16.8 C
Prizren
E premte, 3 Maj, 2024

Dekriminalizimi i politikës prek “kokat” e pushtetit

Që nga java e parë e marrjes së mandatit të presidentit të vendit nga Hashim Thaçi, në paraqitjet e tij publike, nuk kalon pothuajse as edhe një rast i vetëm, në të cilin ai nuk flet për qëllimin e tij që me legjislacion të ri, me ndryshime edhe në Kushtetutë, të ndikojë që edhe Kosova të bëhet pjesë e familjes së shteteve që kanë dekriminalizuar skenën politike dhe institucionet e tjera, qoftë ato të zgjedhura me votën e qytetarëve apo të emëruara në bazë të ligjeve dhe Kushtetutës. Tani korit të presidentit për nevojën e dekriminalizimit të politikës po i bashkëngjitet edhe kryeministri Mustafa.

Përfaqësues të partive politikë, analistë të pavarur edhe ekspertë, janë të mendimit se deklarimet e presidentit Thaçi dhe kryeministrit Mustafa për dekriminalizimin e politikës nuk janë shenja të vullnetit të tyre personal, si lidership serioz, por janë shenja që flasin se pas këtij presioni qëndrojnë fuqi të rëndësishme vendimmarrëse BE-ja dhe SHBA-ja, dy aleatë të fuqishëm të shtetit të Kosovës që duan të shohin një sundim të fortë të ligjit në Kosovë, pavarësisht që procesi i dekriminalizimit mund të prekë edhe vetë kokat e larta të shtetit.

Kurteshi: Disa politikanëve u është zënë bishti me derë

Deputeti Ismail Kurteshi, nga lëvizja ‘Vetëvendosje’, nuk e sheh si shumë serioz deklarimin e njërit dhe zyrtarit tjetër të shtetit rreth këtij procesi. Ai beson se përtej vullnetit real të jetësimit të këtij premtimi qëndron angazhimi formal sa për të marrë poenë pozitivë, por është pak e pritshme se do të realizohet, nëse ndërkombëtarët mashtrohen me deklarime të tilla që mbeten në ajër.

“Angazhimi formal për dekriminalizim, vetëm përmes deklaratave, është farsë. Është iluzion të presim që vetë ata që janë të involvuar në veprimtari të ndryshme, të dëmshme e ilegale, t’i luftojnë këto dukuri. Ky lloj deklarimi mund të jetë edhe përpjekje për t’u distancuar nga lloji. Ndërkombëtarët i kanë shfrytëzuar politikanët, që, siç thotë populli, e kanë pasur bishtin e zënë me derë, për realizimin e agjendave të tyre, e që i kanë kushtuar shtrenjtë Kosovës. Ata kanë bashkëpunuar me pushtetarët e korruptuar pa asnjë problem. Natyrisht që kur të mos u nevojiten më tutje, ndërkombëtarët do t’ua kthejnë shpinën këtyre politikanëve të mjerë. Se a ka ardhur tani ajo ditë nuk e di, por jam i sigurt që ajo ditë do të vijë shpejt, e dekriminalizimi do të ndodhë nga ata që vetë janë të pastër”, u shpreh Kurteshi për “Kosova Sot”.

Salihaj: Nga retorika të kalohet në vepra konkrete

Pro dekriminalizimit të politikës, me ligj dhe Kushtetutë, pavarësisht se prej nga vijnë rekomandimet a presionet, por duke vepruar dhe duke u shmangur nga retorika për konsum ditor, është edhe deputeti i LDK-së, Adem Salihaj.

