Kryetari i Komunës së Rahovecit, Smajl Latifi, ka njoftuar për zhvillimin e një takimi të rëndësishëm dhe të hapur me të rinjtë e komunës, i cili u organizua nga Shoqata Humanitare “Kosova” (SHL-Kosova) në kuadër të projektit me Drejtorinë e Kulturës, Rinisë dhe Sporteve (DKRS) të Rahovecit.
Takimi, i cili u zhvillua me pjesëmarrjen aktive të të rinjve të qytetit, ofroi mundësinë për të diskutuar shqetësimet, nevojat dhe sfidat me të cilat përballen ata, si dhe mundësitë për një të ardhme më të mirë.
Latifi theksoi rëndësinë e mbështetjes për të rinjtë dhe angazhimin e Komunës për krijimin e mundësive për zhvillimin e talenteve rinore.
“Ne jemi të angazhuar që të mbështesim dhe fuqizojmë të rinjtë tanë, të cilët janë e ardhmja e komunës sonë. Kjo është arsyeja pse jemi në vazhdimësi duke rritur mundësitë për angazhim të tyre në aktivitete kulturore dhe shoqërore, dhe po punojmë për të ofruar bursa dhe mundësi të tjera për zhvillimin e ideve të tyre inovative,” tha Latifi.
Në këtë ngjarje, të rinjtë shprehën kërkesa dhe ide për projekte që do të kontribuonin në përmirësimin e kushteve dhe mundësive për angazhimin e tyre në aktivitete të ndryshme.
Ata diskutuan gjithashtu mbi nevojën për mbështetje të mëtejshme në zhvillimin e grupeve vullnetarizmi, si grupet për teatër, art, muzikë, dhe të tjera, ku ata po shprehin talentet dhe aftësitë e tyre.
Kryetari Latifi gjithashtu falënderoi Shkumbin Arifi, drejtorin e SHL-Kosova, dhe Vjollca Gurgule, zëvendësdrejtoreshën e SHL-Kosova, për angazhimin dhe punën e shkëlqyer që ata po bëjnë për fuqizimin e rinisë në Rahovec.
“Partneriteti ynë me SHL-Kosova është një shembull i shkëlqyer i bashkëpunimit që sjell përfitime të mëdha për të rinjtë dhe komunitetin”, shtoi ai./PP
Marketing
Përjetoni pushime të paharruar dhe dasma magjike në Hotel “Albes Residence”