMe bluza të zeza e mbishkrime të bardha rreth “Dokufestit”, përfaqësues të festivalit kanë mbajtur një konferencë për media. Edicioni i 12 me radhë i “Dokufestit” do të mbahet nga 17 deri më 25 gusht, siç e do tradita, në qytetin e Prizrenit.

“Tema e festivalit sivjet është “Kufijtë” apo “Breaking Borders” dhe për imazhin vizual të festivalit kemi punuar me artistin Daniel Muroi, që e ka krijuar emblemën e festivalit sivjet, një aeroplan i letrës si një mjet poetik për kapërcimin e kufijve, po ashtu edhe ngjyrat e festivalit sivjet janë e kuqe, e kaltër dhe e gjelbër, me të cilat mbulohen të gjitha monitorët e televizioneve”, ka thënë Nita Deda, drejtuese e komunikimit.

Për 9 ditë sa do të zgjasë festivali, pjesëmarrës do të jenë 250 filma, që sipas Veton Nukollari, drejtor artistik i festivalit, është programi më i madh që festivali ka pasur ndonjëherë.

“Është një program prej 250 filmave, ku përfshihen 106 filma, 7 programe garuese dhe afër 150 filma në 13 programe që janë jashtë konkurrencës, përfshirë edhe një program që është falas dhe që është kuruar enkas për shfaqjen e filmave eksperimentalë në një ambient të ri”, ka treguar Nukollari.

Në programin garues do të ketë filma të rinj premierë në festival, por do të ketë edhe filma që janë fitues të çmimeve të ndryshme si të “Cannes”, “Sundance”, ndërkaq do t’i kushtohet hapësirë edhe filmave siç janë quajtur “Focus nordik”.

“Programi që është jashtë konkurrencës, është kuruar në bashkëpunim me 5 institute të filmit të shteteve nordike, që e kemi quajtur “Focus nordik” dhe në vete përmban mbi 40 filma që vijnë nga 5 shtete nordike, Suedia, Danimarka, Finlanda, Islanda dhe Norvegjia”, ka thënë më tej Nukollari, shkruan Zëri.

“Presim që këtë vit Prizrenin ta vizitojnë së paku 200 filmbërës, producentë, njerëz të filmit, përfaqësues të instituteve të filmit, mysafirë direkt të lidhur me programin e festivalit, përveç asaj presim natyrisht edhe një fluks të madh të njerëzve që të vijnë për festival, për të shijuar filmin, por edhe në aktivitete të tjera”, ka vazhduar ai.

Sivjet “Doku Festin” e karakterizon aplikimi i një numri të madh të filmave të shkurtër, gjithsej 1200 filma, prej të cilëve në program janë futur 33 filma. Festivali do t’i ketë 8 premiera në kategorinë ndërkombëtare dhe 6 në atë kombëtare, ndërsa do të jenë 4 filma shqiptarë në konkurrencën ndërkombëtare.

“Vlen të përmendet filmi premierë i Antoneta Kastratit, dhe filmi i regjisorit Daniel Mulaj, që si personazh ka aktoren Arta Dobroshi, kemi edhe filmin e Meriton Zinxhiria me filmin e tij “Kamomil”. Në kategorinë kombëtare ku vlen të veçohet filmi i artistit Alban Muja, që do të shfaqet të hënën në mbrëmje”, ka treguar Samir Karahoda, programator i filmave të shkurtër.

Duke qenë se është rritur numri i filmave, organizatorët e “Dokufestit” kanë shtuar numrin e kinemave. “Lumbardhi”, “Bahçe”, “Kino në Lum” “Kono në Kala”, e të tjera janë kinematë ku do të shfaqen filmat këtë edicion.

Sponsor gjeneral i “Dokufestit” është “Pro Credit Bank”, ndërsa sponsorë të tjerë janë Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, IPKO, grupi “Koha”, kompania e sigurimeve Dardania dhe “Kosovo 2.0”.

Ajo që do t’i paraprijë festivalit, është ekspozita e fotografit të mirënjohur Pep Bonet, i cili e ka fituar çmimin “Wall Press” për këtë vit. Kjo ekspozitë do të hapet më 16 gusht dhe është kuruar nga koordinatori i “Dokuphotos” për këtë vit, fotografi Jetmir Idrizi.

Më Shumë

Kërcet dajaku në një familje në Prizren: Tre veta kundër një – dy gra përfundojnë në spital

Telashet familjare shpesh herë kalojnë muret e shtëpive, për shkak të eskalimit të situatës ku nevojitet edhe ndërhyrja e Policisë. Një rast i tillë...

Zyrtare: Ponte Prizreni përforcohet me amerikanin Angelo Stewart

Ponte Prizreni ka njoftuar se ka nënshkruar me amerikanin De Angelo Stewart. Stewart së fundi ishte pjesë e skuadrës Guimares në Superligën Portugeze ku luajti...

Lajmet e Fundit