“Ligji për dekriminalizimin e institucioneve do ta bënte të mundur që institucionet tona të pastrohen nga elementet kriminale, të cilat janë bërë pengesë serioze që Kosova të ecë përpara. Asnjë institucion i Kosovës nuk mund ta kryejë rolin e tij, e as të vendoset sundimi i ligjit, përderisa në institucione janë të instaluara strukturat kriminale. Ne duhet sa më parë ta ndjekim shembullin e vendeve të rajonit. Nuk mund të luftohet krimi dhe korrupsioni e as të vendoset sundimi i ligjit me strukturat kriminale brenda institucioneve shtetërore. Është koha tani që nga retorika e deklarimeve të kalohet në veprime konkrete”, thotë Salihaj për “Kosova Sot”.

Ndryshe njohësi i marrëdhënieve ndërkombëtare, Adlum Ramadani, thotë të jetë shumë i sigurt që deklaratat e të parit të vendit, Hashim Thaçit, dhe kryeministrit Mustafa rreth dekriminalizimit të politikës pa dyshim se janë si shkas i presioneve ndërkombëtare, kjo për faktin se skena politike kosovare thuajse ka pësuar kolaps si pasojë e atyre që nuk janë të aftë të udhëheqin dikastere shtetërore, të cilat në fund po dalin me raporte negative, duke dëmtuar madje edhe të ardhmen euro-atlantike të Kosovës.

“Prandaj, dekriminalizimi i politikës dhe ligji pa dyshim se nuk do të ketë mëshirë ndaj askujt, qoftë ndaj ministrave, deputetëve apo edhe vetë krerëve të shtetit, pasi që e kaluara e tyre kriminale nuk mund të shmanget dhe përgjegjësinë duhet ta mbajë dikush. Kjo nismë pa dyshim se do të hapë shtegun për frymë të re politike, e cila mundë t’ua kthejë shpresën e humbur qytetarëve, të cilët asnjëherë nuk u përfaqësuan denjësisht nga ata të cilët i zgjodhën”, u shpreh analisti Adlum Ramadani.

Edhe analisti Islam Krasniqi pohon se nuk ka asnjë dilemë që deklarimet e presidentit Thaçi dhe kryeministrit Mustafa lidhur me dekriminalizimin nxjerrin në sipërfaqe tërthorazi të vërtetën e presionit ndërkombëtar, që ka kohë që ka filluar të rritet mbi liderët tanë, lidhur me sundimin e ligjit në Kosovë, sepse ata kanë investuar shumë në ketë drejtim, për shtetndërtimin, dhe dëshirojnë që edhe puna e tyre të sjellë rezultat.

“SHBA-ja edhe një herë tregoi se do ta mbështesë dhe ndihmojë Republikën e Kosovës, ku Kongresi votoi mbështetjen amerikane në fushën ushtarake Kosovën, mirëpo atyre asgjë nuk u bëhet vonë, sepse ata shkojnë ‘step by step’. BE-ja dhe SHBA-ja janë të interesuara që në Kosovë të sundojë ligji dhe e drejta, sepse paqja dhe stabiliteti në Ballkan vijnë përmes Kosovës, dhe ato duan që edhe Republika e Kosovës të jetë e barabartë me fqinjët tanë. Dekriminalizimi i politikës do t’i prekte më së shumti partitë në pushtet, sepse janë të lidhura me korrupsionin dhe krimin e organizuar, mirëpo kjo nuk do të thotë së do të jenë të paprekura edhe partitë opozitare, sepse të gjitha në një mënyrë apo në tjetër janë lidhura në biznese të pista, nëse mund t’i quaj ashtu”, thotë Islam Krasniqi për “Kosova Sot”. /Kosova Sot/

Më Shumë

Sonte, spektakël i basketbollit pritet në Therandë

Beteja mes Golden Eagle Yllit dhe Pejës do të vazhdojë sonte mbrëma për kualifikim në finale të “Play-off”-it në Prince Caffe Superligë. Therandasit po fitojnë 2:1...

Vdes veterani i UÇK-së nga Dragashi, Osman Shala

Ka vdekur veteran i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës nga Dragashi, Osman Shala. Lajmi për vdekjen e tij u bë i ditur nga bashkëluftëtarët e tij. “Sot...

Lajmet e Fundit