28.2 C
Prizren
E enjte, 26 Qershor, 2025

Në Prizren mbahen Lojërat Sportive për nder të zyrtarëve policorë të rënë në detyrë

Sot, në Qendrën Sportive “Sezai Surroi” në Prizren, u mbajt ceremonia e hapjes së Lojërave Tradicionale, një aktivitet i përvitshëm i organizuar për të nderuar zyrtarët policorë të rënë në krye të detyrës. Në këtë ngjarje të veçantë, përfaqësues të lartë të institucioneve shtetërore, përfaqësues të sindikatave dhe miq të Kosovës u bashkuan për të kujtuar sakrificën dhe guximin e këtyre heronjve, përcjell PrizrenPress.

Nënkryetarja e Sindikatës së Policisë së Kosovës, Edita Azemi, në fjalën e saj theksoi rolin e pazëvendësueshëm të sindikatës në mbështetjen e zyrtarëve policorë dhe promovimin e të drejtave të tyre. Ajo nënvizoi se Lojërat Tradicionale nuk janë thjesht një aktivitet sportiv, por një mundësi për të kujtuar dhe nderuar guximin e zyrtarëve që nuk janë më fizikisht në mesin tonë, duke ndërtuar një lidhje të fortë mes të gjallëve dhe heronjve të rënë. Ajo falënderoi Jesus Lira Calvo, Sekretarin e Përgjithshëm të Këshillit Evropian të Sindikatave të Policisë (CESP), për pjesëmarrjen dhe mbështetjen e tij, duke theksuar rëndësinë e bashkëpunimit ndërkombëtar për të forcuar sindikalizmin policor dhe për të siguruar mirëqenien e punonjësve të policisë.

Azemi theksoi se prania e përfaqësuesve nga rajoni është një dëshmi e angazhimit të përbashkët për të ndarë praktikat më të mira dhe për të avancuar çështjet e të drejtave dhe kushteve të punës për zyrtarët policorë. Në veçanti, pjesëmarrja e përfaqësuesve nga Bullgaria dhe Qipro u mirëprit si një hap i rëndësishëm drejt zgjerimit të mëtejshëm të bashkëpunimit ndërkombëtar. “Lavdi dhe nderim të përjetshëm për zyrtarët tanë policorë të rënë në krye të detyrës!”

Ndërsa zv. ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Bardhyl Dobra, vlerësoi guximin dhe përkushtimin e zyrtarëve policorë që dhanë jetën për sigurinë e vendit. Ai në emër të minsitrit Sveçla theksoi se detyra e mbrojtjes së qytetarëve dhe ruajtjes së integritetit shtetëror është një mision fisnik dhe i shenjtë që duhet të nderohet vazhdimisht.

Ndërsa në fjalën e tij, nënkolonel Faton Alia, Drejtori Rajonal i Drejtorisë Policore në Prizren, në emër të Drejtorit të Përgjithshëm të PK-së, shprehu mirënjohje të thellë për të gjithë ata që kanë sakrifikuar jetën e tyre për një të ardhme të sigurt dhe për rolin e rëndësishëm që luan Policia e Kosovës në këtë drejtim. Ai theksoi rëndësinë e bashkëpunimit mes institucioneve dhe komunitetit për të nderuar dhe kujtuar sakrificat e policisë, duke ndërtuar kështu një frymë uniteti dhe solidariteti që i lidh të gjithë qytetarët.

I pranishëm në këtë ngjarje të rëndësishme ishte edhe nënkryetari i Komunës së Prizrenit, Kujtim Gashi, i cili ishte nikoqir i eventit.

Në këtë event të rëndësishëm pjesë e të cilit ishte  Jesus Lira Calvo, Sekretari i Përgjithshëm i CESP, prania e tij ishte tregues i qartë i mbështetjes së CESP për përpjekjet e sindikatës sonë dhe angazhimin e tij për përmirësimin e kushteve dhe të drejtave të punonjësve të policisë në nivel rajonal dhe evropian.

