2 C
Prizren
E enjte, 26 Dhjetor, 2024

15 rastet pozitive me COVID-19 nga Prizreni janë familjarë të të infektuarve, në mesin e tyre edhe një 4-vjeçar

Të gjithë anëtarët e familjeve të tre prej të infektuarve nga Prizreni mbrëmë kanë rezultuar pozitiv për COVID-19.

Dy prej të infektuarve janë përcjellë mbrëmë për në Infektivë për shkak të përkeqësimit të gjendjes, derisa nesër pritet të testohen nëntë persona të cilët kanë qenë në kontakt me të infektuarit. Në mesin e të infektuarve nga kjo komunë është edhe një 4-vjeçar, raporton Express.

Për gjendjen e të infektuarve dhe rastet që u konfirmuan mbrëmë ka dhënë detaje Drejtori për Shëndetësi, Visar Shehu.

Shehu i ka thënë Gazetës Express se rastet që u konfirmuan mbrëmë janë familjarë të doganierit, infermieres nga Skrobishta dhe zyrtarit të Hidroregjionit. Dy prej të infektuarve thotë se janë përcjellë mbrëmë për në Klinikën Infektive të QKUK’së për shkak të temperaturës dhe problemeve me frymëmarrje.

“Nga rastet e konfirmuara mbrëmë kanë rezultuar pozitiv e gjithë familja e doganierit, njëjtë edhe familja e infermierit nga Skorobishta dhe familja e zyrtarit të Hidroregjionit. Një prej të infektuarve e kemi përcjellë mbrëmë në Infektivë meqenëse ka pas temperaturë si dhe doganierin, meqenëse ka pasur probleme në frymëmarrje”, ka thënë Shehu.

Ai ka treguar se nesër pritet të bëhet testimi i mostrave të nëntë personave të cilët kanë pasur kontakt me të infektuarit. Ndërkohë, në mesin e të infektuarve nga kjo komunë thotë se është edhe një 4-vjeçar.

“Sot jemi takuar me përfaqësues të Institutit të Shëndetit Publik Rajonal këtu në Prizren dhe kemi diskutuar për me kriju një listë me personat për të cilët ne dyshojmë se mund të jenë infektuar. Në listë janë 9 persona, pra në listën e dërguar nga ne dhe besojmë që testimi i tyre do të bëhet nesër. Mbrëmë në Prizren janë konfirmuar 15 raste, jo 16 sepse ka qenë një gabim në njoftimin e Institutit. Personi më i ri në moshë i infektuar është i lindur në vitin 2016, derisa më i vjetri në 1945”, ka deklaruar Shehu për Express.

Ndryshe, Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik ka konfirmuar edhe 79 raste të reja me koronavirus. Me këtë shifër, numri i rasteve të konfirmuara në gjithë vendin shkon në 362.

Deri tani, betejën me koronavirusin e kanë humbur tetë persona, derisa numri i të shëruarve shkon në 59.

“Sot më 12 prill 2020, në Laboratorin e Mikrobiologjisë Molekulare në IKSHPK me metodën RT-PCR, janë testuar gjithsej 250 mostra të marra nga Klinikën Infektive, gjurmimi i kontakteve të rasteve në terren si dhe nga karantina në Qendrën studentore. Me SARS CoV-2 pozitiv sot janë diagnostikuar gjithsej shtatëdhjetë e nëntë (79) raste”, ka njoftuar Instituti.

Rastet pozitive janë raste kontakti nga Ferizaj, Prizreni, Hani i Elezit, Vitia, Gjilani, Malisheva, Vushtrria, Skënderaj, Rahoveci, Fushë Kosova, Istogu, Mitrovica e Veriut, Leposaviqi, Zubin Potoku dhe Kamenica.

IKSHP’ja ka bërë me dije se data 08 shkurt deri më 12 prill 2020, në Laboratorin e Mikrobiologjisë Molekulare në IKSHPK me metodën RT-PCR, janë testuar gjithsej 3.256 mostra të dyshimta në virusin SARS-CoV-2 dhe prej tyre dhe se janë kontaktuar dhe janë nën mbikëqyrje 4.795 kontakte të rasteve.

“Në IKSHPK në vazhdimësi përgjatë 24 orëve janë duke u kontaktuar dhe mbikëqyrë të gjitha kontaktet e rasteve, si dhe kontaktet e kontakteve duke iu obliguar për vetëizolim dhe të kërkojnë ndihmë mjekësore nëse kanë simptome. Deri më sot janë kontaktuar dhe janë nën mbikëqyrje 4.795 kontakte të rasteve”, thuhet në njoftimin e IKSHP’së.

Më Shumë

Lajmet e Fundit