10.5 C
Prizren
E enjte, 9 Janar, 2025

Zymi i Hasit të Prizrenit, fshati që popullohet vetëm në festa

Zymi i Prizrenit ka resurse të mjaftueshme për t`u vizituar nga turistë të huaj e vendorë. Në përditshmëri ai është i heshtur, pasi mbi 90% e popullatës ka migruar. Ka objekte të veçanta historike e turistike që mund t`i vizitosh në çdo kohë. Në vitin 2013, Zymi ishte shpallur fshat turistik me ligj të veçantë.

Mërgata e popullon fshatin karakteristik të Prizrenit, Zymin, vetëm në festa dhe pushime. Ata erdhën në pushimet e dimrit, ndërsa tani po ikin për t’iu kthyer punës në vendet ku punojnë e jetojnë.

“Këtu jam lindur, këtu kam qejf me ardh, këtu vijmë për dasma, këtu i kemi bërë dasmat”, tha Mark Kajzogaj, që jeton në Kroaci.

“Shtëpitë janë të boshatisura 90%. Rezidentët dikund janë 200 – 250, e kam fjalën për Zym dhe Karashëngjergj. Zymjanët më së tepërmi vinë kur janë festat e fundvitit, p.sh. i kemi festa që janë në nëntor, Gjithë të Shenjtit, më pas i kemi Kërshendellat, Viti i Ri, edhe për Pashkë”, deklaroi Zef Pecolli, banor i Zymit.

Frrok Kola thotë se ka jetuar e punuar mbi 40 vjet në mërgim dhe mban mend shtëpitë dhe shkollat që kanë funksionuar që në kohën e Gjeçovit.

“Kjo këtu shkollë ka qenë para, Shtjefni i ka mësu këtu në shkollë, edhe një shtëpi ka qenë këtu, atje ka mësuar Shtjefni kur ka qenë prift”, theksoi Kola.

Shtjefën Dulaj, njohës i historikut të fshatit Zym, thotë se zymjanët janë marrë me blegtori dhe vreshtari, dhe i gjithë Rrafshi i Dukagjinit është furnizuar me rrush e produkte të tij. Ai kujton se në vitin 2013, presidenca e shpalli Zymin fshat karakteristik, turistik.

 

“E ka shpallë duke marrë parasysh resurset e saj për zhvillim turistik, zhvillim ekonomik, por edhe trashëgiminë e veçantë që ka Zymi. Vijnë shumica e madhe kroatë, bashkë me rininë që kanë krijuar harmoni në mes të tyre dhe punojnë. Po afërsisht 4500 banorë të Zymit jetojnë vetëm në Kroaci”, deklaroi studiuesi Shtjefën Dulaj.

Në të gjitha kohërat, zymjanët kontribuan në infrastrukturë dhe mirëmbajtjen e fshatit. Në Zym të Prizrenit tashmë ka filluar të pllakosë heshtja dhe qetësia, ndërsa deri në festat e ardhshme rrugët janë të zbrazëta dhe shtëpitë të mbyllura./rtk/

Marketing

“Guraziu” në Prizren, me 20 vjet përvojë pune në vendosjen e dyerve, laminatit, parketit, kuzhinave dhe dhomave të fjetjes

“Adi-Plast” në Prizren, një emër i njohur në tregun e Kosovës dhe ndërkombëtar për vendosjen e dyerve dhe dritareve

Kompleksi ‘Newco Elan’ ofron banesa të ëndrrave tuaja në zemër të Prizrenit

Banesa në shitje nga Renelual Tahiri  

 

Më Shumë

Gjysmëvjetori i dytë i vitit shkollor 2024-2025 nis pa telashe në shkollat e Komunës së Prizrenit

Gjysmëvjetori i dytë i vitit shkollor 2024-2025 sipas autoriteteve përkatëse ka filluar pa ndonjë telash në shkollat e Komunës së Prizrenit. Drejtoresha e Arsimit, Luljeta...

Gentrit Bislimi i është bashkuar Lirisë së Prizrenit

Futbollisti Gentrit Bislimi i është bashkuar Lirisë së Prizrenit, duke mbajtur numrin 33. Ai është një mbrojtës i përkushtuar dhe i vendosur, që premton të...

Lajmet e Fundit