Fjalimi i tij përqendrohej në rëndësinë e bashkëpunimit ndërkombëtar dhe në fuqizimin e zërit të sindikalizmit policor për t’u përballur me sfidat e përbashkëta që ballafaqohen në të gjithë Evropën.

Nënkryetari i parë i Sindikatës së PK-së, Avdi Hoti, i shoqëruar nga zv. ministri i Punëve të Brendshme Dobra, zv. drejtori i përgjithshëm i Policisë së Kosovës Jankoviç, nënkryetari i Komunës së Prizrenit dhe nënkryetarja e Sindikatës, në shenjë falënderimi i nderoi me mirënjohje përfaqësuesit miq të sindikatave rajonale që ishin të pranishëm në këtë manifestim si, Sindikatën e Policisë së Shtetit Shqiptar, Sindikatën e Policisë së Maqedonisë së Veriut, Sindikatën e Policisë së Malit të Zi, Sindikatën e Policisë së Qipros, Sindikatën e Policisë së Bullgarisë, Sindikatën e Policisë së Kroacisë, si dhe përfaqësuesit e CESP-it dhe organizatorët e kësaj ngjarjeje sportive, për përkushtimin dhe mbështetjen e tyre në realizimin e këtij eventi të rëndësishëm.

Në përfundim të ceremonisë, u falënderuan të gjithë sponsorët që kanë mbështetur dhe kontribuar për realizimin e këtij eventi sportiv të rëndësishëm. Pa përkrahjen e tyre, organizimi dhe zhvillimi i kësaj ngjarjeje sportive nuk do të ishte i mundur. Mbështetja e tyre dëshmon rëndësinë dhe solidaritetin në nderimin e zyrtarëve policorë të rënë në krye të detyrës dhe përforcon vlerat e bashkëpunimit dhe unitetit në komunitet.

Në përmbyllje të kësaj ceremonie, Sindikata e Policisë së Kosovës uroi të gjitha ekipet sportive pjesëmarrëse për suksese dhe lojëra të mbarë. Me shpresën se ky aktivitet do të frymëzojë jo vetëm për të nderuar kujtimin e heronjve tanë, por edhe për të forcuar vlerat e miqësisë, bashkëpunimit dhe solidaritetit mes të gjithë pjesëmarrësve, le të mbizotërojë fryma sportive dhe respekti i ndërsjellë në çdo garë.

Lojën e parë sportive zyrtarisht e filluan Nenkryetari i sindikatës Hoti së bashku me djalin e Heroit Bunjaku.

Lavdi dhe nderim të përjetshëm për zyrtarët tanë policorë të rënë në krye të detyrës./PrizrenPress.com/

Përjetoni pushime të paharruar dhe dasma magjike në Hotel “Albes Residence”

“Guraziu” në Prizren, me 20 vjet përvojë pune në vendosjen e dyerve, laminatit, parketit, kuzhinave dhe dhomave të fjetjes

“Adi-Plast” në Prizren, një emër i njohur në tregun e Kosovës dhe ndërkombëtar për vendosjen e dyerve dhe dritareve

 

Më Shumë

Shkurtimi i mbështetjes financiare për DokuFest, organizatat: Pasiguri e mungesë transparence në trajtimin e iniciativave kulturore, rinore dhe sportive

Disa organizata në Prizren i janë drejtuar me një letër Drejtorisë për Kulturë, Rini dhe Sport lidhur me shqetësimin për shkurtimin e mbështetjes financiare...

Përurohen kabinetet shkencore në shkollën “Katër Dëshmorët” në Ratkoc

Në kuadër të bashkëpunimit dhe bashkëfinancimit mes Komunës së Rahovecit, Organizatës Ndërkombëtare për Migrim (IOM) dhe Zyrës Komunale për Komunitete (ZKK), sot janë përuruar...

Lajmet e Fundit