13.8 C
Prizren
E shtunë, 21 Shtator, 2024

13 vite nga Marrëveshja e Ohrit

marreveshja e ohritMarrëveshja Kornizë e Ohrit është një kontratë shqiptaro-maqedonase për raportet e reja shoqëroro-politike dhe ndërtimin e mëtutjeshëm të shtetit të quajtur, Ish-Republika Jugosllave e Maqedonisë.
Kjo kontratë e të dy popujve u bë e mundshme pas konfliktit të armatosur, që ndodhi në vitin 2001. Marrëveshja u realizua me ndihmën e Bashkësisë ndërkombëtare, e cila dha kontributin e vet për zgjidhje politike të krizës ndëretnike në IRJM.

Marrëveshja është një fitore e suksesshme e forcave demokratike në IRJM. Ajo gjithashtu është fitore e angazhimit politik të faktorit shqiptar kundrejt ekskluzivitetit të institucioneve shtetërore maqedonase dhe qarqeve luftënxitëse të tyre. Marrëveshja shënon përmbysjen e madhe të konceptit etnocentrik të shtetit dhe njëkohësisht fillimin e një epoke të re në marrëdhëniet shqiptaro-maqedonase.

Marrëveshja e Ohrit i mundësoi popullit shqiptar të IRJM, të kthejë të drejtat juridiko-kushtetuese, që padrejtësisht iu morën me rastin e miratimit të Kushtetutës së vitit 1991. Kjo marrëveshje vendosi mekanizmin e koncensusit, përmes së cilës në mënyrë legale, në institucione të sistemit, mund të mbrohet interesi kombëtar i popullit shqiptar. Dokumenti i miratuar në Ohër, “de jure” shënon fundin e konceptit nacional të “shtetit të Gligorovit” dhe fillimin e një etape të re, të një koncepti të ri të shtetit, në të cilin populli shqiptar fiton statusin e popullit shtetformues. Vlerën e saj e rrit prania permanente dhe angazhimi serioz i Bashkësisë Ndërkombëtare, Bashkësia Evropiane, SHBA, OSBE.

Ky fakt është i mjaftueshëm për të dëshmuar se Marrëveshja e Ohrit është nën mbikqyrje dhe garancë ndërkombëtare. Shikuar nga ky aspekt, marrëveshja shqiptaro-maqedonase mund të cilësohet edhe si historike. Përfundimisht, Republika e Maqedonisë, sipas Marrëveshjes së Ohrit, nuk është vetëm shtet i popullit maqedonas, por edhe shtet i popullit shqiptar që jeton në këto hapësira.

Roli i Bashkësisë Ndërkombëtare për ndërprerjen e konfliktit dhe arritjen e marrëveshjes politike ishte i pazëvendësueshëm. Qysh gjatë zhvillimeve luftarake në IRJM, Unioni Evropian dhe SHBA, dërguan përfaqësuesit e tyre: Francois Leotard dhe James Perdew, si ndërmjetësues për arritjen e paqes. Pas negociatave të mundimshme me palët e konfrontuara, ata përgatitën dokumentin e ashtuquajtur “Versioni Draft i Dokumentit Kornizë”, të cilin më 7 korrik, 2001, ua dorëzuan katër liderëve, pjesëmarrës në Qeverinë e Ish Republikës Jugosllave të Maqedonisë dhe presidentit Trajkovski.

Gjatë zhvillimit të negociatave në Ohër, faktori politik shqiptar startoi me pozicione inkluzive euro-perëndimore. Ai nuk doli me kërkesa për ndarje territoriale, por për barazi të plotë etnike, që ishte në harmoni me parimet europerëndimore. Në fakt, kërkohej që karakteri multietnik i shoqërisë maqedonase të pasqyrohet në rregullimin shtetëror. Ndërkaq, pala maqedonase mbante pozicion ekskluziv duke refuzuar kërkesën që pasqyronte diversitetin objektiv të shoqërisë në konceptin e shtetit. Ose me fjalë tjera, përderisa pala maqedonase synonte të kontrollojë të drejtat kombëtare të shqiptarëve, pala shqiptare nuk ndërhynte në korpusin e të drejtave të maqedonasve. Fundi i negociatave shqiptaro-maqedonase ishte Marrëveshja Kornizë e Ohrit.

Në momentin kur pritej që negociatat e Ohrit të marrin fund, qarqe të caktuara nacionaliste, qeveritare dhe joqeveritare maqedonase filluan të japin deklarata të pamatura, të cilat shkaktuan reagime të ashpra të përfaqësuesve ndërkombëtarë. Këto deklarata përpiqesihin të minojnë procesin politik dhe projektin e marrëveshjes të hartuar nga ekspertët mdërkombëtarë. Por, qendrat e vendosjes ndërkombëtare ia bënë me dije palës maqedonase, se: “Rrugëdalje më të mirë, pos pajtimit dhe nënshkrimit të këtij dokumenti nuk ka”.

Negociatat shqiptaro-maqedonase, në Ohër, zgjatën rreth dhjetë ditë dhe përfunduan më 13, gusht, 2001. Nën trysninë ndërkombëtare, konflikti shqiptaro-maqedonas u mbyll me Marrëveshjen Kornizë të Ohrit. Ajo u nënshkrua në Shkup, nga përfaqësuesit shqiptarë dhe maqedonas, që merrnin pjesë në koalicionin e zgjeruar qeveritar: Lupço Georgievski, Arbën Xhaferi, Branko Cërvenkovski dhe Imer Imeri. Këtë marrëveshje e nënshkroi edhe kryetari i shtetit, Boris Trajkovski dhe ndërmjetësuesit evro-amerikanë, Leotard dhe Perdew.

Marrëveshja Kornizë e Ohrit përfshinë dhjetë pika kyçe:

1. Parimet themelore;

2. Ndërprerja e armiqësive;

3. Zhvillimi i pushtetit të decentralizuar;

4. Mosdiskriminimi dhe përfaqësimi i drejtë;

5. Procedurat e posaçme kuvendore;

6. Arsimimi dhe përdorimi i gjuhëve;

7. Shprehja e identitetit;

8. Implementimi;

9. Anekset; dhe

10. Dispozitat përfundimtare.

Më Shumë

Prizren: Aktakuzë kundër 7 personave për kontrabandë me migrantë

Prokuroria Themelore në Prizren, ka njoftuar se ka ngritur aktakuzë kundër të pandehurve S.G., A.H., H.A., O.A., M.H., A.B., dhe M.R., për shkak të...

Kryetari i Malishevës zhvillon vizitë zyrtare në SHBA – nisin bisedimet për binjakëzimin me Staten Island

Kryetari i Komunës së Malishevës, Ekrem Kastrati, po qëndron në një vizitë zyrtare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku ka marrë pjesë në...

Lajmet e Fundit