Mbrëmjen e së martës në ambientet e Filharmonisë së Kosovës, u mbajt koncerti për nder të 20 vjetorit të kalimit në amshim të profesorit dhe klarinetistit, Qazim Bobaj. Ky koncert fillimisht shpalosi një dokumentar me fotografi të të ndjerit, të cilat të gjithë të pranishmit që ishin në një numër shumë të madh i bënë me lot në sy.
Pas përfundimit të këtij dokumentari, drejtori i Filharmonisë së Kosovës njëherësh edhe dirigjentin i kësaj filharmonie, Baki Jashari doli para Orkestrës Frymore ku kështu filloi edhe interpretimi. E për ta hapur këtë ngjarje në përkujtim të profesorit, Qazim Bobaj para të pranishmëve doli dirigjenti, Rafet Rudi i cili filloi të tregoj historikun e këtij profesori se si hyri në jetën muzikore në Kosovë, veprimtarinë e tij si pedagog dhe si instrumentist i muzikës kamertale, ku sipas Rudit aktivitetet e para në fushën e muzikës kamertale, datojnë pikërisht nga gjenerata të cilës i takon profesori, Qazim Bobaj.
“Muzikantëve të rinj mund të iu duket e çuditshme, por deri në vitet e 80-ta, nuk ka pasë aktivitet të musikës kamertale të prodhuar nga artistët tonë. Me veprimtarinë e gjeneratës së Qazës por edhe të një gjenerate më të re, në radhë të parë, të Sihanës, Blerimit, Antonios, e shumë të tjerë, muzika kamertale si formë e avancuar e muzikës profesionale, ka marrë kahjen e duhur. A nuk janë sallat e mbushura në koncertet e muzikës klasike dëshmi më e bindshme për këtë. Besnikëria dhe bindja e thellë e muzikës klasike, paluhatshmëria në vlerat e saj, që ndonjëherë kontestohet dhe relativizohet nga vet njerëzit e muzikës, e kanë bërë Qazim Bobajn dhe kolegët e tij të gjeneratës, protagonistë të denjë në procesin e profesionalizimit të muzikës klasike tek ne”, theksoi Rafet Rudi.
Në këtë koncert nuk munguan as mirënjohjet që iu bënë familjes së të ndjerit, ku një mirënjohje ishte nga Shkolla e Muzikës në Gjilan e tjetra mirënjohje u dha nga Shkolla e Muzikës “Prenk Jakova”, në Prishtinë. Ndërsa familjarët e profesorit, Qazim Bobaj kishin sjellur nipërit e profesorit Edin dhe Ejana Bobaj, të cilët interpretuan një pjesë muzikore në flaut dhe klarinetë, për ti falënderuar organizatorët që janë kujdesur për këtë mbrëmje./KultPlus.com